Botë

Dy të vrarë në Liban, shteti akuzon Izraelin për shkelje të shumta të armëpushimit

Liban

Foto: Associated Press

Të paktën dy persona janë vrarë të hënën në sulmet izraelite në Libanin jugor, kanë thënë autoritetet libaneze, teksa kryetari i parlamentit të Libanit akuzoi Izraelin për 54 shkelje të marrëveshjes së fundit të armëpushimit.

Një person është vrarë në një sulm ajror izraelit në qytetin jugor të Libanit, Marjayoun, rreth 10 km nga vija blu e tërhequr nga OKB-ja që ndan Libanin nga Izraeli, raporton Reuters, duke cituar ministrinë e Shëndetësisë së Libanit.

Në një incident tjetër, sigurimi i shtetit të Libanit ka thënë se një sulm izraelit me dron ka vrarë një pjesëtar të forcës së tij ndërsa ai ishte në detyrë në Nabatieh, 12 km larg kufirit. Sigurimi i shtetit e quajti këtë një "shkelje flagrante" të armëpushimit, raporton The Guardian.

Ushtria libaneze ka thënë se një dron izraelit goditi një buldozer ushtarak në verilindje të Libanit pranë kufirit me Sirinë, duke plagosur një ushtar. Agjencia Kombëtare e Lajmeve raportoi gjithashtu një inkursion të ri izraelit brenda Libanit, pranë spitalit qeveritar Mays al-Jabal.

Në një deklaratë në mediat sociale, kryetari i parlamentit të Libanit Nabih Berri, i cili ka vepruar në emër të Hezbollahut gjatë negociatave të armëpushimit, ka thënë se veprimet e Izraelit "paraqesin një shkelje të qartë të neneve të marrëveshjes së armëpushimit" dhe tha se ato "kanë tejkaluar 54 shkelje në Liban.”

Izraeli e ka mohuar këtë, duke thënë se rezervon të drejtën për të përdorur forcën për të parandaluar Hezbollahun që të shkelë armëpushimin, duke pretenduar se operativë të armatosur janë parë në jug të lumit Litani.

Në fund të periudhës 60-ditore të armëpushimit, marrëveshja thotë se të gjitha forcat izraelite duhet të jenë tërhequr nga Libani dhe se Hezbollahu duhet të tërhiqej në veri të lumit Litani, duke lënë në fakt një zonë neutrale në Libanin jugor ku vetëm ushtria libaneze dhe forcat paqeruajtëse të OKB-së lejohen të vendosen.

Më parë ushtria izraelite ka lëshuar një urdhër që ndalonte civilët libanezë të ktheheshin në dhjetëra fshatra në jug. 

Dhjetëra mijëra libanezë dhe izraelitë në zonat kufitare të të dy vendeve janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre nga luftimet.