Të paktën dy persona kanë mbetur të vdekur dhe 35 të tjerë të lënduar, pasi dronët rusë kanë goditur një spital ushtarak, një qendër tregtare dhe disa blloqe apartamentesh në Kharkiv të shtunën vonë.
Guvernatori rajonal, Oleh Syniehubov, ka thënë se një burrë 67-vjeçar dhe një grua 70-vjeçare kanë mbetur të vrarë në sulmin në qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, raporton AP.
Forcat Ajrore të Ukrainës kanë raportuar se Rusia ka gjuajtur 111 dronë në valën e fundit të sulmeve gjatë natës të së shtunës.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë, ndërkohë, ka thënë se sistemet e saj të mbrojtjes ajrore kanë rrëzuar gjashtë dronë ukrainas.
Sipas analistëve të qeverisë dhe ushtarakëve ukrainas, forcat ruse po përgatiten të nisin një ofensivë të re ushtarake në javët e ardhshme për të maksimizuar presionin ndaj Ukrainës dhe për të forcuar pozicionin negociator të Kremlinit në bisedimet e armëpushimit.
Ndërkohë, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka bërë thirrje për më shumë presion ndaj Rusisë që t’i ndalë sulmet.
"Është e pamundur të injorohen qindra Shaheds (dronë) çdo natë. Ne presim një përgjigje serioze”, ka thënë Zelensky në fjalimin e tij të natës, të shtunën.