Dy persona kanë mbetur të vdekur derisa dy të tjerë janë shpëtuar, pas një orteku bore në Alpet Ötztal, në perëndim të Austrisë.
Një operacion kërkimi dhe shpëtimi po vazhdon nga autoritetet austriake atje, raporton BBC.
Raportet e mediave austriake përshkruajnë një rrëshqitje bore prej 180 m në gjatësi dhe 80 m në gjerësi, afër fshatit Vent, jo shumë larg nga kufiri me Italinë, në provincën e Tyrolit.
Raportet fillestare thonë se 17 persona ishin në zonë kur ka ndodhur orteku. Ata mendohet se ishin pjesë e një grupi holandez i cili po merrte pjesë në disa sporte dimërore.
Sidoqoftë, jo të gjithë ata janë kapur nga orteku, i cili ka ndodhur pranë kasolles Martin-Busch, në një lartësi prej 2500 m.
Kreu lokal i shërbimeve emergjente, Bernd Noggler, ka thënë për BBC-në se helikopterët, ekipet e shpëtimit, ekipet e qenve dhe policia e Alpeve tashmë ndodhen në vendin e ngjarjes.
Ai ka paralajmëruar se rreziku nga ortekë të tjerë është shumë i lartë.
Rritja e temperaturave në Tyrol ka rritur edhe rrezikun nga ortekët. Më herët këtë javë, një 19-vjeçar gjerman është kapur nga një ortek afër liqenit Achensee, në verilindje të Innsbruckut.