Botë

Dy rrëfimet e rreme të dhunës seksuale nga Hamasi që nxitën debat global

Shërbimi emergjent i ZAKA-s vendos trupin e militantit në qese Foto: AP

Shërbimi emergjent i ZAKA-s vendos trupin e militantit në qese

Foto: Associated Press

Si të parët në ngjarje, vullnetarët e ZAKA-s kanë qenë dëshmitarët me të mirë për ato që kanë parë pas sulmit të 7 tetorit. Në mesin e shumë mizorive të dokumentuara, disa nga dëshmitë e asaj dite kanë rezultuar të jenë false. Dhe disa kritikë i kanë mbledhur dëshmitë e pavërteta të ZAKA-s, së bashku me të tjerat, për të supozuar se qeveria izraelite i ka shtrembëruar faktet për ta nisur luftën.

Chaim Otmazgini ka kaluar në mes të trupave të qëlluar, djegur ose gjymtuar para se ta arrinte shtëpinë që do ta vendoste në qendër të përplasjes globale.

Otmazgini, vullnetar me ZAKA-n, organizatë izraelite e kërkimit dhe shpëtimit, ka parë trupin e një adoleshenteje në një shtëpi. Ajo ishte e ndarë nga familja dhe pantallonat e saj ishin tërhequr poshtë belit. Ai ka menduar se kjo ishte provë e dhunës seksuale.

Otmazgini ka lajmëruar gazetarët për atë që ka parë. Duke qarë, i ka treguar detajet në Parlamentin e Izraelit. Javëve pas sulmit të Hamasit më 7 tetor, që ka lënë të vrarë rreth 1.200 persona, dëshmia e tij është shpërndarë në tërë botën.

Por ka rezultuar se ajo që Otmazgini ka parë nuk ka ndodhur kurrë. 

Në mesin e shumë mizorive të dokumentuara, disa nga dëshmitë e asaj dite, kanë rezultuar të jenë false.

“Nuk e kam shpikur historinë”, ka thënë Otmazgini. “Nuk mendoja për opsione tjera. Në fund rezultoi e pavërtetë, prandaj kam korrigjuar veten”.

Por ishte shumë vonë.

Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe organizatat e tjera kanë treguar prova të vërtetuara se militantët e Hamasit kanë kryer sulme seksuale. 

Edhe pse numri i sulmeve nuk dihet, fotot dhe videot e pas sulmin tregojnë trupa me këmbë të hapura, rroba të grisura dhe gjak afër gjenitaleve të tyre.

Megjithatë, dëshmitë e tilla si të Otmazginit kanë nxitur skepticizëm dhe debat për atë që ka ndodhur në sulmin e 7 tetorit.

Disa supozojnë se dëshmitë e sulmeve seksuale janë sajuar qëllimisht. Zyrtarët e ZAKA-s dhe të tjerët e mohojnë këtë. Pavarësisht, hetimi i “Associated Press” tregon se si informacioni mund të mjegullohet dhe shtrembërohet në kaosin e konfliktit. 

ZAKA është organ privat civil, i përbërë nga 3000 vullnetarë hebrenj, kryesisht ortodoksë.
Si të parët në ngjarje, vullnetarët e ZAKA-s kanë dëshmuar për atë që kanë parë. Këto kanë ndihmuar gazetarët, ligjbërësit izraelitë dhe hetuesit e OKB-së ta ndërtojnë atë që ka ndodhur gjatë sulmit. 

Prapëseprapë, ZAKA-s i janë dashur muaj ta pranojë se dëshmitë janë të gabuara. Dhe rezultati i dëshmive të pavërteta tregon se si dhuna seksuale është përdorur nga agjendat politike.

Izraeli e ka përdorur dhunën seksuale për të treguar për egërsinë e Hamasit dhe për ta justifikuar qëllimin e luftës. Ai e ka akuzuar komunitetin ndërkombëtar për injorim ose minimizim të supozimeve të dhunës seksuale, duke i quajtur paragjykime antiizraelite. 

Nga ana tjetër, disa kritikë i kanë mbledhur dëshmitë e ZAKA-s, së bashku me të tjerat që janë të pavërteta, për të supozuar se qeveria izraelite i ka shtrembëruar faktet për ta nisur luftën – që ka lënë të vrarë rreth 35 mijë palestinezë, shumica gra dhe fëmijë.

Një ekip hetimor i OKB-së ka gjetur “fakte të arsyeshme” për të besuar se sulmuesit kanë kryer dhunë seksuale, si përdhunim dhe përdhunim në grup. Por hetuesit e OKB-së kanë thënë se mungesa e dëshmive mjekoligjore dhe dëshmive të të mbijetuarve e bën të pamundur të përcaktohet shkalla e dhunës së tillë. Hamasi ka mohuar se forcat e veta kanë ushtruar dhunë seksuale.

Qeset e trupave

Izraelit i janë dashur ditë të tëra për ta pastruar zonën nga militantët. Ka pasur qindra trupa të shpërndarë në jug të Izraelit, që kanë treguar shenja të ndryshme të abuzimit: djegie, vrima nga plumbat, shenja të gjymtimit, shenja që kanë treguar se janë lidhur. Vullnetarët e ZAKA-s nuk janë mësuar të përballen me një numër kaq të madh të trupave.

“Trullosesh dikur”, ka thënë Moti Bukjin, zëdhënës i ZAKA-s. “Disa nga trupat janë djegur. Disa gjymtuar. Disave u kanë hequr kokat. Secila shtëpi ka historinë e vet”.

Autoritetet janë shqetësuar se militantët e mbetur mund të merrnin më shumë trupa. ZAKA thotë se i është udhëzuar të mblidhnin të vdekur sa më shpejt që të ishte e mundur, për t’i identifikuar dhe varrosur. Më shumë se 800 vullnetarë të ZAKA-s janë dërguar në jug.

Të shoqëruar nga ushtria, vullnetarët kanë shkuar shtëpi pas shtëpie, duke i vendosur trupat në qese plastike, ku e kanë shkruar gjininë, numrin e shtëpisë ku janë gjetur dhe detaje të tjera identifikimi. Ata kanë përdorur çka ka qenë e mundur për t’i bartur trupat - përfshirë karrocat e dyqaneve. 

Peretzi, artist në SHBA, ka thënë se vullnetarët nuk janë marrë me pjesën mjekoligjore, por ka menduar se ushtarët janë marrë me këtë proces. Mirëpo, ushtria izraelite e ka mohuar këtë.
Bukjini ka thënë se ekipet mjekoligjore të policisë janë fokusuar më së shumti në qytetet Sderot dhe Ofakim. Sipas Otmazginit, punonjësit mjekoligjorë kanë qenë të pranishëm nëpër shtëpi, por të shpërndarë dhe nuk kanë mundur ta ndiqnin protokollin standard, për shkak të shkallës së sulmit. Ekipet kryesisht e kanë udhëzuar ZAKA-n si t’i identifikonte trupat.

Kjo do të thotë se trupat që mund të kenë treguar shenja të sulmit seksual, mund t’i jenë shmangur ekzaminimit. Në vend të kësaj, ata janë vendosur në çanta, janë dërguar në objekt për t’u identifikuar dhe janë dërguar për t’u varrosur.

“Njerëzit kanë pritur që pas sulmit policia do të arrinte si nëpër filma, gjithçka do të jetë sterile dhe e pastër. Njerëzit që nuk jetojnë në zonën e luftës nuk e kuptojnë kaosin e tmerrshëm që ka ndodhur atë ditë”, ka thënë Orit Sulitzeanu, drejtoreshë ekzekutive e Shoqatës së Qendrave për Krizat e Përdhunimit në Izrael.

Grupi ka kaluar muaj duke mbledhur dëshmi të dhunës seksuale që kanë ndodhur atë ditë, duke kaluar nëpër shumë histori. “Disa nga këto histori që kanë dalë të pavërteta nuk janë gënjeshtra”, ka thënë ajo. Ato janë sipas saj, “gabime”.

Dëshmia e parë : Pantallonat e tërhequr poshtë

Otmazgini është futur në një shtëpi në Kibbutz Be’eri, një nga qindra komunitetet më të goditura, ku një e dhjeta e popullatës, 1.000, është vrarë dhe e ka gjetur trupin e adoleshentes së ndarë nga të afërmit. Pantallonat e saj kanë qenë të tërhequra poshtë. Ai ka supozuar se kjo nënkupton që ajo është sulmuar seksualisht. 

“Ata e kanë vrarë atë. E kanë goditur më plumb në kokë dhe ka pasur pantallonat e tërhequra poshtë. E tregova. Ma gjej dikë që mund të gjejë interpretim tjetër të kësaj”, ka thënë ai, duke i treguar Associate Press foton e ngjarjes. 

Sot, ai e pohon se kurrë nuk e ka thënë hapur që vajza, trupin e së cilës ai pa, ishte sulmuar seksualisht. Por tregimi i tij sugjeron të kundërtën. 

ZAKA-s i janë dashur tre muaj për ta vërtetuar si të pavërtetë këtë. ZAKA ka gjetur se pantallonat e saj i ishin zhveshur kur është zhvendosur, për t’u siguruar se nuk është e zënë nën ndonjë kurth. 
Otmazgini ka thënë se i është dashur kohë për zbuluar këtë, meqë ushtarët prezentë ishin dërguar në Gaza për javë dhe nuk ishin të arritshëm. 

Një zëdhënës i ushtrisë, që ka folur në kushte anonime, ka thënë se nuk ka mënyrë për ta ditur se çfarë ka ndodhur më trupat menjëherë pas sulmit.

Dëshmia e dytë: Gjithçka ishte e zymtë

Yossi Landau, vullnetar i ZAKA-s, ka qenë gjithashtu duke punuar në Be’eri. Landau do të rrëfente për mediat globale atë që mendonte se kishte parë: Një grua shtatzënë të shtrirë në tokë, me fetusin e saj ende të lidhur me kordonin e kërthizës, i cili ishte i shkëputur nga trupi i saj.

Por Otmazgini ka thënë se nuk e ka parë të njëjtën gjë. Në vend të kësaj e ka parë trupin një gruaje në peshë dhe një objekt të panjohur në lidhur me kabllo elektrike. Gjithçka ishte e zymtë. 

Landau, edhe pse e ka ditur interpretimin e vërtetë, ka thënë se e ka besuar versionin e tij më mirë. Ai gjithashtu ka treguar për fëmijë dhe foshnja me koka të prera. Pa prova, Haaretz dhe mediat e tjera kryesore e kanë rrëzuar këtë dëshmi.

Sipas Bukjinit, ZAKA-s i ka kërkuar Landaut ta ndalonte tregimin e historisë . Madje, edhe OKB-ja ka thënë se pretendimi i Landaut është i pabazuar.

Si Otmazgini, ashtu edhe Bukjini e kanë lidhur besimin e vazhdueshëm të Landaut në këtë rrëfim, me traumat e thella prej vendngjarjes pas sulmit të 7 tetorit.

‘Ne nuk jemi punonjës mjekoligjorë’

Gjatë udhëtimeve të tyre në komunën e Be’erit, gazetarët kanë gjetur se vullnetarët e ZAKA-s kanë qenë disa nga burimet më të qasshme të informacionit dhe disa kanë ndarë atë që kanë menduar se e kanë parë, edhe pse, siç ka theksuar Bukjini, "ne nuk jemi punonjës të mjekësisë ligjore".

“Ata pretendojnë të dinë, ndonjëherë në mënyrë naive, atë që u ka ndodhur trupave”, ka thënë Gideon Arani, sociolog në Universitetin Hebre të Jerusalemit, i cili ka shkruar një libër për organizatën.

Bukjini ka thënë se ka bërë foto dhe video të asaj që ka parë, edhe pse i nuk është lejuar kjo gjë dhe është intervistuar vazhdimisht për atë që ka parë.

Ka pasur dëshmi tjera, si fëmijë më kokën e prerë të varur nga rrobat, të vrarë në infermieri, ose të vendosur në furrë, të vërtetuara si të rreme nga reporterët izraelitë. 

Arani, ka thënë se 7 tetori ishte ndryshe nga çdo gjë që organizata kishte parë më herët. Përvojat e ZAKA-s me identifikimin e viktimave para 7 tetorit kanë qenë të kufizuara, në krahasim me identifikimin e militantëve dhe viktimave, nuk ka qenë në fokus kush ka qenë viktimë e sulmit seksual, ka shtuar Arani.

Historitë e rreme përball dëshmive

Pas historive të pavërteta të shpërndara në mediat ndërkombëtare, procesi i vërtetimit të tyre është bërë qendra e diskutimeve globale. Në mediat sociale, mijëra përdorues vënë në dyshim ushtrimin e dhunës seksuale.

Ekipi i OKB-së që heton sulmet seksuale ka thënë se ka mbledhur “informacion të besueshëm që mund të jetë tregues i ushtrimit të disa formave të dhunës seksuale, duke e përfshirë gjymtimin gjenital, torturën seksuale ose trajtimin mizor, çnjerëzor dhe poshtërues”.

Kjo përfshin foto dhe video që tregojnë në minimum 20 trupa me rrobat e grisura, duke zbuluar pjesë intime të trupit dhe 10 trupa me shenja të lidhjes në duar dhe këmbë. Asnjë material dixhital nuk ka treguar dhunë seksuale, ka thënë raporti.

Hetuesit i kanë quajtur dëshmitë “të pabazuara”. Sa i përket historisë origjinale të Otmazginit, ata kanë thënë se “skena e krimit ishte ndryshuar nga një skuadër e bombave dhe trupat janë lëvizur, çka shpjegon ndarjen e trupit të vajzës nga familja e saj”.

Otmazgini u ka treguar hetuesve foto dhe video, duke i përfshirë ato të një gruaje të vdekur që kishte gjak në zonën e saj gjenitale, foto të grave me gjak afër organeve gjenitale dhe foto me siç supozohet të jenë objekte të mprehta duke dalë nga kofshët drejt zonës gjenitale.

Ndërsa kalon koha, janë duke dalë më shumë dëshmi. Një peng i liruar ka thënë se është përballur me dhunë seksuale dhe një burrë në festivalin e muzikës ka thënë se e ka dëgjuar një grua duke bërtitur teksa ishte duke u përdhunuar.

Kryeprokurori i hetimit, i Gjykatës Penale Ndërkombëtare (ICC), Karim Khan ka thënë se “ka arsye të fortë për të besuar se pengjet izraelite kanë qenë duke u mbajtur në kushte johumane dhe se disa kanë qenë subjekt i dhunës seksuale, duke i përfshirë përdhunimet”.

Raporti i OKB-së ka hedhur dritë mbi çështjet që kanë kontribuar në skepticizmin mbi dhunën seksuale. Ai ka thënë se ka pasur "përpunim të kufizuar në skenën e krimit" dhe se disa prova të sulmit seksual mund të kenë humbur për shkak të "ndërhyrjes së disa vullnetarëve të trajnuar në mënyrë joadekuate".

Largimi i fokusit nga viktimat

Në debatin global të lidhur me sulmin e 7 tetorit dhe luftën që ka nisur, dhuna seksuale ka qenë pikë e veçantë e tensioneve. Disa kritikë të luftës së Izraelit kanë shtruar pyetje rreth provave, duke u bazuar në dëshmitë e rreme. 

Faqja oct7factcheck.com, që thotë se qëllimi i saj është ta luftojë “propagandën”, shpesh i ka sfiduar raportimet e mediave kryesore sa i përket dhunës seksuale. Faqja, e drejtuar nga mbështetës të të drejtave palestineze, ka supozuar se anëtarët e ZAKA-s qëndrojnë “pas shumë prej fabrikimeve të 7 tetorit”. 

Tariq Kenney-Shawa, polic amerikan në Al-Shabaka, institut i pavarur palestinez, ka thënë se për një kohë të gjatë, të ashtuquajturat dezinformimi dhe propaganda izraelite kanë nxitur skepticizëm global. Dëshmitë e tyre kanë kontribuar në ekzagjerimin e tmerreve të kryera nga Hamasi dhe dehumanizimin e palestinezëve, ndërsa ushtria e vet vazhdon ofensivën vdekjeprurëse, ka shtuar ai.

“Skepticizmi i të gjitha pretendimeve të bëra nga ushtria izraelite, ushtri që po hetohet për gjenocid në Hagë, jo vetëm që janë të justifikuara, por duhet të inkurajohen”, ka thënë ai. “Kjo është arsyeja pse palestinezët dhe pjesa më e madhe e komunitetit ndërkombëtar, po kërkojnë shqyrtim të plotë.”
Dahlia Scheindlini, komentuese e çështjeve izraelite, ka thënë se ata që i nënvlerësojnë mizoritë e kryera nga Hamasi, i kanë shfrytëzuar historitë e ZAKA-s si "municion" për të supozuar se Izraeli fabrikon, ose se 7 tetori nuk ishte aq i tmerrshëm, në vend që të shqyrtohen të gjitha dëshmitë e disponueshme si prova për ta ndërtuar pamje të asaj që ka ndodhur.

Në të njëjtën kohë, çdo dëshmi e rreme, edhe nëse prodhohet pa keqdashje, largon fokusin nga viktimat, ka thënë ajo. “Çdo grimcë mosinformimi, dezinformimi është jashtëzakonisht shkatërruese.”