Dy punonjës të “Delta Air Lines” kanë vdekur dhe një tjetër është lënduar rëndë si pasojë e një incidenti në një objekt të mirëmbajtjes së linjës ajrore në Atlanta.
Punëtorët po servisonin një aeroplan të kompanisë në Aeroportin Ndërkombëtar “Hartsfield-Jackson Atlanta” të martën, sipas raporteve të mediave.
Nuk është e qartë se si dhe pse ka ndodhur ngjarja, raporton BBC.
Viktimat nuk janë identifikuar. Një nga të vdekurit ishte një punonjës i Delta-s dhe tjetri ishte kontraktor, raportojnë mediat lokale.
Administrata Federale e Aviacionit ka thënë se është "në dijeni të ngjarjes dhe është në komunikim me linjën ajrore".
Shoqata Ndërkombëtare e Makinistëve dhe Punëtorëve të Hapësirës Ajrore, një sindikatë që përfaqëson shumë punëtorë të industrisë ajrore, bëri thirrje për një hetim mbi vdekjet.
Zyrtarët e aeroportit e quajtën atë një "incident tragjik".
Avioni mbërriti në Atlanta nga Las Vegas të dielën, sipas të dhënave të fluturimit në internet.
Incidenti nuk duket se ka ndikuar në trafikun ajror në aeroport të martën.
Delta e ka selinë në Atlanta. Aeroporti Hartsfield-Jackson është më i ngarkuari në botë për sa i përket numrit të pasagjerëve.