Dy kandidatë në zgjedhjet presidenciale të Iranit janë tërhequr nga gara, dy ditë para se të nisin votimet në zgjedhje për të zëvendësuar presidentin që ka vdekur në një aksident me helikopter në ma , Ebrahim Raisi.
Amirhossein Ghazizadeh Hashemi, 53 vjeç, ka anuluar kandidimin e tij dhe ka kërkuar edhe nga kandidatët e tjerë “që të veprojnë njëjtë” në mënyrë që fronti i revolucionit të forcohej, ka bërë të ditur agjencia iraniane e lajmeve IRNA të mërkurën, raporton AP.
Ghazizadeh Hashemi shërbeu si një nga nënkryetarët e Raisit dhe si kryetar i Fondacionit për Çështjet e Dëshmorëve dhe Veteranëve. Ai kandidoi në zgjedhjet presidenciale të 2021 dhe mori rreth 1 milion vota, duke u renditur në vendin e fundit.
Të enjten, kryebashkiaku i Teheranit, Alireza Zakani, u tërhoq gjithashtu, siç bëri më parë në zgjedhjet e vitit 2021, në të cilat Raisi mori detyrën.
Zakani ka thënë se ai u tërhoq për të "bllokuar formimin e një administrate të tretë" të ish-presidentit Hassan Rouhani, duke iu referuar kandidatit reformist Masoud Pezeshkian. Pezeshkian kandidon me mbështetjen e ish-ministrit të Jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif, i cili nën Rouhani arriti marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 me fuqitë botërore.
Tërheqje të tilla janë të zakonshme në orët e fundit të zgjedhjeve presidenciale iraniane, veçanërisht në 24 orët e fundit përpara mbajtjes së votimit, kur fushatat hyjnë në heshtje zgjedhore.
Qendrat e votimit do të hapen të premten.