Botë

Dy gra të huaja mbyllin një foshnje brenda kabinës së tualetit në një aeroplan në Kinë

Ilustrim

Ilustrim

Një incident në të cilin dy gra mbyllën një foshnjë që qante në një tualet avioni, ka ndezur një debat në internet në Kinë se si të menaxhohen fëmijët në hapësirat publike.

Incidenti u bë viral në internetin kinez pasi një nga dy gratë, Gou Tingting, postoi një video të saj duke mbajtur vajzën e vogël brenda kabinës së tualetit, raporton BBC.

Në postimin e saj, ajo e prezantoi veten sikur po përpiqej të ndihmonte të tjerët në bord, por ndaj saj shpërthyen menjëherë reagimet.

Linja ajrore më vonë tha se gjyshja e vajzës u kishte dhënë leje dy grave për ta "edukuar" foshnjën.

Incidenti ndodhi më 24 gusht, në një fluturim të “Juneyao Airlines” nga qyteti jugperëndimor i Guiyang për në Shangai.

Vogëlushja, e cila po udhëtonte me gjyshen, kishte filluar të qante gjatë fluturimit.

Linja ajrore tha në një deklaratë dy ditë pas incidentit se gjyshja e vajzës kishte pranuar që dy gra ta çonin vajzën në tualet.

Një video e postuar nga Gou në mediat sociale kineze thuhet se tregon gruan tjetër duke i thënë vajzës se mund të largohej nga kabina e tualitetit vetëm nëse ajo ndalonte së qari.

Raportet e mediave lokale thonë se ajo ishte një vjeçe, megjithëse linja ajrore nuk e ka dhënë këtë detaj.

Menjëherë pasi ajo postoi videon, reagimet ishin të shpejta, pasi shumë njerëz kritikuan Goun për mungesën e ndjeshmërisë dhe "ngacmimit" të fëmijës.

Duke iu përgjigjur kritikave, Gou shpjegoi se disa pasagjerë ishin zhvendosur në pjesën e pasme të avionit për t'i shpëtuar zhurmës, ndërsa të tjerët kishin futur letra në veshët e tyre.