Çmimi "Nobel" i këtij viti për mjekësi i është dhënë Victor Ambros dhe Gary Ruvkun për punën e tyre në zbulimin e mikroARN-së, një parim themelor që përcakton se si rregullohet aktiviteti i gjeneve.
Komiteti i Çmimit Nobel njoftoi të hënën në Suedi nderimin prestigjioz, që shihet si kulmi i arritjeve shkencore, raporton CNN.
Ai vlerësoi "zbulimin novator" të biologëve amerikanë, për të cilin komiteti tha se "zbuloi një dimension krejtësisht të ri të rregullimit të gjeneve".
Ambros, një profesor i shkencave natyrore në Shkollën Mjekësore të Universitetit të Masaçusets, kreu studimin që i dha atij çmimin në Universitetin e Harvardit. Ruvkun kreu kërkimin e tij në Spitalin e Përgjithshëm të Massachusetts dhe është profesor i gjenetikës në Shkollën Mjekësore të Harvardit.
Në punën e tyre të hershme, dyshja studiuan përbërjen gjenetike të një krimbi të vogël të rrumbullakët 1 milimetër të gjatë, C. elegans.
Pavarësisht nga madhësia e tij e vogël, ky krimb posedon shumë lloje të specializuara qelizash, të tilla si qelizat nervore dhe muskulore, të cilat gjenden gjithashtu te kafshët më të mëdha dhe më komplekse, duke e bërë atë një model të dobishëm për të hetuar se si indet zhvillohen dhe piqen në organizmat shumëqelizorë.
Vitin e kaluar, çmimi iu dha Katalin Karikó dhe Drew Weissman për punën e tyre në vaksinat MRNA, një mjet vendimtar në frenimin e përhapjes së Covid-19.
Çmimi mbart para në vlerë prej 1 milion dollar.