Botë

Dy adoleshentë francezë akuzohen për përdhunimin e një 12-vjeçareje, të motivuar nga antisemitizmi

Policia franceze

Policia franceze

Foto: Associated Press

Dy djem adoleshentë në periferi të Parisit po akuzohen për përdhunim të një vajze 12-vjeçare dhe dhunë të motivuar nga feja, thanë autoritetet franceze të mërkurën. Një udhëheqës hebre ka thënë se vajza është hebreje.

Sulmi shkaktoi tronditje dhe shqetësim të gjerë, veçanërisht pas një rritje të akteve antisemitike në Francë që nga fillimi i luftës Izrael-Hamas, raporton AP.

Vajza raportoi përdhunimin në qytetin Courbevoie të shtunën dhe tre djem, të moshës 12 dhe 13 vjeç, u arrestuan, sipas zyrës së prokurorit rajonal.

Zyra e prokurorit nuk e përcaktoi fenë e vajzës apo nuk e publikoi identitetin e saj, sipas politikave për mbrojtjen e viktimave, siç është praktika standarde për krimet e urrejtjes në Francë.

Më vonë, avokati dhe udhëheqësi hebre, Elie Korchia ka thënë në një intervistë me transmetuesin francez BFM se vajza është hebreje dhe se Palestina u përmend gjatë sulmit. 

Kryeministri francez, Gabriel Attal shkroi në X se vajza ishte "përdhunuar sepse ishte hebreje", duke e identifikuar atë si një sulm antisemitik.

Edhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron, u ka kërkuar të mërkurën shkollave të mbajnë “një orë diskutimit” për racizmin dhe antisemitizmin këtë javë, pas përdhunimit të vajzës.