Dy adoleshente janë dënuar për një seri sulmesh antisemitike në Londër, përfshirë një sulm që la një grua pa vetëdije.
14 dhe 15-vjeçarja shënjestruan pjesëtarë të komunitetit hebre në katër incidente përgjatë një gjysmë orë në dhjetor 2023.
Prokurorët kanë thënë se ato janë paraqitur të mërkurën në gjykatë dhe u është dhënë urdhër rehabilitimi për 18 muaj, raportoi Guardian.
Ato po ashtu janë të detyruara të mbajnë hallka elektronike në këmbë për tre muaj.
Siç është thënë në gjykatë, në incidentin e parë adoleshentet i kërkuan para një gruaje. Njëra tentoi ta godiste viktimën por nuk mundi dhe gruaja iku. Dhjetë minuta më vonë i kërkuan para një 12-vjeçareje, por e lanë të ikte pasi ajo nuk kishte para.
Brenda pesë minutash, ato filluan ta ngacmonin një grup prej katër vajzash duke i ofenduar dhe duke u kërkuar para.
Në incidentin e fundit, që ndodhi gjysmë ore pas të parit, vajzat sulmuan një grua. Ato iu afruan dhe i kërkuan para. Kur gruaja u përpoq të ikte, ajo u godit nga pas. Më pas e goditën disa herë deri kur ajo e humbi vetëdijen.
Vajzat u shpallën fajtore për tentim vjedhje, sulm me motiv fetar dhe lëndim trupor. Prokurorët thanë se dy adoleshentet i shënjestruar viktimat sepse ishin hebre.