Botë

Dronët rusë shënjestrojnë civilë, thonë dëshmitë

Dronet

Pamje të shënjestrimit të civilëve

Pak para mesditës së një dite, Serhiy Dobrovolsky, një tregtar harduerësh, u kthye në shtëpinë e tij në Kherson në Ukrainën jugore. Ai hyri në oborrin e tij, ndezi një cigare dhe po bisedonte me fqinjin e tij. Papritur, ata dëgjuan zhurmën e një droni që lëvizte sipër.

Angela, gruaja 32-vjeçare e Serhiy-t, thotë se e pa burrin e saj të vraponte në përpjekje për t’u fshehur ndërsa droni hodhi një granatë. 

"Ai vdiq para se të vinte ambulanca. Më thanë se ishte shumë i pafat, sepse një copëz ia shpoi zemrën", thotë ajo me dhimbje.

Serhiy është një nga 30 civilët e vrarë nga një rritje e papritur e sulmeve me dronë rusë në Kherson që nga 1 korriku, ka thënë administrata ushtarake e qytetit për BBC-në. Ata kanë regjistruar më shumë se 5,000 sulme me dronë gjatë së njëjtës periudhë, me më shumë se 400 civilë të plagosur.

Dronët kanë ndryshuar luftën në Ukrainë, pasi si Ukraina ashtu edhe Rusia i përdorin ato kundër objektivave ushtarake.

Por BBC ka dëgjuar dëshmi të dëshmitarëve okularë dhe ka parë prova të besueshme që thonë se Rusia po përdor dronë gjithashtu kundër civilëve në qytetin e vijës së parë të Khersonit.

“Ata mund të shohin se kë po vrasin. Kështu duan të luftojnë, thjesht duke bombarduar njerëzit që ecin në rrugë?”, thotë Angela.

Nëse zbulohet se Rusia synon qëllimisht civilët, do të ishte një krim lufte. Mirëpo, që nga pushtimi i saj në shkallë të plotë në shkurt të vitit 2022, Rusia ka mohuar vazhdimisht se ka shënjestruar civilët.

Dëshmitë e sulmeve të dukshme me dronë ndaj civilëve mund të shihen në video të shumta të shpërndara në mediat sociale ukrainase dhe ruse, gjashtë prej të cilave u verifikuan nga BBC.

Në çdo video, shihet përmes kamerës së operatorit në distancë teksa ata gjurmojnë lëvizjet e një këmbësori ose shoferi me veshje civile, shpesh duke hedhur granata të cilat ndonjëherë plagosin rëndë ose vrasin objektivin e tyre.

Administrata ushtarake e Khersonit i tha BBC-së se Rusia ka ndryshuar llojin e dronit që po përdor dhe sistemet elektronike të qytetit nuk mund të kapin më shumicën e tyre.

“Ndiheni sikur jeni duke u gjuajtur vazhdimisht, sikur dikush po ju shikon gjithmonë dhe mund të lëshojë eksploziv në çdo moment. Është gjëja më e keqe”, thotë Kristina Synia, e cila punon në një qendër ndihme vetëm 1 km nga lumi Dnipro.

“Për të mbërritur në qendër pa u ndjekur nga dronët, ne vozisim me shpejtësi të madhe, vendosemi nën pemë gjatë parkimit dhe më pas nisemi me shpejtësi për të hyrë brenda”, ahton ajo.
Trauma është e dukshme në fytyrat e banorëve të cilët kanë dalë me guxim nga shtëpitë e tyre vetëm për t’u furnizuar me ushqim. 

"Jemi në një situatë të tmerrshme. Kur dalim, lëvizim nga një pemë në tjetrën, duke u mbuluar. Çdo ditë ata sulmojnë autobusët publikë, çdo ditë hedhin bomba mbi ne duke përdorur dronë”, thotë Valentyna Mykolaivna. 

Olena Krychun thotë se ajo shpëtoi për pak nga një goditje me dron mbi veturën e saj. Pak minuta para se ajo të kthehej në veturën e saj pasi vizitoi një mik, një bombë ra në çatinë mbi ulësen e shoferit, duke këputur njërën anë të automjetit dhe duke e lënë atë një mbeturinë prej metali, plastike dhe xhami.
“Nëse do të isha në veturën time, do të kisha vdekur. A dukem si një ushtarake, a duket vetura ime si një makinë ushtarake?”, pyet ajo. 

Ajo punon si pastruese dhe vetura ishte thelbësore për punën e saj. Tani ajo nuk ka para për ta rregulluar atë.

Olena thotë se dronët janë më të tmerrshëm sesa granatimet. 

Ben Dusing, i cili drejton qendrën e ndihmës, thotë se dronët përhapin më shumë frikë sesa granatimet.

“Nëse një dron vihet mbi ju, e vërteta është se ndoshta ‘loja ka përfunduar’ në atë moment. Nuk ka asnjë mbrojtje kundër tij”, thotë ai.

Në muajt e fundit, thotë Oleksandr Prokudin, zëdhënës i administratës ushtarake të Khersonit, ushtria ruse gjithashtu ka filluar të përdorë dronë për të hedhur mina në distancë përgjatë rrugëve të këmbësorëve, veturave dhe autobusëve.

Ai tha se shpërthimet janë shkaktuar nga mina në formë fluture, që janë mina të vogla që mund të rrëshqasin në tokë dhe të shpërthejnë më vonë gjatë kontaktit, e të cilat janë të veshura me gjethe për t'i kamufluar ato.

Ndërkaq Olena thotë se me afrimin e dimrit, frika nga dronët do të përkeqësohet. 

“Kur gjethet të bien nga pemët, do të ketë shumë viktima. Sepse nëse je në rrugë, nuk ka ku të fshihesh”, është shprehur ajo.