Botë

Dramat turke rrëzojnë telenovelat latine duke arritur kulmin e shikueshmërisë

drama turke

Popullariteti global i dramave turke e ka vënë Turqinë në pozicionin e një eksportuesi udhëheqës të televizionit, duke e ngritur imazhin e vendit dhe duke tërhequr miliona shikues e turistë në zonat historike dhe kulturore të saj të cilat janë prapaskena të shumë prej serialave.

Suksesi i shfaqjeve televizive bëri që industria të rritej me miliarda dhe vazhdon të zgjerohet edhe më tej, thonë ekspertët.

Në mes të viteve 2020 dhe 2023, kërkesa në botë për serialat turk u rrit me 184% duke e pozicionuar Turqinë si një prej eksportuesve më të mëdhenj të shfaqjeve televizive në botë, sipas kompanisë “Parrot Analytics”.

“Arrijmë mbi 400 milionë shikues çdo natë nëpër botë”, ka thënë Izzet Pinto, drejtues i agjencisë “Global”, që eksporton drama turke në tregjet e botës.

Edhe pse “Deli Yurek” ishte seriali i parë turk që u shfaq në Kazakistan më 2001 – ishte seriali “Gumush” që i kaloi seritë turke në famë botërore. Ai u bë jashtëzakonisht i famshëm në Lindjen e Mesme.

“Një mijë e një netë”, një dramë e vitit 2006 e pushtoi Ballkanin. “Shekulli i Madhërishëm”, bazuar në sulltan Sylejmanin të Perandorisë Osmane i hapi rrugë shfaqjeve historike.

Një herë importuese e telenovelave latino-amerikane, Turqia tani eksporton dramat e veta.

Pinto e vë theksin te natyra e orientuar te familja e dramave turke, që sipas tij i bënë aq të shikueshme.

“Nuk ka lakuriqësi, nuk ka fjalë të pista, nuk ka urrejtje. Kështu që kjo bëhet e shikueshme për familjen”.

“Ringjallja: Ertugrul” ishte seriali i katërt më i kërkuar në botë në maj 2020, me kërkesa mbi 68 herë më shumë se një shfaqje mesatare në botë, sipas “Parrot Analytics”.