Botë

Donatorët e demokratëve kërkojnë zëvendësimin e Bidenit në garën për president

Joe Biden

Presidenti amerikan, Joe Biden është duke u përballur me presion nga disa donatorë të mëdhenj demokratë, në vazhdën e kritikave mbi fushatën e tij zgjedhore, raporton “BBC”.

Pas performancës së Bidenit në debatin e javës së kaluar, të cilësuar si shumë të dobët, një sërë donatorësh kanë paralajmëruar publikisht ndaljen e fondeve, nëse ai nuk zëvendësohet si kandidat i Partisë Demokratike.

Në mesin e donatorëve të cilët kanë kërkuar zëvendësimin e Bidenit, janë udhëheqës të kompanive të mëdha si ajo “Disney”, producentë e agjentë të Hollywood-it, e sipërmarrës të tjerë. 

Disa donatorë të tjerë të mëdhenj nuk kanë kërcënuar me ndaljen e fondeve, por në mënyrë të vazhdueshme kanë ushtruar presion publik mbi presidentin që të tërhiqet nga gara. 

Reed Hastings, bashkëthemelues i platformës “Netflix” dhe një nga donatorët më të mëdhenj të Partisë Demokratike, ka thënë për mediat amerikane se Bideni duhet të largohet në mënyrë që të lejojë një lider të fuqishëm demokrat ta mundë Trumpin. 

Ekipi i presidentit dhe vetë ai kanë pranuar se Bideni ka pasur debat të vështirë me Trumpin, por kanë thënë se janë gati që t’i tregojnë publikut se kanë qëndrueshmëri për fushatën.

Vetë Bideni ka thënë se nuk do të tërhiqet nga gara. 

Të premten, presidenti Joe Biden, planifikon që të zhvillojë një intervistë televizive, për herë të parë pas debatit, siç thuhet, për të shuar shqetësimet mbi moshën dhe aftësitë e tij si udhëheqës.  

Zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të mbahen më 5 nëntor.