Djali më i madh i presidentit amerikan Donald Trump, ka vizituar Beogradin, vendin e një projekti të një hoteli ndërkombëtar, dhe ka shtyrë mbrapa thirrjet për dorëheqjen e presidentit serb.
Protestat kundër presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq kanë qenë duke u rritur në intensitet dhe madhësi kur këtë muaj një mysafir i pazakontë u shfaq në Beograd për ta takuar presidentin serb. Ishte Donald Trump Jr. djali i madh i presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.
Vizita e shpejtë e Trump Jr., që përfshiu edhe një takim me Vuçiqin për të biseduar rreth ndihmës së huaj nga SHBA-ja në Serbi, erdhi pasi familja e Trumpit dhe Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan, po ecnin para me planet për të ndërtuar një hotel ndërkombëtar Trump në Beograd, prona e parë e tillë në Evropë.
Hoteli planifikohet të ndërtohet në vendin ku dikur ishte selia e Ministrisë së Mbrojtjes e Jugosllavisë, e cila ishte bombarduar nga NATO-ja 26 vjet më parë. Tash është pronë e qeverisë serbe. Liderët e opozitës në Serbi kanë kritikuar marrëveshjen dhe kanë bërë thirrje për anulimin e saj, duke rritur gjasat që marrëveshja mund të bjerë në rast se ndryshohet pushteti.
Trump Jr ka shfrytëzuar vizitën si një mundësi për të shprehur mbështetjen e tij për Vuçiqin – udhëtim që ndoshta ofroi përzierjen më të hapur, në mandatin e dytë të presidentit Trump, të politikës së jashtme të SHBA-së me interesat financiare të familjes Trump.
Të mërkurën, Parlamenti serb ka pranuar dorëheqjen e kryeministrit duke larguar partinë qeverisëse dhe duke detyruar Vuçiqin të formojë një qeveri të re apo të mbajë zgjedhje të reja më vonë gjatë vitit, duke krijuar më shumë pasiguri atje.
Një zëdhënës i Donald Trump Jr, ka mohuar çdo sugjerim se vizita e tij ka krijuar një konflikt interesi. Ai tha se udhëtimi është organizuar si pjesë e një plani për të intervistuar Vuçiqin për podcastin e Trumpit, jo për të ndërhyrë në çështjet e marrëdhënieve ndërkombëtare apo marrëveshjen e patundshmërisë.
“Don moderon podcastin më të madh politik në botë dhe ai ishte në Serbi vetëm si moderator i podcastit për një intervistë. Ai ishte brenda dhe jashtë vendi më pak se tetë orë dhe nuk ka pasur bisedime me askënd në lidhje me organizatën Trump”, ka deklaruar Andy Surabian, zëdhënësi Trump Jr.
Vizita, sipas dy individëve që janë informuar rreth planit, është aranzhuar nga Brad Parscale, ish-menaxher i fushatës së presidentit Trump.
Parscale, një drejtues në një kompani konservatore të podcasteve dhe transmetimit të radios, gjithashtu themeloi një firmë konsulence për fushata politike. Ai kishte propozuar të jepte këshilla për Vuçiqin gjatë fushatës së tij për rizgjedhje në vitin 2022, por ka pohuar se nuk u angazhua.
Vuçiq tani po përballet me një nga testet më të mëdha në afër tetë vjetët e tij si president. Protestat kundër administratës së tij filluan në nëntor pas shembjes së një strukture betoni në një stacion hekurudhor si shkak i së cilës humbën jetën 15 persona, një aksident që protestuesit e fajësuan pjesërisht korrupsionin qeveritar.
Vizita e javës së kaluar nga Trumpi ka sjellë një pauzë të shkurtër në këto probleme dhe menjëherë u bë lajm kombëtar në Serbi, me Vuçiqin dhe këshilltarët e tij më të lartë duke e quajtur si shenjë që administrata e Trumpit mbështet Vuçiqin, pavarësisht protestave në rrugët e kryeqytetit serb.
“Një bisedë miqësore me Donald Trump Jr., djalin e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, mbi marrëdhëniet bilaterale mes Serbisë dhe SHBA-së dhe temat aktuale që formojnë skenën politike dhe ekonomike globale,” ka shkruar Vuçiqi në një postim në rrjetet sociale pas takimit.
Marko Gjuriq, ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, tha në një intervistë në televizion pas vizitës së Trump Jr se prezenca e djalit të presidentit Trump “ofron një momentum për një fillim të shkëlqyeshëm të marrëdhënieve me administratën e re”.
Të tjerët në vend kanë një qasje më ndryshe.
“Djali i presidentit Trump është këtu duke u munduar t’i japë Vuçiqit një dorë ndihme. Është qartësisht konflikt interesi, derisa Vuçiqi po e mban pushtetin dhe Trumpët duan ta mbajnë gjallë marrëveshjen e tyre për patundshmëri”, ka deklaruar Dragan Joniq, anëtar i opozitës në Parlamentin e Serbisë.
Qeveria e Vuçiqit ka nënshkruar një marrëveshje majin e kaluar me Affinity Global Development, një kompani e themeluar nga Kushner. Kompania planifikon të investojë 500 milionë dollarë për të ndërtuar një “Hotel Trump” me 175 dhoma me 1,500 apartamente luksoze dhe shërbime tjera në vendin e ish-Ministrisë së Mbrojtjes në Beograd.
“Jemi të ngazëllyer për të zgjeruar praninë tonë në Evropë”, ka deklaruar në janar Eric Trump, njëri prej djemve të presidentit Trump, kur përfshirja e një Trump International Hotel në projekt u njoftua publikisht për herë të parë. Eric Trump është anëtari kryesor i familjes që drejton kompaninë e patundshmërive.
Por Donald Trump Jr. është gjithashtu nënkryetar ekzekutiv në Trump Organization, e cila menaxhon hotelet, fushat e golfit dhe pasuritë e tjera të familjes, dhe po ndihmon me planifikimin për projektin e hotelit në Serbi.
Dy individë të cilët ishin informuar mbi udhëtimin e Donald Trump Jr., por që folën me kushte anonimiteti sepse nuk kishin autorizimin për ta diskutuar publikisht, deklaruan se Trump Jr. nuk u pagua për udhëtimin. Por fluturimi i tij dhe ai i të dashurës së tij, Bettina Anderson, u paguan nga Parscale, i cili ka një partner biznesi me seli në Serbi. Parscale refuzoi të komentonte ose të zbulonte emrin e partnerit të tij biznesor në Serbi.
Virginia Canter, një ish-këshilltare për etikën në Fondin Monetar Ndërkombëtar, ka deklaruar se takimi i Donald Trump Jr. me presidentin serb u ngjante veprimeve të Hunter Bidenit, i cili u akuzua nga Republikanët se po shfrytëzonte pushtetin e të atit, Joe Biden – atëbotë si zëvendëspresident – për të realizuar marrëveshje fitimprurëse biznesi jashtë shtetit.
“Është një lloj hipokrizie e papërshkrueshme që ata ishin të shqetësuar për punën e jashtme të Hunter Biden”, ka thënë Canter, e cila gjithashtu ka shërbyer si juriste në Shtëpinë e Bardhë gjatë kohës së Clintonëve dhe tani punon në një grup jofitimprurës të quajtur State Democracy Defenders Action, i cili ka qenë kritik ndaj Trumpit.
Sipas Canter, konflikti i interesit në rastin e Donald Trump Jr. është më i eksplicit.
“Don Jr., si përfaqësues i të atit, po përdor postin publik të presidentit të Shteteve të Bashkuara për të ndihmuar presidentin e Serbisë të mbetet në detyrë — duke avancuar interesat financiare personale të familjes Trump, është joetike. Është ofenduese,” ka shtuar Canter.
Për momentin mbetet e paqartë se sa ka ndihmuar prezenca e Trump Jr në Serbi Vuçiqin.
Disa ditë pas vizitës, rrugët e qendrës së Beogradit ishin të mbushura me më shumë se 100,000 protestues për atë që organizatorët e quajtën si një nga protestat më të mëdha në historinë e vendit.
Qeveria e Vuçiqit i ofroi familjes Trump një marrëveshje vitin e kaluar, kur presidenti Trump po kandidonte për rizgjedhje, për të fituar qasje në një zonë zhvillimi të patundshmërive në qendër të Beogradit.
Qeveria po e jep këtë zonë me qira me partneritetin e pronave të paluajtshme të Kushnerit për 99 vjet, sipas zyrtarëve serbë. Affinity Global Development, dega e Kushnerit, në këmbim ka rënë dakord të ndërtojë hotelin dhe apartamentet luksoze në partneritet me Mohamed Alabbar, drejtues biznesi nga Emiratet e Bashkuara Arabe.
Donald J. Trump, para se të zgjidhej për herë të parë president dhe ndërkohë që ende drejtonte biznesin e pronave të paluajtshme të familjes, e kishte konsideruar për herë të parë të ndërtonte një hotel në këtë vend konkret në vitin 2013 dhe bashkëpunëtorë të Trump Organization udhëtuan në Beograd për ta inspektuar lokacionin. Projekti nuk u realizua para zgjedhjes së Trumpit në vitin 2016, por Kushneri e ringjalli atë vitin e kaluar ndërkohë që Trumpi po kandidonte përsëri për postin e presidentit.
Projekti i hotelit kishte shkaktuar protesta më të vogla në Beograd edhe para se të ndodhte shembja fatale e strehës së stacionit hekurudhor në Novi-Sad në fund të vitit të kaluar.
Liderët e opozitës, si Joniq, argumentuan se vendi i ish-Ministrisë së Mbrojtjes ishte simbolik sepse ishte sulmuar nga forcat e NATO-s të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara në vitin 1999 dhe se nuk duhej t’i dorëzohej biznesmenëve amerikanë të pronave të paluajtshme që kërkonin përfitime, kanë deklaruar liderët e opozitës.
“A mund ta imagjinoni një president amerikan, çdo president, që t’i dhurojë West Pointin një kompanie të huaj, vetëm për ta shkatërruar dhe ndërtuar një hotel?” - ka pyetur Aleksandar Jovanoviq, anëtar i Parlamentit të Serbisë, vitin e kaluar kur po negociohej marrëveshja, duke iu referuar Akademisë Ushtarake të SHBA-së.
“Njeriu do të duhet të ketë imagjinatë shumë të zhvilluar për ta imagjinuar këtë. Fatkeqësisht, ajo që është e pamundshme në Amerikë është realitet tronditës në Serbi,” pati deklaruar ai atëherë.
Donald Trump Jr. iu tregua planimetria e qendrës së Beogradit nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vu Aleksandar Vuçiq. Ai po ashtu bëri një intervistë me Vuçiqin që zgjati pothuajse një orë, e cila u transmetua ditët e fundit në podcastin e Trumpit, “Triggered”.
Gjatë bisedës, Trumpi e krahasoi protestën në Beograd si përgjigje të shembjes së strehës së stacionit hekurudhor në nëntor, me kritikat ndaj sulmit të 6 janarit 2021, nga mbështetësit e Donald Trump në Capitol në Washington.
“Ajo më pas u përdor si armë, siç ishte 6 janari, i cili u shndërrua në diçka që nuk ishte, për të nxitur potencialisht një revolucion”, deklaroi Trump Jr. gjatë intervistës, duke vazhduar me teoritë e ngritura nga aleatët e Trumpit lidhur me ngjarjet në Washington
Trumpi dhe Vuçiqi gjithashtu kanë folur për Rusinë dhe luftën në Ukrainë, si dhe për punën e Vuçiqit me presidentin Trump gjatë mandatit të tij të parë.
Të dy ata pohuan veç e veç se fondet nga Agjencia e SHBA-së për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), të cilat administrata Trump i ka ristrukturuar gjatë dy muajve të fundit, ishin përdorur në mënyrë të papërshtatshme nga disa organizata joqeveritare në Serbi, për të luajtur një rol në protestat, megjithëse asnjëri nuk ofroi prova për këtë akuzë.
Përkrahja e dukshme e familjes Trump për Vuçiqin është shumë e vlerësuar, theksoi presidenti serb, duke shtuar se ai beson se kjo është pjesë e arsyeve se pse presidenti Trump është kaq popullor në Serbi.
“Ky ishte vendi ku Trumpi ka pasur popullaritetin më të madh në të gjithë Evropën, pa asnjë dyshim. Nuk po e lavdëroj atë, dhe as nuk po ju lavdëroj juve. Po them atë që mendojnë njerëzit këtu”, ka deklaruar Vuçiqi.