Si presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ashtu edhe miliarderi Elon Musk janë adhurues të kriptovalutave dhe Departamenti i sapokrijuar amerikan për Efiçiencë Qeveritare – shkurt Doge – është referencë për këtë, shkruan BBC.
Menjëherë pas njoftimit se Musku do ta drejtojë këtë Departament, ai konfirmoi në “X” se shkurtesa “Doge” nuk ishte rastësi dhe ideja erdhi nga një shaka që e bëri në fillim të këtij viti në platformën e tij sociale.
Shkurtesa përdoret gjithashtu nga Dogecoin, një kriptomonedhë e krijuar në vitin 2013 nga dy zhvillues softuerësh - Billy Markus nga Oregoni dhe Jackson Palmeri nga Sydney.
Kriptomonedha e mori emrin pas një ‘meme’ në internet, e cila përmban një qen Shiba Inu të quajtur “Doge”.
Në vitin 2021, Musku e quajti Dogecoinin si “kripto të njerëve” – çka rriti vlerën e saj.
Shefi i Teslas u padit pasi u akuzua se me qëllim u përpoq ta rriste çmimin e kësaj kriptomonedhe për të fituar para, megjithëse avokatët e tij rrëzuan padinë në fillim të këtij viti.
Çmimi i Dogecoinit shpesh rritet kur Musku e përmend publikisht - megjithëse nuk ka pasur lëvizje domethënëse që kur Trumpi njoftoi pozitën e re të miliarderit.