Botë

Do të mbyllet tuneli i fshehtë në kufirin SHBA - Meksikë

Tuneli Meksikë SHBA

Një tunel i fshehtë i përdorur ndër të tjera për të kontrabanduar migrantë nga Meksika në SHBA do të mbyllet, kanë thënë zyrtarët kufitarë meksikanë, raporton “BBC”.

I shtrirë mes Ciudad Juarezit në Meksikë dhe El Pasos në Teksas të SHBA-së, tuneli 300 metra ishte hapur në një sistem kanalizimesh dhe u zbulua vetëm javën e kaluar, ndonëse autoritetet vlerësojnë se është dashur afro një vit për t’u ndërtuar.

Autoritetet po e hetojnë tash nëse zyrtarët lokalë ishin në dijeni të ndërtimit të tunelit.

Siguria është rritur në të dy anët e kufirit përpara inaugurimit të Donald Trumpit si president i SHBA-së të hënën. Trump ishte zotuar se do të nisë dëbimet masive të imigrantëve të paligjshëm sapo ta marrë detyrën.

Tuneli ishte përforcuar me trarë druri për t’i parandaluar shembjet dhe ishte pajisur me ndriçim dhe ajrosje.

Sipas komandantit të garnizonit ushtarak të Ciudad Juarezit, gjeneralit Jose Lemus, për t’u ndërtuar një strukturë e tillë duhen një apo dy vjet.

Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Meksikës do të hetojë nëse zyrtarët lokalë kanë qenë bashkëpunëtorë në ndërtimin e tunelit, tha Lemus.

Tuneli u zbulua më 10 janar, pasi agjentët e patrullës kufitare të SHBA-së hoqën një pllakë metalike që mbulonte vrimën e hyrjes në tunel dhe më pas njoftuan homologët meksikanë për ekzistencën.