Grusht shtet

Djegie e prerje kokash, terrori i juntës ndaj popullit në Birmani

Birmania - Junta - lufta

Foto: CNN

Që kur në vitin 2021 ushtria në Birmani mori pushtetin me forcë, ndaj saj ka nisur një rezistencë e armatosur së cilës i janë bashkuar shumë vendës. Si kundërpërgjigje ndaj rezistencës, ushtria e mbështetur nga milicia është duke ushtruar forma brutale të terrorit ndaj atyre që u bashkohen grupeve të rezistencës dhe popullatës

Dy të rinj të gjakosur, me këmbë të lidhura në pemë.

“Çka është PDF (Forca e Mbrojtjes së Popullit)?” bërtasin torturuesit e tyre. “Qen”, ua kthejnë ata.
Të poshtëruar dhe çnjerëzorë, burrat e lidhur në këmbë me zinxhirë tërhiqen zvarrë nëpër tokën e vrazhdë. 

Në mesin e dhjetëra njerëzve që i shikojnë, ata lidhen në një pemë dhe u ndizet një zjarr nën këmbë. 
Teksa tymi ngrihet dhe flakët i përfshijnë, burrat përpëliten dhe bërtasin në agoni – momentet e tyre të fundit të dhimbjes së paimagjinueshme dhe të tmerrit të kapura në video.

Phoe Tay ishte 21 vjeç e Thar Htaung 20. Dy të rinjtë ishin larguar nga familjet e tyre në veriperëndim të Birmanisë për t’iu bashkuar një rezistence të armatosur vendëse pas grusht shtetit ushtarak të vitit 2021, duke shpresuar të sjellin paqe dhe demokraci në vendin e Azisë Juglindore, kanë thënë baballarët e tyre.

Sipas dëshmitarëve, ata ishin kapur gjatë një beteje me ushtrinë më 7 nëntor të vitit të kaluar dhe ishin dërguar në një fshat aty afër, ku nën mbikëqyrjen e ushtarëve të ushtrisë së Birmanisë ishin torturuar dhe vrarë nga milicia pro-juntës, grup ushtarak që sundon vendin pasi ka marrë pushtetin me forcë.

Vdekje të tmerrshme, të zakonshme

Vdekjet e tyre janë të tmerrshme, por nuk janë të pazakonshme në Birmani, ku ushtria është duke zhvilluar luftë terrori kundër civilëve, ndërsa gjen veten përballë një rezistence të armatosur kombëtare, të vendosur për ta larguar nga pushteti.

Këto sulme janë shpeshtuar që nga nisja e ofensivës së rebelëve pesë muaj më parë, e cila rezultoi me humbje të mëdha dhe dezertime për ushtrinë, kanë konfirmuar disa burime.

Duke zhvilluar taktika të terrorit, përfshirë djegie, prerje të kokave, gjymtime, djegie të fshatrave, dhe përmes fushatës së bombardimeve masive që ka zhvendosur gati tre milionë njerëz, ushtria e Birmanisë është duke u përpjekur të kontrollojë dhe të ndajë popullsinë përmes një doktrine të frikës dhe brutalitetit, kanë thënë dëshmitarët dhe analistët. 

Shefi i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, Volker Türk, e ka quajtur situatën “makth që nuk kryhet kurrë”, ku “janë duke u kryer akte brutale nga ushtarët kundër njerëzve të tyre”, në “mospërfillje rrëqethëse për jetën e njerëzve”.

Por ushtria ka përsëritur se nuk i shënjestron civilët dhe shpesh për dhunën ka akuzuar forcat e rezistencës.

Të kapur dhe të djegur për së gjalli

Grusht shteti i shefit të ushtrisë, Min Aung Hlaing, më 1 shkurt të vitit 2021 ka rrëzuar qeverinë e zgjedhur në mënyrë demokratike të partisë së Aung San Suu Kyit, Lidhja Kombëtare për Demokraci, duke e zëvendësuar atë me juntën ushtarake dhe duke çuar vendin në gjendje dhune. Suu Kyi është duke vuajtur një dëmin prej 27 vjetësh burgim pas proceseve sekrete gjyqësore. 

Kundërshtimi i gjerë i publikut ndaj marrjes së pushtetit me forcë nga ushtria dhe goditjeve të përgjakshme mbi protestuesit vetëm sa është rritur gjatë tre vjetëve të fundit dhe Lëvizja e Rezistencës së Armatosur Kombëtare, që përfshin shumë nga ushtritë e fuqishme rebele etnike të vendit, tani përbën kërcënim legjitim për juntën.

Mes maleve Chin Hills në perëndim dhe zonës së thatë të Birmanisë në lindje shtrihet Yaw Valley.
Kjo zonë ka qenë qendra e disa prej betejave më të ashpra mes ushtrisë dhe grupeve të rezistencës, të njohura si Forca e Mbrojtjes së Popullit (PDF).

Para perëndimit të diellit, më 7 nëntor, Phoe Tayi dhe Thar Htaungu ishin pjesë e tri kolonave me Forcat e Mbrojtjes së Yawit (YDF) – grup i rezistencës i formuar në fillimet e grusht shtetit – që u nisën për ta sulmuar një spital, i cili besohej se ishte duke u përdorur si depo e armëve ushtarake.
“Spitali ishte në fshatin Myauk Khin Yan, bastion pro-juntë në qytetin Gangaw në rajonin Magway”, ka thënë Yaw Lay, anëtar i YDF-së, që ka përdorur nofkën e tij të fushëbetejës. “Ushtarët ishin vendosur atje që nga viti 2022”.

Por rebelët ishin bllokuar nga kundërsulmet. Teksa grupi ishte përpjekur të tërhiqej, disa luftëtarë ishin plagosur, ndërsa të tjerët, duke përfshirë Thar Htaungun dhe Phoe Tayn, ishin ndarë nga grupi, ka thënë komandanti i grupit Ninja, që përdor gjithashtu nofkën e fushëbetejës.

“Herën e fundit që i kam parë, ata ishin të ulur poshtë rreth 50 metra larg meje”, ka thënë Ninja.
YDF-ja më vonë ka marrë një mesazh prej një informuesi nga fshati, duke thënë se dy burrat ishin kapur të gjallë dhe i kishte paralajmëruar të mos përpiqeshin t’i gjenin.

“Ne e dinim se nuk kishin shanse për t’u arratisur. Edhe pse e dinim se ata do të vriteshin, ne nuk prisnim këtë lloj çnjerëzor të vrasjes”, ka thënë Yaw Lay.

Atë mëngjes, fshatari vendës Zaw Zaw ka thënë se u zgjua nga gjumi në shtëpinë e prindërve të tij në Myauk Khin Yan nga zhurma e të shtënave të armëve.

Pas kësaj, ka thënë ai, anëtarët e milicisë pro-juntës që kontrollonin fshatin kanë trokitur në derën e tij.

“Ata lajmëruan me gëzim se një person nga çdo shtëpi duhet të dalë të shohë dy rebelët e kapur”, ka thënë Zaw Zaw, që për arsye sigurie ka kërkuar t’i përdoret pseudonimi në vend të emrit. 

“Kur arrita atje, ata i tërhoqën zvarrë me zinxhirë nga spitali, ku janë të stacionuar trupat e juntës. Pastaj i lidhën në një pemë, u hodhën benzinë sipër”, ka thënë ai. 

“Rreth 100 njerëz nga fshati janë detyruar të shohin djegien e tyre. Ata i dogjën të gjallë ... Akoma lëviznin dhe bërtisnin”, ka thënë ai.

Zaw Zaw ka thënë se Thar Htaungu dhe Phoe Tay janë lutur për t’i liruar teksa ua kanë vënë zjarrin.

Sipas tij, ekzekutuesi i tyre iu ishte përgjigjur duke iu thënë “kërkoni falje në jetën tjetër”.

Në video shihen trupat e tyre të djegur të varur me zinxhirë në degët e pemëve.

“Kalova rreth 10 ditë pa ushqim dhe gjumë pas asaj që pashë të ndodhte”, ka thënë ai.

Përgjegjësia për brutalitetin 

Junta ushtarake e Birmanisë ka mohuar përfshirjen në ekzekutimet e 7 nëntorit, duke fajësuar “mediat keqdashëse” që “kanë mashtruar shtetet e huaja dhe njerëzit”. 

Junta e ka quajtur videon “të fabrikuar”, duke akuzuar forcat e rezistencës se janë paraqitur si anëtarë të njësisë së rojave rajonale për t’i kryer vrasjet, gjë që është mohuar nga Forcat e Mbrojtjes së Yawit.

Junta ka konfirmuar se sulmi ka ndodhur atë ditë dhe se trupat e saj, të njohura si Tatmadaw, ishin të vendosura në fshat.

Në një deklaratë junta kishte thënë se “terroristët e Forcave të Mbrojtjes së Popullit ishin tërhequr me humbje të mëdha dhe asnjëri nga terroristët nuk ishte arrestuar i gjallë”.

Më 5 mars junta përsëri ka mohuar djegien e dy burrave, duke thënë se “ekzaminimi i kujdesshëm i videos ka treguar se armët e mbajtura nga dhunuesit asnjëherë nuk janë përdorur nga Tatmadawi”.
CNN-i ka gjeolokuar videon e ekzekutimit afër një peme të spitalit në Myauk Khin Yan më 7 nëntor 2023, duke treguar se incidenti ndodhi në një kohë kur regjimi kishte nën kontroll të plotë fshatin. CNN-i e ka bërë këtë përmes ekzaminimit të videos, duke e krahasuar atë me imazhe satelitore dhe video të trajnimit të milicisë në fshat.  

Disa fshatarë që kanë folur me CNN-in vazhdimisht kanë thënë se Myauk Khin Yani ka qenë bastion i milicisë që nga grusht shteti dhe se asnjë forcë e rezistencës nuk ka marrë ndonjëherë kontrollin e fshatit.

“Nuk ka arsye se pse ushtria nuk do ta bënte këtë. Dhe kjo e gjitha përputhet me aq shumë dëshmi gjatë viteve”, ka thënë Kim Jolliffe, studiues i pavarur në Birmani.

Fshati i tmerrit

Myauk Khin Yani ka qenë gjithashtu lokacioni i vrasjeve të tjera të tmerrshme, që thuhet se janë kryer nga milicia dhe ushtria e Birmanisë.

Në mars të vitit 2022 mediat kanë raportuar se një fshatar ishte lidhur me zinxhirë në qafë dhe ishte tërhequr me një automjet nëpër rrugë derisa kishte vdekur. 

“Mentaliteti i tyre është që ata do të bëhen heronj nëse e vrasin dikë në mënyrën më çnjerëzore dhe mizore të mundshme. Prerja e kokave dhe e gishtave, duke përfshirë nxjerrjen e organeve nga trupi, janë duke ndodhur atje”, ka thënë Yaw Lay. 

Milicitë e armatosura, si grupi që është duke udhëhequr Myauk Khin Yanin, janë bërë rrjet i dobishëm për ushtrinë, meqë luftojnë rezistencën. Këto grupe kanë qenë të përfshira në disa prej krimeve më të rënda kundër civilëve, kanë thënë analistët. 

Jollife ka thënë se ushtria është e përfshirë thellësisht në përgatitjen e këtyre milicive.

Të tjerat janë të formuara nga budistët nacionalistë, anëtarë të përfaqësuesit të ushtrisë “Partia e Bashkimit për Solidaritet dhe Zhvillim” (USDP) dhe veteranët e ushtrisë, kanë thënë analistët.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar dhe Kanadaja kanë vendosur sanksione ndaj disa figurave, të cilat i kanë akuzuar për ofrim të trajnimin dhe sigurimit të armëve ndaj këtyre milicive, duke përfshirë Hla Swe, ish-anëtar i USDP-së dhe ish-zyrtar ushtarak.

Disa ish-fshatarë kanë treguar se qindra njerëz ishin larguar nga fshati Myauk Khin Yan, që kur ai u bë bastion i milicisë pas fillimit të grusht shtetit dhe largimi është duke vazhduar.

Phoe Ei Thu, 17-vjeçare, ka humbur këmbën e saj prej një mine teksa ishte duke u larguar nga Myauk Khin Yani në fillim të janarit.

Jeta atje është bërë më e vështirë që nga vrasja e dy burrave, ka thënë ajo.

“Ne nuk mundnim të bënim asgjë përpos të jetonim sipas komandave të tyre ... në fillim ndihesha në depresion që humba këmbën. Por tani nuk jam më në depresion, meqë arrita të largohesha prej andej. Ndihem e lirë dhe e lumtur edhe pse kam humbur këmbën”, ka thënë ajo.

Mënyra e ndëshkimit 

Sulmet e ushtrisë kundër civilëve që nga grusht shteti i para tre vjetëve janë etiketuar si krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit nga hetuesit e OKB-së dhe nga disa organizata për të drejtat e njeriut.

Junta kurrë nuk e ka shijuar kontrollin e plotë mbi Birmaninë dhe tani është duke u ballafaquar me kërcënimin më të madh ndaj pushtetit të saj. Ajo është duke humbur territor dhe ka raportime për dezertime masive të ushtarëve. 

Që nga grusht shteti, grupi i avokimit “Shoqata e Asistencës për të Burgosurit Politikë” (AAPP) ka verifikuar 186 raste të djegies së njerëzve deri në vdekje nga ushtria ose milicia, me 82 vetëm vitin e kaluar, 12 prej të cilëve nën 18 vjet. Sipas AAPP-së, më i vogli ka qenë 5-vjeçar. Grupi gjithashtu ka dokumentuar 22 raste të prerjes së kokave. 

“Myanmar Witness”, një projekt në të cilin mblidhen dëshmi të abuzimit ushtarak, ka dokumentuar më shumë se 400 raportime për raste të trupave që janë djegur para ose pas ekzekutimit. 

Drejtori i këtij projekti, Matt Lawrence, gjithashtu ka thënë se kanë identifikuar më shumë se dhjetëra raste të prerjes së kokave.

Sipas tyre, në tetor të vitit 2022, koka e prerë e një mësuesi ishte vendosur në një shtizë jashtë dyerve të shkollës.

Ushtria gjithashtu ka nisur një fushatë masive të bombardimit në zonat e minoriteteve etnike ose vendet ku ka rezistencë kundër grusht shtetit.

Analistët dhe grupet e të drejtave të njeriut kanë thënë se përdorimi i sulmeve ajrore dhe atyre të artilerisë nga ushtria është duke shënjestruar infrastrukturat e civilëve. Sipas analistëve, sulmet përdoren për të zhvendosur popullatën dhe për të mbajtur zonat që janë nën kontroll të rezistencës në gjendje kaosi.

“Këto sulme janë përpjekje për të qetësuar popullatën nëpërmjet frikës dhe jo duke i bindur se janë organ legjitim qeverisës”, ka thënë Lawrence. 

Taktikat nuk po funksionojnë 

Shefi i juntës, Min Aung Hlaingu, nuk i ka dënuar publikisht e as nuk i ka pranuar raportimet e përhapura për abuzimin e civilëve nga ushtria e tij.

“Kur asnjë veprim nuk merret kundër dhunuesve, këto lloje të taktikave bëhen pjesë e kulturës së organizatës”, ka thënë Miemie Winn Byrd, nënkolonele e pensionuar e ushtrisë amerikane.

“Ushtria e Birmanisë nuk është më ushtri profesionale. Është bandë kriminale, bandë ushtarake kriminale”, ka thënë ajo.

Ka shenja se taktika e ushtrisë për t'u mbështetur në armë të rënda të kombinuara me brutalitetin absolut është duke dështuar.

“Kemi filluar të shohim shumë aeroplanë duke u bërë të paoperueshëm dhe ata duhet të ndalojnë përdorimin e tyre – ata janë duke rënë nga qielli”, ka thënë Byrdi.

Junta gjithashtu ka nevojë për trupa ushtarake për të zëvendësuar dezertimet. Muajin e kaluar ka shpallur një ligj të detyrueshëm të rekrutimit për të gjithë të rinjtë dhe të rejat. 

Ndërsa junta bëhet më e pashpresë, ka rrezik më të madh ndaj civilëve, kanë thënë analistët, duke theksuar urgjencën për veprim nga komuniteti ndërkombëtar.

Sipas Byrdit, sanksionet ndërkombëtare janë të rëndësishme. Ajo ka thënë se për ta ndaluar rifurnizimin me armatime nevojitet që komuniteti ndërkombëtar të ndalojë aksesin e juntës në karburant të avionëve dhe valutë ndërkombëtare. 

Sipas analistëve, në vend se të përçajë popullin kundër rezistencës, dhuna ekstreme e juntës vetëm sa e ka bërë shumicën e popullsisë së Birmanisë më të vendosur për ta larguar ushtrinë nga pushteti.

“Kam hasur aq shumë njerëz të cilët mendojnë se ky është momenti në historinë e vendit ku duhet bërë diçka që më në fund ta largojmë ushtrinë”, ka thënë Jolliffe.

Familjeve të Phoe Tayit dhe Thar Htaungut u kanë mbetur vetëm dhimbja dhe kujtimet. Baballarët kanë thënë se nuk kanë qenë në gjendje për t’i kthyer trupat për t’i varrosur.

Babai i Thar Htaungut, Soe Lin Aung, 45-vjeçar, i ka kërkuar OKB-së që të ndërmarrë masa rreth vdekjes së tmerrshme të djalit të tij dhe që forcat e rezistencës të mos heshtin por “të vazhdojnë këtë revolucion”.

“Unë dua që njerëzit ta kujtojnë djalin tim si martir, meqë ka luftuar për vendin e tij”, ka thënë ai.
Yaw Layi, i cili ka luftuar së bashku me Phoe Tayin dhe Thar Htaungun, ka thënë se vdekja e tyre vetëm sa i ka dhënë forcë.

“Ushtria na ka treguar se sa brutalë dhe sa mizorë janë duke vrarë civilë. Ata e udhëheqin vendin duke ua futur frikën njerëzve”, ka thënë ai. “Kjo është kthyer në forcë timen në këtë revolucion".