Djali i presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump, Donald Trump Jr, ka arritur të martën në Grenlandë, për të vizituar territorin danez, disa ditë pasi babai i tij ka lënë të kuptohet se SHBA-ja mund të marrë kontrollin mbi të.
Trumpi i ri ka shkuar atje për një udhëtim ditor për të xhiruar videopërmbajtje për podcast dhe nuk do të takohet me asnjë zyrtar qeveritar apo figurë politike, sipas një personi të njohur me planet, i cili nuk ishte i autorizuar të fliste publikisht, raporton AP.
Ndërkohë për këtë vizitë ka shkruar vetë presidenti Trump në rrjetet sociale.
"Po dëgjoj se njerëzit e Grenlandës janë “MAGA”. Djali im, Don Jr, dhe përfaqësues të ndryshëm, do të udhëtojnë atje për të vizituar disa nga zonat dhe pamjet më të mrekullueshme”, ka shkruar presidenti i sapozgjedhur Trump në rrjetet e tij sociale të hënën në mbrëmje, duke iu referuar lëvizjes së tij "Make America Great Again".
Transmetuesi danez DR citoi kreun e departamentit të Punëve të Jashtme, Mininnguaq Kleist të ketë thënë se nuk kishte asnjë kërkesë për një takim me qeverinë e Grenlandës.
Ndërkaq, kryeministri i Grenlandës, Mute B. Egede, nuk ka komentuar.
Ishulli është një territor autonom që është pjesë e Mbretërisë së Danimarkës.
Presidenti i zgjedhur Trump ka thënë në një deklaratë muajin e kaluar, ndërsa shpalli zgjedhjen e tij për ambasador të SHBA-së në Danimarkë, se "Për qëllime të Sigurisë Kombëtare dhe Lirisë në të gjithë botën, Shtetet e Bashkuara të Amerikës mendojnë se pronësia dhe kontrolli i Grenlandës është një domosdoshmëri absolute".
Djali i madh i Trumpit është bërë një lojtar i shquar në lëvizjen politike të babait të tij dhe ka shërbyer në ekipin e tij të tranzicionit presidencial, duke ndihmuar në përzgjedhjen e njerëzve që do të përbëjnë Shtëpinë e Bardhë në katër vjetët e ardhshme.