Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Rusia kanë diskutuar për luftën në Ukrainë, në një takim të organizuar në Arabinë Saudite të martën, e në të cilin nuk morë pjesë përfaqësues të Ukrainës. Detajet se si shkoi takimi dhe deklaratat e reagimet pas tij, mund t'i lexoni këtu
Trumpi thotë se bisedimet me Rusinë shkuan “shumë mirë”
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka thënë se bisedimet të martën në Arabi Saudite mes zyrtarëve amerikanë dhe atyre rusë, kanë shkuar shumë mirë. Bisedimet ishin të përqendruara te përfundimi i luftës në Ukrainë.
“Rusia dëshiron të bëjë diçka, do që ta ndalë këtë barbarizëm. Po vriten mijëra ushtarë në javë, është çmenduri. Ne duam të përfundojë kjo luftë e pakuptimtë...s’do të kishte nisur kurrë po të kisha qenë unë president”, tha Trump.
Sa i përket mundësisë që evropianët të dërgojnë trupa në Ukrainë pas arritjes së marrëveshjes së paqes, ai ka thënë se s’do të kishte asnjë kundërshtim.
“Të kesh trupa atje do të ishte mirë, nuk do ta kundërshtoja fare”, ka deklaruar Trumpi, nga Mar-a-Lago Club në Palm Beach.
I pyetur se çfarë është mesazhi i tij për ukrainasit që po ndihen të tradhtuar e të zhgënjyer, Trump tha: “Jam vërtetë i zhgënjyer me atë që ka ndodhur”. Ai ka aluduar te lufta në Ukrainë që nisi në shkurt të vitit 2022. “Kurrë s’do të ndodhte po të isha unë president”.
Ai ka thënë se kjo çështje ka mundur të zgjidhej vite më parë, pa humbjen e shumë toke apo pa humbjen e ndonjë jete.
Administrata e Trumpit ka sinjalizuar se është e hapur që në negociata të diskutohen edhe për territore të Ukrainës që janë pushtuar nga trupat ruse.
Trump ka folur pasi ka nënshkruar tre urdhra ekzekutivë përkrah Elon Muskut. Një ndër to lidhet me IVF për ta bërë më të përballueshëm për amerikanët.
Trump e ka quajtur Muskun një "patriot".
Erdogan: Integriteti territorial dhe sovraniteti i Ukrainës, të padiskutueshme
Presidenti i Turqisë, Rexhep Tayyip Erdogan, ka deklaruar se integriteti territorial dhe sovraniteti i Ukrainës janë të padiskutueshme.
Duke folur në një konferencë për media së bashku me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, pas një takimi në Ankara, Erdogan ka thënë po ashtu se Turqia është e gatshme që të mbajë bisedimet e ardhshme të paqes mes Rusisë, Ukrainës dhe SHBA-së, raporton BBC.
Asnjë zyrtar ukrainas nuk ishte i ftuar në bisedimet mes SHBA-së dhe Rusisë në Arabinë Saudite të martën.
Zelensky për bisedimet e paqes: Të mos bëhet asnjë gabim
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka kërkuar që të evitohen gabimet në diskutimet e paqes për Ukrainën.
Duke folur të martën gjatë një konference të përbashkët për media me presidentin turk, Rexhep Tayip Erdogan në Ankara, Zelensky ka thënë se fundi i luftës nuk duhet të bëhet në kurriz të palëve të përfshira.
“Është thelbësisht e rëndësishme që çdo bisedë për fundin e luftës të mos ndodhë në kurrizin e palëve të përfshira. Për paqe të qëndrueshme, është e rëndësishme të mos bëhet asnjë gabim”, ka deklaruar ai.
Zelensky po ashtu ka thënë se në tryezën e bisedimeve duhet të përfaqësohen të gjitha palët, Amerika, Evropa dhe Ukraina.
Rubio: BE-së do t’i duhet të vijë në tryezën e bisedimeve
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka deklaruar se Bashkimit Evropian do t’i duhet të vijë në tryezën e bisedimeve për fundin e luftës në Ukrainë.
I pyetur në lidhje me sanksionet ndaj Rusisë, Rubio u ka thënë gazetarëve se sanksionet janë për shkak të konfliktit në Ukrainë, duke shtuar se “koncesionet" duhet të bëhen nga "të gjitha palët" për t'i dhënë fund "çdo konflikti".
Rubio ka thënë se “palët e tjera kanë sanksione”, duke shtuar se BE-ja “do të duhet të jetë në tavolinë në një moment, sepse ajo ka sanksione që janë vendosur”.
"Qëllimi është t'i jepet fund këtij konflikti në një mënyrë që të jetë e drejtë, e qëndrueshme, dhe e pranueshme për të gjitha palët e përfshira”, ka thënë ai.
Shumë vende perëndimore, duke përfshirë SHBA-në, Britaninë e Madhe dhe Bashkimin Evropian kanë vendosur sanksione ndaj Rusisë pas pushtimit të Ukrainës në vitin 2022.
Lavrov: Pala amerikane e kupton pozicionin tonë
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka deklaruar se në takimin e parë me Shtetet e Bashkuara për çështjen e luftës në Ukrainë janë dakorduar “që sa më shpejt që të jetë e mundur” palët t’i kthejnë ambasadorët në dy vende dhe t’i heqin barrierat.
Siç ka raportuar The Guardian, Lavrov ka thënë se pala amerikane e kupton pozicionin rus.
“Kam çdo arsye të besoj se pala amerikane e kupton pozicionin tonë”, ka thënë ai.
Sipas ministrit të Jashtëm, Rusia do ta presë konfirmimin e përfaqësuesit të saj për bisedime.
Ai e konsideron “plotësisht të papranueshëm” vendosjen e trupave të NATO-s në Ukrainë.
“Ne vumë re se presidenti Trump ishte i pari nga udhëheqësit perëndimorë që tha se tërheqja e Ukrainës në NATO ishte një nga arsyet kryesore pas asaj që po ndodh, një nga gabimet më të mëdha të Bidenit. Nëse Trump do të ishte president, kjo nuk do të kishte ndodhur kurrë. Presidenti Putin theksoi më shumë se një herë se zgjerimi i NATO-s dhe ‘thithja’ e Ukrainës nga NATO-ja ishte një kërcënim i drejtpërdrejtë për Federatën Ruse dhe sovranitetin tonë. Dhe ne shpjeguam sot se çdo paraqitje e forcave të armatosura nga vendet e NATO-s nën ndonjë flamur, nën flamurin evropian ose nën flamuj, nuk ndryshon asgjë...Sigurisht që është krejtësisht e papranueshme”, ka deklaruar Lavrov.
SHBA-ja e Rusia pajtohen për 4 parime
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Rusia janë pajtuar mbi katër parime, ka njoftuar sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio.
Pikat e dakorduara, sipas Rubios:
“Për të rivendosur funksionalitetin e misioneve tona përkatëse në Washington dhe në Moskë. Që ne të mund të vazhdojmë të ecim në këtë rrugë, duhet të kemi objekte diplomatike që operojnë dhe funksionojnë normalisht.
Ne do të caktojmë ekip të nivelit të lartë që të ndihmojë në negociata dhe punën për përfundimin e konfliktit në Ukrainë në një mënyrë që të jetë e qëndrueshme dhe e pranueshme për të gjitha palët e angazhuara.
Të nisim diskutimet dhe të mendojmë e shqyrtojmë bashkëpunimin gjeopolitik dhe ekonomik, që mund të rezultojë nga fundi i konfliktit në Ukrainë.
Ne të pestë që ishim sot këtu... do të mbesim të angazhuar në këtë proces për t’u siguruar që po ecën përpara në mënyrë produktive”.
SHBA: Territori ukrainas, temë e bisedimeve me Rusinë
Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, Michael Waltz, ka deklaruar se bisedimet për Ukrainën do të përfshijnë edhe temën e territorin dhe për garancitë e sigurisë.
Ai ka thënë se fundi i luftës me Rusinë duhet të jetë i përhershëm, e jo “i përkohshëm siç e kemi parë në të kaluarën”.
“Ne e dimë se realiteti praktik është se do të ketë disa diskutime për territorin dhe do të ketë diskutime për garancitë e sigurisë. Këto janë bazat themelore që do të mbështesin dhe do të jenë në themel të çdo lloj diskutimi. Por, unë mendoj se pjesa më e rëndësishme është se presidenti ka shprehur dëshirën e tij, vendosmërinë e tij për t'i dhënë fund kësaj lufte, për t'i dhënë fund vrasjes që po ndodh… Nuk është në interesin e asnjërit vend. Nuk është në interes të botës, dhe sigurisht jo në interes të Shteteve të Bashkuara dhe Evropës”, ka thënë Waltz pas takimit
Zyrtari amerikan shtoi se këto çështje bëjnë që negociatat të lëvizin para.
SHBA-ja e Rusia pajtohen për “të punuar për fundin e luftës”
Delegacionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Rusisë janë pajtuar që të caktojnë ekipe të nivelit të lartë për bisedime për Ukrainën, që të punojnë për të gjetur një rrugë drejt fundit sa më të shpejtë të luftës, ka thënë zëdhënësja e Departamentit Amerikan të Shtetit, Tammy Bruce.
Siç ka bërë të ditur ajo, fundi i kësaj duhet të jetë në një mënyrë të qëndrueshme dhe të pranueshme nga të gjitha palët.
“SHBA-ja dhe Rusia do të punojnë edhe për të gjetur bashkëpunim në të ardhmen për çështjet me interes të ndërsjellë gjeopolitik dhe mundësitë historike ekonomike e investuese, që do të dalin nga fundi i suksesshëm i luftës në Ukrainë”, ka shtuar ajo.
“Presidenti Trump dëshiron fundin e vrasjeve: SHBA-ja dëshiron paqe dhe po e përdor fuqinë e saj në botë për t’i afruar shtetet. Presidenti Trump është lideri i vetëm në botë që mund t’i bëjë Ukrainën dhe Rusinë të pajtohen mbi këtë”, thuhet në deklaratën e DASH-it, zëdhënësja e të cilit ka thënë se takimi i sotëm është vetëm fillimi i procesit.
Takimi Trump-Putin nuk pritet javën e ardhshme
Një takim mes presidentëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, dhe të Rusisë Vladimir Putin, nuk pritet të mbahet javën e ardhshme, ka thënë, Yuri Ushakov, këshilltari për politikë të jashtme i presidentit rus.
“Jemi pajtuar për ekipe të ndara të negociatorëve, që do të vënë kontaktin në rrugën e duhur”, ka thënë Ushakov.
“Jo keq”, rusët flasin pas takimit
Pas përfundimit të bisedimeve në Riad, zyrtarë të delegacionit rus kanë komentuar se çka ka ndodhur deri tash.
“Dialog shumë pozitiv e konstruktiv ka nisur. Për dallim nga administrata Biden, që kurrë s’u përpoq të dëgjojë pozicionin e Rusisë, kjo ishte përpjekje shumë e qartë për të nisur dialogun, për të kuptuar pozicionin e Rusisë dhe për të diskutuar gjërat për të cilat pajtohemi”, ka thënë Kirill Dmitriev, shef i fondit sovran rus, për “TV Channel One” në Rusi.
“Ka shumë pika në të cilat pajtohemi... Duhet ta njohim më mirë njëri-tjetrin... E kuptojmë njëri-tjetrin më shumë tani”, ka thënë ai.
Ndërkohë, këshilltari i Putinit, Yuri Ushakov, ka thënë se bisedimet ishin “Jo keq, jo keq...”
“Është e vështirë të thuhet se Rusia dhe SHBA-ja po afrohen, por ajo që diskutuam ishte shumë serioze mbi të gjitha çështjet që donim t’i preknim. Jemi pajtuar të marrim parasysh edhe interesat e njëri-tjetrit dhe të zhvillojmë marrëdhënie dypalëshe, pasi Moska dhe Washingtoni janë të interesuara në këtë”, ka thënë Ushakov, transmeton BBC.
Përfundon takimi SHBA-Rusi në Arabi
Departamenti Amerikan i Shtetit ka njoftuar se takimi mes delegacioneve të SHBA-së dhe të Rusisë në Riad ka përfunduar.
Bisedimet zgjatën më shumë se katër orë, përfshirë edhe drekën e punës.
Moska: Kievi ka “të drejtë” t’i bashkohet BE-së, por aleancat ushtarake “krejt diçka tjetër”
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë se Rusia nuk është kundër që Ukraina të hyjë në Bashkimin Evropian, pasi nuk e sheh si kërcënim për sigurinë e Rusisë. Megjithatë, ai ka thënë se situata është krejt ndryshe kur bëhet fjalë për hyrje të Ukrainës në ndonjë aleancë ushtarake.
“Është e drejtë sovrane e çdo shteti. Po flasim për procese të integrimit dhe ekonomike dhe sigurisht askush s’mund të diktojë se çka mund të bëjë një shtet. Nuk do ta bëjmë këtë. Por qëndrimi ynë për çështjet që lidhen me sigurinë, mbrojtjen apo aleancat ushtarake, është krejtësisht i ndryshëm. Ka një çështje tjetër dhe është e ditur për të gjithë”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se nuk ka informata për një takim të mundshëm Trump-Putin, por ka shtuar se bisedimet e sotme mund të ofrojnë më shumë qartësi.
Bisedimet në Riad, gati tri orë
Pas 15 minutash pauzë, delegacionet e SHBA-së dhe të Rusisë janë kthyer në tavolinën e diskutimeve.
Kjo nënkupton se janë bërë gati tri orë prej kur kanë nisur diskutimet.
Pritet të ketë edhe drekë pune.
Pauzë e shkurtër në bisedime
Ministria e Punëve të Jashtme e Rusisë ka njoftuar se zyrtarët e shtetit të saj dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë marrë pauzë të shkurtër në bisedimet në Arabinë Saudite.
Zëdhënësja Maria Zakharova ka thënë se kur të përfundojnë bisedimet, do të ketë komunikatë për media.
Von der Leyen e quan “moment kritik” situatën në Ukrainë
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, është takuar të martën me të dërguarin e posaçëm të SHBA-së për Ukrainën, Keith Kellogg në Bruksel më 18 shkurt, për të diskutuar përfundimin e luftës Rusi-Ukrainë.
Takimi u zhvillua në ditën e njëjtë kur Rusia dhe Shtetet e Bashkuara i nisën bisedimet në Arabinë Saudite, pa prezencën e palës ukrainase.
Zyrtarja e Bashkimit Evropian tha se është moment kritik, derisa bëri me dije se Evropa “është në tryezë financiarisht dhe ushtarakisht”.
“Ne do të rritemi. Ne duam të bashkëpunojmë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të ofruar një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme për Ukrainën. Tani është një moment kritik”, ka shkruar ajo në X.
Von der Leyen ka deklaruar javën e kaluar se një Ukrainë e dështuar do të dobësonte Evropën, por gjithashtu do të dobësonte Amerikën.
Në Konferencën e Sigurisë në Mynih, ajo vlerësoi presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, duke thënë se ai “është i përgatitur të punojë drejt një paqeje që nderon sakrificën e vendit të tij dhe bashkatdhetarëve të rënë"”.
Në përgjigje të deklaratave të Sekretarit të Mbrojtjes të SHBA-së, Pete Hegseth, ajo tha se “dorëzimi ndaj kërkesave të Putinit do të intensifikonte sfidat në Azi-Paqësorin dhe do të kërcënonte interesat tona të përbashkëta”.
Sipas Von der Leyen, blloku evropian “po punon me Ukrainën për anëtarësimin e saj në Bashkimin Evropian”, sepse, siç tha ajo, kjo është e ardhmja e tyre.
Kremlini: Putini do të flasë me Zelenskyn nëse është e nevojshme
Kremlini ka thënë se presidenti rus, Vladimir Putin, është i përgatitur të bisedojë me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky nëse është e nevojshme.
Kështu ka deklaruar para gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
"Vetë Putini tha se do të ishte i gatshëm të negocionte me Zelenskyn nëse është e nevojshme”, ka thënë ai.
Peskov ka shtuar se baza ligjore e marrëveshjeve ka nevojë për diskutim.
“Marrë parasysh realitetin se legjitimiteti i Zelenskyt mund të vihet në dyshim”, ka shtuar ai.
Kina: Të gjitha palët të përfshihen në bisedime për paqe
Kina ka thënë se pret që “të gjitha palët” në luftën në Ukrainë, duhet të diskutojnë në negociatat për paqe.
“Kina mirëpret të gjitha përpjekjet për paqe, përfshirë konsensusin e arritur për negociata midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë”, ka thënë zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës, Guo Jiakun. “Në të njëjtën kohë, Kina pret që të gjitha palët e përfshira të marrin pjesë në procesin e negociatave, në kohën e duhur”.
Kina në vazhdimësi ka bërë përpjekje të pozicionojë veten si ndërmjetës në luftë. Por ka ngelur prapa për shkak të thellimit të raporteve me Moskën.
“Pritni përparime në çështjet ekonomike SHBA-Rusi”
Kirill Dmitriev, udhëheqësi i fondit sovran të Rusisë, është pjesë e delegacionit të Moskës në Riad. Duket se ai aktualisht s’është në dhomën e diskutimeve, por ka folur për gazetarët afër.
Ai ka thënë se pret progres në çështjet ekonomike mes dy shteteve brenda tre muajsh.
Sipas tij, bizneset amerikane kanë humbur më shumë se 300 miliardë dollarë që nga largimi prej tregjeve ruse, si shkak i pushtimit të Ukrainës.
Rusia sulm masiv ndaj Ukrainës, para bisedimeve me SHBA-në
Rusia ka lëshuar sulm masiv me dronë në Ukrainë, pak orë para se delegacionet e SHBA-së dhe Rusisë të takohen në Arabinë Saudite për të biseduar për fundin e luftës.
Forcat ajrore ukrainase kanë thënë se Rusia ka lëshuar 176 sulme me dronë gjatë natës.
Më shumë se 100 dronë janë hedhur poshtë e gati 70 të tjerë kaluan radarët pa pasoja negative, sipas ushtrisë së Ukrainës.
Nuk bëhen të ditura dëmet e shkaktuara prej sulmeve.
Të hënën, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se Rusia “ka lëshuar gati 1200 bomba, ka kryer mbi 850 sulme me dronë dhe më shumë se 40 raketa të tipave të ndryshëm” gjatë javës së shkuar.
Kush po merr pjesë në takim
Teksa takimi në mes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Rusisë ka nisur, BBC ka ofruar detaje për secilin pjesëmarrës në takim.
Në anën ruse janë:

Sergei Lavrov, ministri i jashtëm i Rusisë. 72-vjeçari ka përfaqësuar Rusinë e Vladimir Putinit në arenën ndërkombëtare për më shumë se 20 vjet.
Yuri Ushakov, këshilltar politik i Putinit. Ai ka përfaqësuar në të kaluarën Rusinë si ambasador në SHBA.
Në anën amerikane janë:
Marco Rubio, sekretar i shtetit. I konsideruar si skifter i politikës së jashtme, ai u konfirmua në këtë rol të rëndësishëm javën e kaluar.
Mike Waltz, këshilltar i sigurisë kombëtare. Veteran i luftës dhe përkrahës i kamotshëm i Trumpit.
Steve Witkoff, emisar për Lindjen e Mesme. Mik personal i Trumpit, adhurues i golfit dhe miliarder në patundshmëri.
Në udhëheqje të takimit:
Ministri i Jashtëm saudit, Faisal bin Farhan al-Saud dhe këshilltari i sigurisë kombëtare, Mossad bin Mohammad al-Aiban
Ku është Zelensky?
Përderisa delegacionet e SHBA-së dhe të Rusisë kanë nisur takimin në Riad, shteti kyç mungon – Ukraina.
SHBA-ja thotë se diskutimet s’janë nisja e negociatave për paqe, por takimi ishte paraparë pas bisedës së presidentit Donald Trump me presidentin rus, Vladimir Putin.
Megjithatë, as Volodymyr Zelensky, e as ndonjë zyrtar tjetër ukrainas nuk është në takim. Zelensky nuk ishte ftuar.
“Nuk mund të pranojmë marrëveshje paqeje... pa ne”, u ka thënë Zelensky gazetarëve të hënën.
Zelensky është në Turqi për takim me presidentin Recep Tayyip Erdogan.
Nis takimi SHBA-Rusi
Bisedimet në mes të delegacioneve të Rusisë dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Arabi tashmë kanë nisur.
Zyrtarët amerikanë kanë thënë se ky nuk është fillimi i negociatave, por hapi i parë për të parë nëse Rusia “është serioze” për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Ndërkohë Rusia ka thënë se takimi është për normalizim raportesh me SHBA-në.
Një tjetër qëllim i takimit, sipas palëve, është për të organizuar një takim në mes të presidentëve Donald Trump dhe Vladimir Putin po ashtu në Riad. Dyshja foli në telefon javën e shkuar dhe Trumpi u tha gazetarëve se “do të takohen në Arabi”, pa caktuar datë.
Në palën amerikane, sekretari amerikan, Marco Rubio, do t’i prijë delegacionit që do ta ketë edhe Mike Waltzin si sekretar të sigurisë kombëtare dhe emisarin për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff. Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, dhe këshilltari i Putinit, Yuri Ushakov, do ta përfaqësojnë Rusinë. Po ashtu në takim pritet të jetë Kirill Dmitriev, shefi i fondit sovran rus.
Një ditë më parë, liderët evropianë u takuan për bisedime të ndara për Ukrainën – samiti u organizua me urgjencë pas njoftimit të takimeve SHBA-Rusi.