Botë

Disidenti rus mendoi se do të vdiste në “burgun e Putinit”

Vladimir Kara-Murza

Foto: Associated Press

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Rusia javën e kaluar kanë përfunduar shkëmbimin e tyre më të madh të të burgosurve që nga Lufta e Ftohtë. 24 të burgosur u shkëmbyen. Presidenti Joe Biden, e cilësoi shkëmbimin si vepër të diplomacisë. Një nga të liruarit ka qenë edhe aktivisti rus Vladimir Kara-Murza, i cili rrëfen për tmerret e burgut dhe lumturinë e lirimit.

Perëndimi dhe Rusia javën e kaluar arritën marrëveshje për shkëmbim të të burgosurve që u cilësua si më i madhi që nga Lufta e Ftohtë.

Shkëmbimi ka përfshirë 24 të burgosur që mbahen në Rusi, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermani dhe tri shtete perëndimore.

Veprimi erdhi pas ditësh spekulimesh për shkëmbim të madh midis vendeve të ndryshme, të cilat u rritën pasi disa disidentë dhe gazetarë të burgosur në Rusi u zhvendosën nga qelitë e burgut në vende të panjohura.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ka thënë se marrëveshja Perëndim-Rusi për shkëmbimin e të burgosurve është vepër e diplomacisë.

Në një adresim për media pas arritjes së kësaj marrëveshjeje, Bideni ka thënë se agonia e këtyre të burgosurve ka marrë fund.

Në mesin e të liruarve ka qenë edhe gazetari dhe shkrimtari ruso-britanik Vladimir Kara-Murza.

“Kam qenë i sigurt se do të vdisja në burgun e Putinit”, tregon ai. 

Kjo ka qenë gjëja e parë që Vladimir Kara-Murza ka thënë kur është liruar. 

Politikani i opozitës ruse është shumë i hollë – nga stresi, ka thënë ai. Ai është akoma i turbulluar nga transferimi i tij i papritur nga një burg i sigurisë së lartë në Siberi në mërgim të detyruar, pas më shumë se dy vjetësh prapa grilave.

“Duket joreale, sikur jam duke shikuar një film”, e ka përshkruar ai ndjenjën. 

Ai më në fund mund të bashkohet me familjen e tij që nuk e kishte parë që nga arrestimi në Moskë në prill të vitit 2022.

Djali i tij më i vogël e ka ndjekur gjithandej, i frikësuar ta lërë të vetëm.

Vladimir Kara-Murza, i cili është gjithashtu shtetas britanik, është burgosur për tradhti dhe është dënuar me 25 vjet burg, për kritikat e tij të vazhdueshme ndaj presidentit rus, Vladimir Putini dhe pushtimit rus të Ukrainës.

Ai i ka kaluar 11 muajt e fundit në izolim, është detyruar ta palosë krevatin e tij çdo mëngjes në orën 05:00 dhe i është dhënë një laps dhe letër për një orë, çdo ditë.

“Është e lehtë ta humbësh mendjen. Të humb sensi i kohës, hapësirës. E gjithçkaje në fakt”, ka thënë ai, në një nga intervistat më të gjata që nga lirimi. “Nuk bën asgjë, nuk flet me askënd, nuk shkon askund. Ditë pas dite”.

Atij i janë mohuar thirrjet në shtëpi, i është lejuar të flasë me fëmijët e tij vetëm dy herë gjatë dy vjetëve të fundit. Ndëshkimi i shtuar ka qenë edhe më i rëndë, fizikisht.

Gati një dekadë më parë, Vladimir Kara-Murza gati ka vdekur nga një toksinë e panjohur dhe akoma vuan nga pasojat, duke përfshirë dëm të nervave. Në shtator, ka thënë ai, një doktor i burgut i ka dhënë “një vit, 18 muaj më së shumti jetë”, nëse qëndronte prapa grilave.

“Pas dy helmimeve nga Shërbimi Federal i Sigurisë (FSB), nuk jam në gjendje shëndetësore për burg të rreptë të regjimit”, ka shpjeguar ai, me një buzëqeshje të hidhur.

Javën e kaluar, Kara-Murza ka qenë një nga tetë disidentët rusë që ishin zhdukur nga burgjet ruse.
Ndërsa avokatët dhe të afërmit janë alarmuar, thashethemet për shkëmbim të të burgosurve kishin filluar të shfaqeshin. Të burgosurit nuk ia kanë pasur idenë.

Në fakt, kur rojet u futën në burgun në Omsk ku gjendej Kara-Murza ai ka menduar se “po dërgohej për t’u qëlluar”. 

“Mendova në fakt se ata do të më ekzekutonin”, tha ai.

Atij kohëve të fundit i është thënë ta nënshkruante një kërkimfalje presidenciale, por ka refuzuar të lutej për mëshirë nga Vladimir Putini, të cilin e ka cilësuar si “diktator, uzurpues dhe vrasës”.
Kara-Murza është transferuar në Moskë dhe në burgun famëkeq të FSB-së “Lefortovo”. Pesë ditë më vonë ai është dërguar për të hipur në autobus dhe ka parë disidentë të tjerë brenda, secili prej tyre me nga një roje personale të FSB-së, të veshur me maska.

Pastaj, një tjetër roje ka marrë mikrofonin e autobusit dhe ka shpallur se ata po dërgoheshin për shkëmbim të të burgosurve, pa detaje. 

“Askush nuk kërkoi pëlqimin tonë”, ka thënë Kara-Murza. “Na hipën në një aeroplan si kafshë dhe na nisën diku tjetër”.

Aktivisti ka arritur në Gjermani në të vetmet rroba të civilëve që kishte: pantallona të gjatë dhe një bluzë me mëngë të shkurta, si dhe shapka që i ka përdorur në dushet e burgut.

Disidentët rusë kanë qenë pjesë e një “tufe” të të burgosurve politikë të liruar, së bashku me shtetas amerikanë të profilit të lartë, si gazetari Evan Gershkovich.

Ka pasur tre ish-aktivistë nga ekipi i Alexei Navalnyt, politikani i opozitës që vdiq papritmas në burg më herët këtë vit. Fillimisht, Navalny do të ishte pjesë e shkëmbimit kompleks.
Në këmbim të disidentëve, Rusia ka marrë një sërë spiunësh dhe kriminelësh, duke përfshirë çmimin kryesor të kërkuar nga Vladimir Putini: një vrasës i FSB-së i njohur si Vadim Krasikov, që ka vrarë një person në pikë të ditës në një park të Berlinit.

Gjykatësi që e ka dënuar atë me burgim të përjetshëm, e ka quajtur vrasjen si akt “terrorizmi”.

“Gjithkush që e kritikon këtë shkëmbim, respektivisht do t’u kërkoja të mos e mendonin si shkëmbim të të burgosurve, por si shpëtim të jetëve”, ka thënë Kara-Murza, si përgjigje ndaj lirimit të Krasikovit.
Vrasësi është pritur në Rusi me tapet të kuq dhe një përqafim nga vetë Putini.

“A nuk ia vlejnë 16 jetë për ta liruar një vrasës?” – pyeti Kara-Murza.

Për një kohë të gjatë Gjermania nuk ka qenë e sigurt. Vonesa, sipas Kara-Murzas, mund të jetë ajo që i kushtoi Alexei Navalnyt jetën.

Lumturia e ribashkimit të familjes së Kara-Murzas është njollosur nga mendimet për të burgosurit rusë që nuk janë liruar.

“Jam shumë i lumtur dhe shumë i emocionuar që i shoh këta njerëz të lirë, por jam shumë e mërzitur për të tjerët që kanë mbetur prapa”, ka thënë gruaja e Kara-Murzas, Evgenia. “Ndihem fajtor”.

Organizata për të drejtat e njeriut “Memorial” liston qindra të burgosur politikë dhe ajo ka bërë fushatë të fortë për grupet me prioritet.

“Ka njerëz me probleme serioze të shëndetit, si Alexei Gorinovi, të cilit i mungon një pjesë e mushkërisë së tij, të cilët nuk kanë shumë kohë të mbetur”, tha Evgenia.

Burri i saj ka folur për ata “që janë akoma duke vuajtur në ‘Gulagun e Putinit’” dhe për shpresën e shkëmbimeve të mëtutjeshme.

Ai ka qenë i lirë për pesë minuta, kur i është rikthyer polemikave.

Në deklaratat e bëra pak pas mbërritjes në Gjermani, Vladimir Kara-Murza ka argumentuar se sanksionet në lidhje me luftën e Ukrainës duhet të kenë shënjestra më të mira.

Është bërë zhurmë e menjëhershme nga ukrainasit, të cilët kanë pretenduar se përparësia e tij për të ecur i lirë ishte zbutja e dënimit të Rusisë për luftën.

Kara-Murza e ka quajtur kalibrim.

“Më duhet më shumë informacion”, ka thënë ai. “E kuptoj se shkurti i vitit 2022 ka ndryshuar shumë gjëra”.

Por ai dëshiron të dijë se pse avokatët rusë të të drejtave të njeriut nuk mund të udhëtojnë në shtetet baltike për konferenca, kur një raketë ruse që përmban një çip të bërë nga Perëndimi mund ta godasë një ndërtesë rezidenciale në Ukrainë.

“Përgjegjësia se çfarë po bën regjimi i Putinit është e ndarë me shoqërinë ruse, një pjesë e madhe e së cilës vendos t’i mbyllë sytë para abuzimeve dhe shkeljeve”, ka argumentuar ai.

“Por të mos e harrojmë përgjegjësinë se vendeve Perëndimore, që për vite të tëra kanë preferuar të merren me Vladimir Putinin dhe të bëjnë biznes me të, duke e ditur shumë mirë kush ishte ai dhe çfarë përfaqëson ai”.

Në vitin 2022, Vladimir Kara-Murza është arrestuar sepse ka insistuar të qëndronte brenda Rusisë dhe të fliste haptas. Tani ai nuk mund të udhëtojë atje e shqetësohet për t’u bërë thirrje të tjerëve për aksion. Ai mendon se do të ndihet “më i kufizuar”.

Por ai do të vazhdojë ta dënojë luftën në Ukrainë.

“Putini nuk duhet të lejohet ta fitojë këtë luftë. Ukraina duhet të fitojë dhe duhet të ketë më shumë mbështetje nga vendet Perëndimore për të ndodhur kjo”, ka argumentuar ai. 

Historikisht, sipas tij, “dritaret për mundësi” për ndryshim demokratik hapen pas “disfatave të mëdha ushtarake”. 

Kur aeroplani i tij nga Rusia ishte duke u nisur, roja e FSB-së afër Kara-Murza i ka thënë atij të shikonte jashtë dritares. 

“Ai më tha se është hera e fundit që po shihja mëmëdheun tim”, ka qeshur aktivisti. “I thashë, jam historian, prandaj do të rikthehem në vendlindje. Dhe do të jetë më shpejt nga ç’mendon ti”.