Jeta e Stephanie Mistre kishte ndryshuar përgjithmonë tre vjet më parë. Ajo kishte gjetur trupin e pajetë të vajzës së saj 15-vjeçare, Marien, e cila kishte kryer vetëvrasje, raporton agjencia “AP”.
Në shtator të vitit 2021, ajo kishte filluar betejën e saj kundër rrjetit social TikTok, pasi beson se ishte shkaktari që e shtyu vajzën e saj drejt humbjes së shpresës.
Duke kontrolluar telefonin e vajzës pas vdekjes, Mistre ka zbuluar se videot e TikTokut që promovonin metoda të vetëvrasjes, udhëzime dhe komente që inkurajonin përdoruesit të shkojnë përtej tentativave të thjeshta të vetëvrasjes.
Ajo ka thënë se vajzës së saj në mënyrë të vazhdueshme i ishin shfaqur video të tilla në TikTok, pasi algoritmi i platformës ia kishte shërbyer ato.
“Tri vjet më parë, nuk kisha ide se çfarë përmbajtje mediat sociale po shtynin ndaj vajzës sime”, ka thënë ajo për AP, duke listuar dhunën fizike, përdhunimin dhe vetëvrasjen si tema të zakonshme.
Tani Mistre dhe gjashtë familje të tjera kanë paditur TikTokun në Francë, duke e akuzuar platformën për dështim të largimit të përmbajtjes së dhunshme dhe ekspozimit të fëmijëve ndaj përmbajtjeve të rrezikshme.
Prej shtatë familjeve dy kanë përjetuar humbjen e një fëmije.
Pas pyetjes për padinë, TikToku ka thënë se parametrat ndalojnë çdo promovim të vetëvrasjes dhe që punëson 40,000 profesionistë nëpër botë që përkujdesen për këtë – qindra nga të cilët janë moderatorë që flasin frëngjisht, për t’i larguar postimet e rrezikshme.
Kompania ka deklaruar se përdoruesit që kërkojnë video në lidhje me vetëvrasjen i sugjeron të kërkojnë ndihmë tek institucionet shëndetësore.
Para se të kryente vetëvrasje, Marie kishte bërë disa video për të shpjeguar vendimin e saj, duke përmendur disa vështirësi në jetën e saj, dhe ka cituar një këngë të grupit të zhanrit emo rep nga Luiziana, Suicideboys, të cilët janë të famshëm në TikTok.
Po ashtu nëna e saj ka treguar se në mënyrë të përsëritur vajza e saj ishte bullizuar në shkollë dhe online.
Në padi nëna 51-vjeçare dhe burri i saj kanë bërë një ankesë ndaj pesë shokëve të klasës së Maries dhe ish-shkollës së saj.