Botë

Diplomaci në mort

Trump - Zelensky

Ceremonia mortore për Papa Françeskun u shndërrua në një arenë të diplomacisë së heshtur ndërkombëtare. Liderë të fuqishëm botërorë shfrytëzuan momentin solemn për të zhvilluar takime të rëndësishme nën hijen e tensioneve gjeopolitike dhe përpjekjeve për paqe në Ukrainë. Në një atmosferë të mbushur me simbolikë dhe mesazhe uniteti, sheshi “Shën Pjetri” u kthye në një skenë ku përshëndetjet diplomatike dhe diskutimet e fshehta rivalizuan solemnitetin e ceremonisë fetare

(CNN/Politico) – Papa Françeskut iu dha lamtumira me mesazhin që ai e përçoi më së shumti: paqe, barazi e bashkim. Liderë të shumtë botërorë pikërisht në ceremoninë në nderim të Papës, shfrytëzuan rastin për diplomaci nën hijen e luftës në Ukrainë dhe telasheve mbi tarifat.

Pjesëmarrja e shumë liderëve botërorë ktheu sheshin “Shën Pjetri” në “tavolinë të madhe diplomacie” të shtunën. Kur kardinali Giovanni Battista Re në ceremoni theksoi përpjekjet humanitare të Papa Françeskut dhe përulësinë e tij, para se trupi t’i bartej për varrim, gazetarët kishin kthyer fokusin kah lëvizjet e presidentit amerikan Donald Trump, duke ndjekur çdo takim të tij me aleatë e kundërshtarë. Teksa gjithçka përcillej si me dylbi, helikopterët e policisë fluturonin mbi.

Njoftimi i fillimjavës se Trumpi do të marrë pjesë në ceremoninë e lamtumirës së Papës pati nxitur shpresa te liderë të shumtë botërorë se do të mund të takohen me liderin amerikan, në një kohë të turbulencave të jashtëzakonshme gjeopolitike.

Shtetet aleate të SHBA-së, sidomos në Evropë, mezi presin të takojnë Trumpin pasi i reduktoi tarifat në 10 për qind për të gjitha importet drejt SHBA-së në fillim të prillit, duke u dhënë afat tre muaj për të negociuar marrëveshjen. Përplasja diplomatike vjen në të njëjtën kohë kur u raportua se Ukraina e Rusia iu afruan një marrëveshjeje të mundshme armëpushimi, pas disa muajsh përpjekje nga administrata e Trumpit.

Dhe në fund, ashtu doli.

“Takimi historik”

Gazetarët panë nga afër Trumpin teksa fliste me qetësi me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky. E menjëherë pas takimit të shkurtër me të, e që mori vëmendjen e gjithë botës, Trump e ka vënë në dyshim nëse presidenti rus, Vladimir Putin dëshiron një marrëveshje për paqe.

Ngjarja në Vatikan qe hera e parë e takimit të drejtpërdrejtë në mes Trumpit dhe Zelensky që nga takimi katastrofal në Shtëpinë e Bardhë në shkurt, kur presidenti dhe zyrtarë të tjerë nga SHBA-ja sulmuan publikisht Zelenskyn për “mosmirënjohje” për mbështetjen e SHBA-së dhe për një kohë të shkurtër pezulluan furnizimin me armë dhe ndarjen e inteligjencës ushtarake.

Që nga atëherë ka nisur një fushatë të fortë për të arritur sa ma shpejtë një marrëveshje për paqe në Ukrainë.

Fotografi të publikuara nga presidenca ukrainase shfaqnin dy liderët duke biseduar drejtpërdrejtë në ambientet e bukura të Bazilikës së Shën Pjetrit.

Zelensky më vonë e ka falënderuar Trumpin për “takimin e mirë” përmes një postimi në rrjetet sociale.

“Ne diskutuam shumë sy më sy. Me shpresën për rezultate në çdo gjë që diskutuam. Mbrojtjen e jetëve të popullit tonë. Armëpushim të plotë dhe pa kushte. Paqe të qëndrueshme dhe afatgjate që do të parandalojë që të fillohet një luftë tjetër. Takim shumë simbolik që ka potencial të bëhet historik, nëse ne arrijmë rezultate të përbashkëta”, ka shkruar Zelensky.

Një zyrtar nga Shtëpia e Bardhë që po shoqëronte Trumpin ka thënë se dy liderët “u takuan privatisht dhe patën një takim shumë produktiv”. Zyrtarë nga dy kampet kanë bërë të ditur se takimi zgjati rreth 15 minuta, dhe liderët u pajtuan të vazhdojnë bisedimet.

Në një postim në “TruthSocial”, pas kthimit nga Roma pas takimit, Trumpi ngriti mundësinë për vendosjen e sanksioneve të reja ndaj Rusisë pas sulmit në Kiev javën e kaluar, duke vënë në dyshim nëse Putini është i interesuar në paqe.

Në një shkrim në rrjetin social “Truth”, Trumpi ka thënë se “nuk ka asnjë arsye” për hedhjen e raketave ruse mbi zonat e civilëve.

“Më bën të mendoj se ndoshta ai nuk e do fundin e luftës”, ka shtuar Trumpi duke e lënë të hapur mundësinë për shtimin e sanksioneve ndaj Rusisë.

“Shumë njerëz janë duke vdekur”, ka përfunduar Trumpi.

Takimi ndodhi jashtë “Kapelën e Pagëzimit”, që është brenda Bazilikës së “Shën Pjetrit” afër hyrjes së saj, dhe biseda nuk ishte paralajmëruar më herët.

Para vizitës së shkurtër të presidentit në Romë, zyrtarët patën thënë se ka zbehje të gjasave që të takohet me Zelenskyn apo ndonjë lider tjetër botëror, duke ju referuar vizitës së tij të shkurtër dhe qëllimin solemn për të nderuar Papën.

Trumpi në fillim ka zgjedhur Arabinë Saudite për vizitën e tij të parë për mandatin e ri dhe do të jetë aty gjatë muajit të ardhshëm. Por pasi Papa Françesku kaloi në amshim këto plane ndryshuan, dhe në vend të saj Trumpi vizitën e parë jashtë vendit e bëri në Evropë, kontinenti që ai ka pasur polemika kohët e fundit.

Shfrytëzimi i rastit

Trumpi shkëmbeu përshëndetje me liderë të tjerë që kanë qenë duke punuar me përpjekje paralele për të ndihmuar në zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë. Ai i shtrëngoi  duart me presidentin e Francës, Emmanuel Macron gjatë meshës së funeralit (po ashtu edhe ministri i Jashtëm i Ukrainës ka postuar të shtunën një foto të Zelenskyt me Macronin).

Trumpi u pa gjatë ceremonisë tek shtrëngonte duart edhe me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Zyrtarja më e lartë në Evropë, karriera dhe qasja politike e së cilës bien ndesh me personalitetin e Trumpit, është “injoruar” nga administrata e re amerikane në përpjekjet e BE-së për të negociuar mbi tarifat dhe nuk është ftuar në Shtëpinë e Bardhë në tre muajt e parë të Trumpit në zyrë.

Mediat italiane kishin spekuluar para funeralit të së shtunës se kryeministria italiane, Giorgia Meloni, që është mbështetëse ideologjike e presidentit amerikan dhe e vizitoi së fundmi në Shtëpinë e Bardhë, do të përpiqej të ndërmjetësonte një takim në mes të liderëve të Bashkimit Evropian dhe të SHBA-së. Një zëdhënës i Komisionit Evropian pati paralajmëruar se çfarëdo rasti që liderët të takohen “do të shfrytëzohet”.

Ky takim ndodhi dukshëm më herët se që paramendohej. Qe vdekja e Papës Françesku, që mundësoi takim në stilin “ra ky mort e u pamë”. Një video e shkurtër shfaqi vetëm një shtrëngim duarsh dhe një bisedë të shkurtër. Presidentja e Komisionit në rrjete sociale më pas ka shkruar se “pati bisedë të mirë” me Trumpin. Të dy u dakorduan për t’u takuar, ka thënë zëdhënësja e Von der Leyenit në një postim tjetër.

Trumpi u pa tek bisedonte edhe me liderë të Estonisë e Finlandës, që ishin ulur afër tij në karriget e rezervuara për krerë shtetesh. Meloni veçmas u takua me kryeministrin e Britanisë së Madhe, Keir Starmer, dhe Viktor Orbanin e Hungarisë.

Siç edhe pritej dhe s’pati befasi, në ceremoni nuk pati asnjë shenjë të presidentit rus Vladimir Putin që do të rrezikonte arrestimin në Itali për shkak të urdhërarrestit të lëshuar nga Gjykata Ndërkombëtare Penale me bazë në Hagë.