Kur temperaturat ranë nën zero në fshatin e Niaz Mohammadit muajin e kaluar, babai i tre fëmijëve u përpoq të mbante familjen e tij ngrohtë. Një natë veçanërisht të ftohtë futi çdo degë e shkurre që gjeti në sobën e tyre të vogël me dru.
Ai kërkoi mbeturina që mund të digjeshin, mbuloi dritaret me goma plastike dhe mbajti pranë gjoksit djalin e tij 2 muajsh.
Por i ftohti ishte i pamëshirshëm. Erërat e acarta fishkëllenin nëpër të çarat në mur. Akulli depërtoi nëpër dhomë: mërdhini dritaret, pastaj muret, pastaj batanijen e trashë të kuqe të mbështjellë rreth djalit të Mohammadit që vajtonte.

Nata e zezë!
Shumë shpejt foshnja ra në heshtje në krahët e tij. Lotët e tij u kthyen në akull që iu ngjit në fytyrë. Në agim, ai nuk ishte më.
"Atë e mori i ftohti", u tha Mohammadi, 30 vjeç, gazetarëve të “The New York Times”, duke përshkruar detajet e asaj nate të tmerrshme.
Afganistani është kapluar nga një dimër që zyrtarët afganë dhe zyrtarët e grupeve të ndihmës po e përshkruajnë si më të ashprin në më shumë se një dekadë, duke goditur miliona njerëz tashmë të zhytur nga një krizë humanitare. Sipas autoriteteve afgane, që nga e hëna më shumë se 200 njerëz kanë vdekur nga hipotermia dhe më shumë se 225 mijë krerë bagëti kanë ngordhur vetëm nga i ftohti. Kjo nuk përfshin numrin e madh dhe në rritje të njerëzve nga kequshqyerja, sëmundjet dhe lëndimet e patrajtuara, pasi klinikat dhe spitalet në mbarë vendin janë nën presion.

Viktima të kokëfortësisë talebane
Ndërsa Afganistani ka duruar fatkeqësi natyrore dhe dëshpërim ekonomik për dekada, temperaturat e ashpra këtë dimër vijnë në një moment veçanërisht të vështirë. Në fund të dhjetorit administrata talebane i ndaloi gratë të punonin në shumicën e organizatave të ndihmës lokale dhe ndërkombëtare – duke bërë që shumë prej tyre të pezullonin operacionet, duke këputur një litar shpëtimi për komunitetet që varen nga ndihma.
Pavarësisht negociatave prej javësh midis zyrtarëve humanitarë dhe Qeverisë, lidershipi i lartë i talebanëve duket se nuk dëshiron ta anulojë ndalimin. Kjo e ka lënë komunitetin e ndihmës të ndarë në lidhje me atë se si duket një përgjigje parimore: ndalimi i ndihmës për miliona në nevojë, ose përpjekja për të vazhduar pa gra në radhët e tyre, duke reduktuar kështu në masë të madhe shtrirjen e agjencive të tyre në Afganistan.
Ministria afgane e Menaxhimit të Fatkeqësive është përpjekur të plotësojë boshllëkun, thonë zyrtarët, duke punuar me organizatat lokale për të ofruar ushqim dhe ndihmë financiare. Por reagimi është penguar nga vështirësia për të arritur komunitetet e largëta (disa të qasshme vetëm me helikopter ushtarak) dhe nga sanksionet financiare nga qeveritë e huaja.

Javët e fundit disa organizata joqeveritare kanë negociuar me zyrtarët lokalë për të siguruar përjashtime nga ndalimi, duke i lejuar të vazhdojnë të punojnë me punonjëset e ndihmës femra në provinca të caktuara. Por shumë donatorë e kanë dënuar diskriminimin e autoriteteve ndaj grave, të cilat në fakt janë përjashtuar nga shumica e aspekteve të jetës publike, arsimit dhe punësimit. Disa, veçanërisht midis vendeve evropiane, madje edhe privatisht shkurtuan shumicën e fondeve për Afganistanin si përgjigje, sipas diplomatëve dhe punonjësve ndërkombëtarë humanitarë.
Reduktimi i përkohshëm i ndihmës është ndier tashmë në të gjithë Afganistanin, i cili u zhyt në krizë humanitare pasi trupat perëndimore u tërhoqën në gusht të vitit 2021. Menjëherë pas kësaj sanksionet gjymtuan sektorin bankar, çmimet e ushqimeve u rritën dhe spitalet u mbushën me fëmijë të kequshqyer. Sot rreth gjysma e 40 milionë njerëzve të vendit përballen me nivele potencialisht kërcënuese për jetën e pasigurisë ushqimore, sipas Kombeve të Bashkuara. Prej tyre, gjashtë milionë janë pranë zisë së bukës.
Fatkeqësi pas fatkeqësie
Në fshatin e Mohammadit, në rrethin Qadis të Afganistanit veriperëndimor, temperaturat e ulëta shkatërruan njerëzit që tashmë jetonin në prag të mbijetesës. Qendra e qarkut në Qadis është shtëpia e vetëm 4 mijë familjeve, që jetojnë në shtëpi të ulëta, me qerpiç, të rrethuara nga rrugicat e dheut. Qyteti ndodhet midis dunave të shkretëtirës dhe maleve të mbuluara me borë.
Vitet e fundit provinca - një nga më të varfrat e vendit - ka vuajtur nga një thatësirë gjymtuese që ka shkretuar fushat dhe ka lënë të ngordhur kafshët e fermave. Një tërmet vitin e kaluar shkatërroi fshatra të tëra. Pasi qeveria e mbështetur nga Perëndimi ra së bashku me ekonominë, shumë burra në Qadis u larguan për në Herat, një qendër ekonomike rreth 100 milje larg, ose për në Iran, duke kërkuar punë. Pak e gjetën atë.
Kur vala e parë e të ftohtit shpërtheu muajin e kaluar, ai e shtyu qytetin buzë greminës. Pesëqind pacientë në ditë shkonin me pneumoni ose sëmundje ose lëndime të tjera të lidhura me të ftohtin, duke vërshuar klinikën shëndetësore të qytetit në numër rekord, sipas dr. Zamanulden Haziq, drejtori i klinikës.
Një banore, Taza Gul, 50 vjeç, doli jashtë në agim dhe e gjeti burrin të shtrirë në dëborë. Ai ishte rrëzuar gjatë rrugës për në shtëpi gjatë natës, disa orë më parë. Ndërsa fshiu borën nga ai, ajo pa që një krah dhe një këmbë ishin mavijosur; ai vdiq shpejt.
Në një fshat aty pranë, Gul Kadisi, 62 vjeçe, kaloi gati një muaj duke u përpjekur dëshpërimisht të siguronte kujdes mjekësor për nipin njëvjeçar, i cili kishte një kollë të pamëshirshme që e la atë të gulçonte për ajër. Rrugët ishin shumë të bllokuara nga bora për ndonjë makinë që t'i çonte në një klinikë ose spital. Më në fund ajo arriti ta çonte atë në spitalin rajonal në Herat, ku njësia e kujdesit intensiv për fëmijë, e drejtuar nga Mjekët pa Kufij, ishte e mbushur me njerëz për të dyfishuar kapacitetin e saj, me dy ose tre fëmijë të sëmurë për çdo shtrat. Mjekët i thanë se mezi ia kishte dalë në kohë; fëmija kishte qenë pranë vdekjes nga pneumonia.
"Ky dimër ishte dimri më i keq, më i keqi që kam përjetuar ndonjëherë", u tha ajo gazetarëve të “Times” këtë muaj, ndërsa nipi i saj po shërohej në një shtrat spitali pranë saj.

Të jetosh me thërrmija
Në këtë komunitet, si shumë në Afganistan, krizat e mbivendosura të një përplasjeje ekonomike, kequshqyerja dhe moti brutal i kanë dhënë fund çdo ndjenje lehtësimi pasi lufta e gjatë përfundoi përfundimisht në vitin 2021.
"Ne ishim të lumtur që luftimet mbaruan, por problemi është tani që nuk kemi para për të blerë ushqime apo dru për të na mbajtur ngrohtë", tha Chaman Gul, një nënë e tri vajzave, rreth të 30-ave. Djali i saj u vra shtatë vjet më parë nga ushtarët e qeverisë së mbështetur nga Perëndimi, të cilët pretendonin se ai kishte ofruar mbështetje për talebanët, tha ajo. Ai ishte 12 vjeç. Dy vjet më vonë, burri i saj, mbajtësi i familjes, u bë i paaftë nga një plumb qorr.
Gul dhe familja e saj jetojnë në një shtëpi me një dhomë që ndodhet përballë një kodre, 10 minuta në këmbë nga rruga kryesore e qytetit. Ata djegin pleh organik, të grumbulluar jashtë shtëpisë, në një sobë të improvizuar për ngrohje. Shtëpia është e zbukuruar me mbeturina që fëmijët gjetën gjatë udhëtimeve në qytet duke kërkuar gjëra për të djegur.
Kur filloi moti i ftohtë, pleqtë e fshatit u përpoqën të mblidhnin ushqim për familjen e Gulit dhe të tjerët në nevojë. Por shumica e prindërve në qytet kishin aq pak bukë dhe oriz, saqë tashmë po kalonin vaktet që fëmijët e tyre të mund të hanin. Nuk kishte mbetur asgjë për të ndarë.
Një pasdite të fundit qyteti po përgatitej për një tjetër të ftohtë. Burrat gërmuan kodrat aty pranë për sa më shumë shkarpa që mund të mbanin. Pleqtë i telefonuan furishëm barinjtë që ishin larguar me kopetë e tyre dhe u thanë të ktheheshin - malet ku ata shpresonin të gjenin kullota të përdorshme së shpejti do të mbuloheshin me borë të freskët.
Bahaulden Rahimi, bari 60 vjeç, ishte qe tri ditë në një udhëtim për të gjetur tokën ku delet e tij mund të kullosnin kur mori thirrjen paralajmëruese. I përhumbur nga tregimi i një bariu që kishte ngordhur me tufën e tij kur temperaturat ranë në janar, ai u kthye menjëherë në shtëpi.
Tani ai shqetësohet se thjesht ka vonuar fatin e kopesë së tij. Atij po i mbaronte ushqimi, çmimi i të cilit ishte më shumë se dyfishuar në tregun vendës muajt e fundit, tha ai. Ai kishte një kollë që po përkeqësohej çdo ditë dhe 13 nga 80 delet e tij tashmë kishin ngordhur nga i ftohti, një humbje afërsisht 3 mijë dollarë që kërcënoi edhe jetën e familjes së tij.
"Të humbasësh delen është si të humbasësh një anëtar të familjes", tha ai. "Kjo është gjithçka që kemi".
Përktheu: Forca Jashari