Botë

Digjen kuti të votimit në Oregon dhe Washington

Djegia e kutive te votimit ne Portland te SHBA-se

FBI-ja po heton pasi dy kuti votimi u përfshinë nga zjarri në zonën e Portlandit, Oregon, herët të hënën, raporton “BBC”. 

Qindra fletëvotime u dogjën në Vancouver, një qytet i vogël në shtetin e Washingtonit që gjendet rreth 16 kilometra nga Portlandit, pasi mediumet lokale raportuan se një pajisje ishte vendosur në pjesën e jashtme të një kutie votimi. 

Ndërkohë në pjesën juglindore të vetë Portlandit një pajisje ndezëse u vendos brenda një kutie, duke shkaktuar një zjarr të vogël që dëmtoi tri fletëvotime, sipas zyrtarëve. 

Policia tha në një konferencë për media të hënë se dy incidentet ishin të lidhura dhe se janë “shumë të ngjashme” me një përpjekje të pasuksesshme për t’i vënë zjarr një kutie të votimit në Vancouver më 8 tetor. 

Kutitë e dedikuara për votim përdoren në një numër të shteteve dhe qyteteve për t’iu lejuar votuesve të kryejnë votimin e hershëm pa pasur nevojë të presin në radhë të gjata në ditën e zgjedhjeve. 

Në shtator, Departamenti Amerikan i Sigurisë Kombëtare paralajmëroi se disa përdorues të rrjeteve sociale kanë promovuar shkatërrimin dhe sabotimin e kutive të votimit përpara zgjedhjeve. 

Fletëvotimet u morën për herë të fundit nga kutia në Vancouver të shtunën në mëngjes dhe zyrtarët lokalë kanë thënë se ata që kishin vendosur fletëvotimet në kuti që nga atëherë duhet të kontaktojnë zyrën lokale të komisionit zgjedhor. 

Greg Kimsey, zyrtar lokal që mbikëqyr zgjedhjet, tha se kutia e dëmtuar është zëvendësuar dhe zyrtarët po përpiqen të identifikojnë sa më shumë fletëvotime që të jetë e mundur që janë dëmtuar nga zjarri. 

Policia lokale ka thënë se do t’i rrisë patrullimet rreth kutive të votimet. 

“Shpresojmë që incidente të tilla të izoluara të mos ndodhin më”, tha Kimsey. 

Autoritetet në Portland thanë se po përpiqen t’i kontaktojnë votuesit që hodhën tri votat që u dëmtuan në incident, në mënyrë që të mund t’u jepeshin zëvendësime. 

Policia po ashtu ka publikuar foto të një veture që tha se është e lidhur me incidentet, një veturë e markës Volvo.

Zgjedhjet presidenciale në SHBA mbahen më 5 nëntor, ndërsa përballë do të jenë kandidatja demokrate Kamala Harris dhe ai republikan Donald Trump.


VIDEO