Një gjykatë ruse ka dënuar balerinën Ksenia Karelinan me 12 vjet burgim për tradhti pasi kishte dhuruar 51 dollarë për një organizatë bamirëse që përkrah Ukrainën, ka thënë “BBC”.
Karelina, që ka shtetësi amerikane dhe ruse, është deklaruar fajtore javën e kaluar pas një seance gjyqësore që u mbajt me dyer të mbyllura.
Ajo jetonte në Los Angeles dhe u bë shtetase amerikane në vitin 2021. Karelina u arrestua gjatë një vizite te familja e saj në janarin e kaluar në Yekaterinburg, rreth 1600 kilometra në lindje të Moskës.
Prokurorët kërkuan 15 vjet burgim. Gjykata në Yekaterinburg e shpalli fajtore për tradhti të lartë dhe e dënoi me 12 vjet burgim.
Karelina u akuzua nga shërbimi sekret rus FSB se ka mbledhur para për një organizatë ukrainase që ofron armë për ushtrinë e Ukrainës.
Organizata bamirëse, Razom, tha se “është e tmerruar” me lajmin e arrestimit të balerinës amatore.
Ajo doli në gjyq në qershor në gjykatën e njëjtë si Evan Gershkovich, gazetari i Wall Street Journal, që ishte burgos për spiuntazh por u lirua më herët këtë muaj si pjesë e një shkëmbimi të madh të burgosurve mes Perëndimit dhe Rusisë.
I dashuri i Karelinas, boksieri jug-afrikan Chris van Heerden, tha javën e kaluar se gjyqi ka qenë shqetësues dhe tronditës.
“Unë nuk mund as të imagjinoj se çfarë po kalon ajo”, tha ai.