Botë

Dhunë e abuzim seksual - Departamenti i Drejtësisë heton burgun më të madh në Tennessee

Dhunë e abuzim seksual - Departamenti i Drejtësisë heton burgun më të madh në Tennessee

Foto: Associated Press

Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së ka nisur hetim për burgun më të madh të Tennessees ku zyrtarët kanë thënë se dhuna dhe abuzimi seksual kanë kaluar pa u adresuar për vite.

Mes korrikut 2022 dhe qershorit 2023, Qendra Korrektuese Trousdale Turner në Hartsville u përball me të paktën 196 sulme, 90 incidente të sjelljeve të pahijshme seksuale, dy vrasje dhe 15 vdekje të tjera që qendra i quajti si “aksidentale”, ka thënë ndihmësprokurorja e përgjithshme e SHBA-së për të drejtat civile, Kristen Clarke.

Vetëm në tri javë në fillim të vitit 2024 pati katër therje, shtoi ajo.

Qendra korrektuese përmes një deklarate ka thënë se do të bashkëpunojnë plotësisht për hetimin.

Trousdale, që ka 2,500 të burgosur, ka pasur probleme që nga hapja më 2016, kur u detyrua të ndalonte marrjen e të burgosurve të rinj katër muajsh pas fillimit të operimit për shkak të një serie problemesh që përfshinin një therje. AP-ja ka raportuar se zyrtarët korrektues i numëronin gabimisht të burgosurit, nuk kontrollonin njësitë dhe i fusnin të burgosurit në izolim pa ndonjë arsye të dokumentuar.

Që atëherë, Trousdale është përballur me gjoba shtetërore prej miliona dollarësh.