Botë

Dhuna seksuale ndaj fëmijëve është rritur për 1000% në Haiti, sipas OKB-së

Dhuna seksuale ndaj fëmijëve është rritur për 1000% në Haiti, sipas OKB-së

Foto: Getty

Rregjimi i bandave në Haiti ka shkaktuar rritje të jashtëzakonshme në dhunën seksuale ndaj fëmijëve, ka njoftuar Organizata për Fëmijët e Kombeve të Bashkuara (UNICEF). 

Ishulli i Karaibeve ka qenë pre e dhunës së bandave për shumë vite, që kanë trajtuar popullsinë në mënyra shumë të dhunshme, sipas UNICEF-it.

Dhuna seksuale kundër fëmijëve është rritur për 1000% që nga viti 2023, duke i trajtuar trupat e tyre si “fushëbetejë”, ka deklaruar zëdhënësi i UNICEF-it James Elder, raporton “BBC”.

UNICEF-i vlerëson se 85% e kryeqytetit, Port-au-Prince, është nën kontroll të bandave. Më shumë se një milion fëmijë po jetojnë me kërcënimin konstant të dhunës. 

Elder dha shembullin e një vajze 16 vjeçe që kishte dalë nga shtëpia për blerje dhe ishte kapur nga burra të armatosur. Ajo ishte rrahur, droguar dhe përdhunuar disa herë. 

Ajo ishte mbajtur për një muaj, derisa banda e kishte lënë të lirë pasi kishin kuptuar se familja nuk kishte para për të paguar për lirimin e saj. Kidnapimet për shpërblime janë të shpeshta në Haiti. 

Tani ajo është në një strehimore të OKB-së me shumë vajza tjera. 

Kontrolli i banda në Port-au-Prince ka shkaktuar pothuajse kolaps të plotë të rendit dhe ligjit, kolaps i shërbimeve shëndetësore dhe shfaqjen e një krize për ushqim.

Më shumë se 5,600 persona janë vrarë vetëm vitin e kaluar si pasojë e dhunës së shkaktuar nga bandat në Haiti. 

Edhe fëmijët janë duke u rekrutuar nga bandat, nganjëherë me forcë, sipas UNICEF-it. 

Organizata ka hasur në anëtarë të bandave që janë 8 vjeç. 

Nevojat bazike të fëmijëve haitian për fëmijëri normale, edhe nëse ata janë akoma në shtëpi me familjet e tyre, nuk plotësohen sipas UNICEF-it. Shkollat dhe spitalet nuk janë plotësisht në funksion dhe dhjetëra mijëra fëmijë nuk janë në shkollë. 

Organizata ka krijuar hapësira të sigurta mobile në Haiti duke tentuar të mbështesë fëmijët, dhe të parandalojë dhunën seksuale. 

Por vitin e kaluar kur aplikoi për financim prej 221,4 milionë dollarë për punën e saj në Haiti, mori vetëm çerekun e saj. Ka frikë se tani pas ngrirjes së fondeve nga SHBA-ja të ndihmave humanitare në të gjithë botën, nevojat e Haitit do të neglizhohen përsëri.