Botë

Dhuna politike trondit SHBA-në përpara zgjedhjeve

zgjehtjet, SHBA

Ritmi i rasteve është shqetësues që nga fillimi i rritjes në vitin 2016, në kohën e kandidimit të parë presidencial të Donald Trumpit. Në vitin 2021, ku u përfshinë trazirat që i pasuan përpjekjet e Trumpit për ta përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020, pati 93 raste të dhunës politike, të ndjekura nga 79 në vitin 2022 dhe 76 në vitin 2023.

Në York të Pensilvanisë një burrë konfrontoi një grup njerëzish që u mblodhën për fushatën e zëvendëspresidentes dhe kandidates demokrate për presidente Kamala Harris, duke goditur me grusht në kokë një 74-vjeçar.

Në Michiganin verior një person i tërbuar nga urrejtja ndaj Donald Trumpit përdori automjetin për ta përplasur një burrë 81-vjeçar, i cili po vendoste një tabelë në oborr duke kërkuar rikthimin në pushtet të ish-presidentit.

Sulmet e fundit ishin midis të paktën 300 rasteve të dhunës politike të identifikuara nga “Reuters”, qëkur mbështetësit e Trumpit sulmuan Kapitolin në Washington, më 6 janar 2021. Të paktën 51 incidente janë regjistruar këtë vit. Kur kanë mbetur më pak se dy javë para zgjedhjeve presidenciale të 5 nëntorit, rastet janë pjesë e rritjes më të madhe të dhunës politike në SHBA, që nga vitet ‘70.

Disa nga rastet e dhunës kanë pasur ndikim më të madh, përfshirë këtu dy tentativat për vrasje ndaj Trumpit, kandidatit republikan. Incidente të tjera të profilit të lartë përfshijnë të shtëna në javët e fundit në një zyrë të fushatës demokratike për Harrisin, në Arizona.

Ritmi i rasteve ka mbetur jashtëzakonisht i lartë që nga fillimi i rritjes së tyre në vitin 2016, në kohën e kandidimit të parë presidencial të Trumpit. Në vitin 2021, që përfshinte trazirat që i pasuan përpjekjes së Trumpit për ta përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020, pati 93 raste të dhunës politike, të ndjekura nga 79 në vitin 2022 dhe 76 në vitin 2023.

Njohësit e ekstremizmit politik paralajmërojnë se atmosfera e ngarkuar rreth zgjedhjeve presidenciale të vitit 2024 ka krijuar një situatë shumë të paqëndrueshme. Në veçanti Trumpi përdor shpesh retorikë nxitëse duke kërcënuar se do t’i gjykojë armiqtë e tij politikë dhe do të vendosë ushtrinë kundër "të majtës radikale" duke i quajtur ata "armiku i brendshëm".

Amerikanët kanë filluar ta shohin dhunën si "mënyrë se si ndodh politika", sipas Nealin Parker, e cila drejton “Common Ground USA”, një organizatë jofitimprurëse që studion mënyrat për të kapërcyer ndarjet politike dhe kulturore në Amerikë. Në klimën aktuale të mosbesimit, shtoi ajo, "incidentet e dhunës mund të përshkallëzojnë në diçka më të madhe".

Robert Pape, një profesor i Universitetit të Çikagos që studion dhunën politike, shprehu shqetësimin për mundësinë e dhunës paszgjedhore në shtetet  ku diferenca e fitores mund të jetë disa mijëra vota. Ai e krahasoi atë me "një sezon zjarresh" me shumë "material të djegshëm të thatë" dhe "potencial për goditje rrufesh".

Vetë Trumpi ka refuzuar ta përjashtojë mundësinë e dhunës nëse humb në zgjedhjet e nëntorit. Kur u pyet nga revista “Time” në prill, nëse ai priste se mund të ketë dhunë pas zgjedhjeve, ai tha se: "Nëse nuk fitojmë, e dini, varet." Ai u ka thënë mbështetësve se çdo humbje në garën e këtij viti do të ishte për shkak të mashtrimit.

Shtabi i Harrisit nuk iu përgjigj kërkesës për koment. Shtabi i Trumpit, kur u pyet për rritjen e vazhdueshme të dhunës politike dhe sulmet e fundit kundër Harrisit dhe mbështetësve të Trumpit, dha një deklaratë që sulmonte Harrisin për reformën e imigracionit dhe drejtësisë penale.

“Duke bërë pjesën time”

Rasti i profilit më të lartë i dhunës së fundit politike ishte përpjekja e parë për vrasjen e Trumpit në një tubim zgjedhor më 13 korrik në Pensilvani. Sulmuesi, Thomas Crooks, u vra në vendngjarje. Ai nuk kishte "ideologji definitive", konstatuan hetuesit.

Agjencitë e zbatimit të ligjit u vunë në gatishmëri për dhunë të mundshme hakmarrëse nga mbështetësit e Trumpit. Pati disa incidente shqetësuese, duke përfshirë një burrë në Florida, i cili i tha gruas së tij se ishte "përgatitur për luftë" pas të shtënave dhe ishte larguar nga shtëpia me armë të shumta, sipas raporteve të policisë. Ai më pas ishte gjetur duke fshehur në një park publik një kuti të mbushur me armatim. Policia sekuestroi shtatë pushkë dhe pistoleta dhe e dërgoi burrin në spital për një vlerësim të shëndetit mendor.

Por zemërimi nuk u kufizua vetëm te mbështetësit e Trumpit.

Në ditën e atentatit, Joshua Kemppainen, qa ka pranuar se ka urrejtje ndaj  Trumpit, kishte përshkallëzuar në një bisedë private me miqtë në aplikacionin e mesazheve Discord. 

"Goxha bukur", shkroi Kemppainen mbi një foto ku dukej Trumpi i gjakosur. 

Kemppainen, 22 vjeç dhe i papunë, shkoi në një ngjarje vandalizmi tetë ditë më vonë në qytetin e tij të Hancock, me popullsi prej 4.500 njerëz, i cili kryesisht mbështeti Trumpin në zgjedhjet e vitit 2020.

Më 21 korrik, kur presidenti amerikan Joe Biden u largua nga gara presidenciale dhe dha miratimin që Harrisi ta zëvendësonte, Kemppainen po voziste një veturë nëpër rrugë duke synuar të godiste mbështetësit e Trumpit, ka thënë shefi i Departamentit të Policisë Hancock, Tami Sleeman, në një intervistë.

Ai vandalizoi një veturë që kishte një afishe me Trumpin, duke ia shpërthyer gomat, duke ia dëmtuar një pasqyrë anësore dhe duke ia thyer xhamat. Ai dëmtoi gjithashtu një kamion. Ai postoi një video të një sulmi në Discord me komentin "duke bërë pjesën time". Më pas ai dëmtoi disa tabela me profil të Trumpit. 

Të nesërmen Kemppainen i telefonoi policisë së Hancock.

"Po bëj thirrje për të rrëfyer një krim”, kishte shkruar ai në një mesazh që përshkruante tërbimin e tij, sipas një regjistrimi të policisë. 

“Pra, nëse mund të dërgoni dikë që të më merrte. E vlerësoj”, thuhej më tej në mesazh.
Kur policia dëgjoi postën zanore dy orë më vonë, ata u shqetësuan se telefonuesi dukej i pabalancuar dhe dërgoi gjashtë oficerë, sipas Sleeman. Në kohën kur mbërritën, Kemppainen kishte qëlluar për vdekje veten me një pushkë, thuhet në një raport të policisë. 

Babai i tij ka thënë se Kemppainen ishte duke marrë ilaçe kundër depresionit dhe gjithashtu kishte një diagnozë të autizmit, thuhej më tej në raport. Në një intervistë, një anëtar i familjes konfirmoi se Kemppainen kishte probleme me shëndetin mendor.

Më 15 shtator, një tentativë e dytë për vrasjen e Trumpit ripërqendroi vëmendjen te rreziku i dhunës politike në zgjedhjet e këtij viti. I dyshuari Ryan Routh kishte pritur për orë të tëra me një pushkë pranë fushës së golfit të Trumpit, në West Palm Beach, kur një agjent i Shërbimit Sekret e pa atë në shkurre dhe gjuajti në drejtim të tij. Routh iku, mirëpo u kap shpejt.

Njëmbëdhjetë ditë më vonë në Pensilvania, një fushëbetejë e nxehtë zgjedhore, Alan Vandersloot, një 74-vjeçar këshilltar i bashkisë lokale, po mbante në dorë një shenjë në mbështetje të Harrisit, teksa ndodhej në mesin e dhjetëra mbështetësve të saj në një tubim në York, një qytet me gati 45.000 banorë, në një qark që mbështeti gjerësisht Trumpin në vitin 2020.

Ndërsa tubimi po përfundonte, Vandersloot i tha Reutersit se një burrë e kapi nga pas dhe e përplasi në trotuar, duke ia hapur një plagë prej dy centimetrash në ballë. Sulmuesi Robert Trotta goditi Vandersloot në mënyrë të përsëritur përpara se të ikte, thanë dy dëshmitarë në intervista.

Kur një tjetër pjesëmarrës në tubim, Dan Almoney, e ndoqi, Trotta e quajti atë "një mbështetës", tha Almoney. Almoney e interpretoi sharjen si një referencë ndaj Harrisit dhe mbështetësve të saj. 

Trotta nuk ka bërë ende një deklaratë mbi akuzat për sulm dhe ngacmim, tregojnë të dhënat e gjykatës. Avokati i tij nuk pranoi të komentonte. Trotta është një republikan i regjistruar, sipas të dhënave shtetërore. Postimet e tij në mediat sociale, nga një llogari e fundit aktive në vitin 2020, mbështetën Trumpin dhe kritikuan demokratët.

Një zëdhënës i Departamentit të Policisë së qytetit të Yorkut, kapiteni Daniel Lentz, ka thënë se ai nuk besonte se sulmi i Trottës ishte "i motivuar politikisht", sepse Trotta më parë u deklarua fajtor për dy raste ngacmimesh në të cilat ai goditi njerëz të rastësishëm. Raporti i policisë, megjithatë, nuk përfshinte deklarata nga Vandersloot dhe Almoney, të cilët të dy thanë se besonin se sulmi ishte politik. Lentz ka thënë se nuk e dinte pse policia nuk i regjistroi deklaratat e tyre.

Çështje të reja, dhunë e re

Nuk ka të dhëna qeveritare për dhunën politike, megjithëse disa universitete dhe grupe private kërkimore e gjurmojnë atë në mënyra të ndryshme, duke përdorur zakonisht databazën e krijuar nga raportimet në media. Shumica nuk kanë nxjerrë të dhëna gjithëpërfshirëse që nga viti 2020.

300 rastet e identifikuara nga Reuters u hoqën nga të dhënat për mijëra krime të dhunshme që nga sulmi i Kapitolit të vitit 2021. Shumica e këtyre të dhënave u kapën fillimisht nga Projekti i të Dhënave të Vendndodhjes dhe Ngjarjeve të Konflikteve të Armatosura, një projekt global për gjurmimin e dhunës i drejtuar nga një grup kërkimor jopartiak në Wisconsin. Gazetarët identifikuan raste shtesë duke përdorur databazën, dosjet gjyqësore dhe raportet e policisë të marra përmes kërkesave për qasje në dokumentet zyrtare.

Disa nga rastet nuk ndahen sipas linjave tradicionale, duke përfshirë ato që lidhen me mosmarrëveshjet mbi luftën midis Izraelit dhe Hamasit në Gazë.

Një rast i tillë ishte muajin e kaluar kur Caleb Gannon, një propalestinez, kritik i mbështetjes së Qeverisë së SHBA për Izraelin, filloi të kundërshtonte një tubim proizraelit në Newton, Massachusetts.
Një video tregon Gannon duke bërtitur, "Ju po mbështesni gjenocidin!" përpara se të vraponte në turmë dhe të merrej me Scott Hayes, një mbështetës i zjarrtë i Izraelit.

Në fillim të këtij viti, Hayes, një veteran i luftës së Irakut, postoi një foto në rrjetet sociale të një pistolete me mesazhin "Hej urrejtës të hebrenjve, hajdeni!” 

Ndërsa ata u përleshën, Hayes qëlloi Gannonin në bark.

Hayes, 47 vjeç, është në pritje të gjyqit pasi u deklarua i pafajshëm për sulmin me një armë të rrezikshme. Prokurori i qarkut ka thënë se akuzat për një sulm do ta ndiqnin edhe Gannon, 31 vjeç, i cili mbetet në spital. 

Raste të tjera janë të lidhura drejtpërdrejt me zgjedhjet.

Më 26 shtator, një burrë nga Miçigan u arrestua për sulm ndaj një punonjëse të Shërbimit Postar të SHBA-së, i cili dërgoi në shtëpinë e tij një fletushkë të fushatës së Harris. Punonjësja e postës ishte në kamionin e saj kur Russell Valleau, 61 vjeç, iu afrua me një biçikletë, duke bërtitur se "nuk e donte atë 'k.... me ngjyrë' në kutinë e tij postare", sipas të dhënave të policisë dhe një deklarate nga prokurori i Oakland County.

Kur punonjësja e postës, e cila është një afro-amerikane po ashtu, i tha Valleau të tërhiqej, ai e quajti atë një "k.... me ngjyrë" dhe tentoi ta godiste me thikë, sipas dëshmisë së saj në Departamentin e Policisë, Farmington Hills. Ajo e spërkati atë me produkt për largimin e qenve dhe ai u tërhoq. 

“Sapo më erdhi një burrë me thikë dhe u përpoq të më godiste”, ka thënë ajo pak çaste më vonë në një telefonatë me policinë, sipas një regjistrimi të siguruar nga Reuters.
"Unë e spërkata atë”, ka deklaruar ajo.

Policia raportoi se e gjeti Valleaun të shtrirë në një oborr aty pranë, duke vuajtur nga efektet e produktit kimik. Ai është deklaruar i pafajshëm për akuzat e sulmit. 

Në një rast tjetër këtë verë, katër burra të bardhë u afruan te një shtëpi rurale në bregdetin e Karolinës së Veriut dhe pyetën tre adoleshentë afro-amerikanë "nëse u pëlqente Donald Trumpi", sipas një raporti nga zyra e Sherifit të Qarkut Pasquotank. 

Kur të rinjtë thanë "Jo", thuhet në raport, burrat gjuajtën me armë zjarri në drejtim të tyre, duke goditur një të ri në këmbë dhe një tjetër në të pasme. Të shtënat kanë thyer gjithashtu xhamat e një kasolleje dhe një veture.

Kamioni ishte larguar. Policia është duke e hetuar rastin si sulm me armë vdekjeprurëse dhe nuk ka asnjë të dyshuar. Të miturit pësuan lëndime të lehta dhe nuk pranuan trajtim mjekësor.

Christian Gilyard, babai i të rinjve, ka thënë se tensionet politike janë bërë më të theksuara që nga zgjedhjet e kontestuara të vitit 2020, por ai kurrë nuk priste probleme në lagjen e tij. 

"Është tronditëse që diçka e tillë të ndodhte këtu”, është shprehur ai.