Ndryshe nga vitet 1970, shumica e rasteve të dhunës politike të së sotmes synon njerëzit, në vend të pronës, dhe pjesa më e madhe e shpërthimeve të fundit vdekjeprurëse, të gjurmuara nga Reutersi, kanë ndodhur nga persona të afërt me të djathtën politike. Rasti kryesor: mbështetësi i Trumpit që vrau një fqinj për të cilin dyshonte se ishte demokrat
Teksa bashkëshorti i Kristen Kingut po qëndronte i shtrirë përtokë në oborrin e shtëpisë i vdekur shkaku i tri të shtënave me armë që i mori në kokë, operatori i emergjencës po pyeste: A e dinte se kush e vrau apo përse?
Nën lot, ajo e identifikoi sulmuesin si fqinjin e saj në qytetin e vogël të Okeanas në Ohio.
“Emri i tij është Austin Combs”, mërmëriti ajo. “Erdhi diku rreth katër herë për t’u konfrontuar me bashkëshortin tim, ngase mendonte se ai ishte demokrat”.
Pastaj zëri iu thye. “Pse?”, dëgjohet King tek rënkon në xhirimin e bisedës, përderisa has në vështirësi që të marrë frymë. “Ai është dashuria e jetës sime!”.
Vrasja e Anthony Kingut më 5 nëntor është një prej 213 rasteve të dhunës politike, të identifikuara nga Reutersi që nga sulmi i 6 janarit të 2021-s që u ndërmor nga mbështetësit e ish-presidentit, Donald Trump, në Capitol të Shteteve të Bashkuara. Tre akademikë, që i rishikuan rastet, thanë se ato përbëjnë dëshmi shtesë se Amerika po ballafaqohet me rritjen më të madhe dhe më të qëndrueshme të dhunës politike që nga vitet 1970.
Dhuna ka lënë të vrarë të paktën 39 persona, përfshirë Kingun, duke tronditur aspekte të shumta të jetës amerikane, nisur nga tubimet e vogla e deri te ngjarjet publike të përmasave më të mëdha. Disa prej vdekje pasuan mosmarrëveshjet tek e tek, sikurse përleshja fatale e vitit të kaluar midis dy burrave nga Florida që debatonin rreth hesapeve afariste të Trumpit. Të tjera ndodhën në mjedise publike, si ajo e vrasjes së pesë protestuesve të drejtësisë sociale në Portland vitin e shkuar nga një njeri i ngujuar në retorikën politike të së djathtës ekstreme. Vrasjet masive me motive politike morën 24 jetë, përfshirë vrasjen e 10 afro-amerikanëve në Buffalo në maj të 2022-s, nga një supremacist i bardhë që bëri thirrje për luftë racore.
“Incidentet e dhunës politike nisën të rriteshin në vitin 2016, rreth kohës së kandidimit të parë të Trumpit për president”, thotë Gary LaFree, kriminolog në Universitetin e Marylandit, i cili ka gjurmuar një bazë të dhënash mbi terrorizmin midis viteve 1970 dhe 2020. “Dhuna politike u rrit brenda një dekade, duke filluar nga fundi i viteve 1960 – vetëm në vitin 1970 u raportuan më shumë se 450 raste”, ka shtuar LaFree.
Por rastet më pas u rrallua deri në vitin 1980. Kishte disa çështje në vitet 1990, duke përfshirë bombardimin e ndërtesës federale të Oklahoma City në vitin 1995, ku mbetën të vdekur 168 persona, në atë që Byroja Federale e Hetimit e përshkroi si aktin më të keq të terrorizmit në vend. Dhuna politike filloi të rritej përsëri në vitin 2016, shpjegoi LaFree, dhe “nuk duket se kemi arritur ende majën e dallgës së saj”.
Dallimet e dhunës ndër vite
Kjo dallgë dallon si në qëllimet ashtu edhe në mjetet e saj.
“Në fillim të 1970-ave, dhuna politike u ushtrua më shpesh nga radikalët e majtë dhe u përqendrua kryesisht në shkatërrimin e pronës, si ndërtesat qeveritare”, bëri të ditur Rachel Kleinfeld, e cila studion konfliktin politik dhe ekstremizmin në Carnegie Endowment for International Peace.
“Kishte shumë, shumë bombardime, por zakonisht gjatë natës ose pas paralajmërimeve. Qëllimi nuk ishte të vrisnin njerëz; ishte për të ndikuar në vendime nga politikëbërësi”, thotë ajo.
Për dallim prej atëherë, dhuna politike e së sotmes ka në cak qëllim njerëzit ndërkaq shumica e shpërthimeve vdekjeprurëse, të gjurmuara nga Reutersi, kanë buruar nga e djathta. Nga 14 sulmet politike me fatalitet që prej trazirave të Capitolit, në të cilat autori apo i dyshuari pati prirje të qartë vrasjet, 13 ishin sulmues të krahut të djathtë. Njëri ishte i së majtës.
Shpjegimet për dhunën e së sotmes ndryshojnë, duke nisur nga ankthi i përhapur financiar dhe trazirat e pandemisë COVID-19 deri te shqetësimi për ndryshimin e demografisë racore dhe etnike të Amerikës e ashpërsimi i retorikës politike në epokën e Trumpit. Ndarjet tradicionale, të rrënjosura zakonisht në dallimet politike midis të djathtës dhe të majtës, ia lanë vendin perceptimit se anëtarët e partisë politike kundërshtare janë forcë e keqe e prirë për të shkatërruar strukturën sociale dhe kulturore të Amerikës, tregojnë sondazhet e fundit.
Në një sondazh të Reuters/Ipsos me afro 4.500 votues të regjistruar në maj, afërsisht 20 për qind e të anketuarve demokratë dhe republikanë e quajtën dhunën “të pranueshme” nëse kishte qëllim “për të arritur idenë time për një shoqëri më të mirë”. Por kjo ndjenjë alarmon shumicën e amerikanëve: rreth 65 për qind e të anketuarve në një sondazh tjetër të Reuters/Ipsos në mars dhe në prill shprehën shqetësimin për “aktet e dhunës të kryera kundër njerëzve në komunitetin tuaj, për shkak të bindjeve të tyre politike”.
“Lufta politike”
Kërcënimet e dhunës dhe retorika frikësuese u rritën pasi Trumpi i humbi zgjedhjet e 2020-s dhe pretendoi në mënyrë të rreme se votat i ishin vjedhur. Pjesa më e madhe e këtij aktiviteti synonte punonjësit e zgjedhjeve, siç dokumentoi Reutersi në një seri raportesh të 2021-s.
Akademikët, zyrtarët zgjedhorë dhe agjencitë e zbatimit të ligjit shohin më shumë shkaktarë të mundshëm. Debatet e forta mbi çështjet si aborti dhe të drejtat e transgjinorëve po nxisin armiqësi mes të djathtës dhe të majtës. Dhe aktakuzat penale të ngritura ndaj Trumpit për keqpërdorim të të dhënave të klasifikuara dhe për komplotin për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve të 2020-s po intensifikojnë inatin partiak mbi fushatën e tij për të rimarrë Shtëpinë e Bardhë. Disa zyra zgjedhore vendore madje instaluan xhama antiplumb dhe dyer sigurie në kohën e vlugut të kërcënimeve për dhunë.
Nuk ka asnjë raport zyrtar se sa amerikanë vdesin çdo vit nga dhuna politike.
Dhuna e kësaj natyre nuk gjurmohet në të dhënat e krimit federal apo atij lokal. Të paktën gjashtë universitete dhe grupe kërkimore e dokumentojnë problemin në bazat e të dhënave të ndërtuara mbi raportet e lajmeve, dosjet gjyqësore, mediat sociale dhe deklaratat e policisë. Por përkufizimet e tyre për dhunën politike ndryshojnë. Disa përfshijnë dhunën policore dhe krimet e rastësishme të urrejtjes. Të tjerët përjashtojnë të dhëna të tilla. Dhe me institucionet relativisht të pakta që gjurmojnë dhunën, shumica nuk kanë nxjerrë të dhëna të plota që nga viti 2020.
I udhëhequr nga dhjetëra specialistë dhe akademikë, Reutersi e përkufizoi dhunën politike si një incident të lidhur me zgjedhje apo me mosmarrëveshje politike partiake, ose si akt të paramenduar, të nxitur nga ideologjia e identifikueshme. Nuk u përfshinë krimet e rastësishme të urrejtjes dhe dhuna që ngërthen policinë, si vrasjet nga oficerët ose taktikat agresive të kontrollit të turmës në protesta.
Gazetarët e përdorën atë përkufizim për të identifikuar rastet nga një univers prej më shumë se 600 incidentesh të dhunshme që nga 6 janari 2021, kur një turmë protestuesish pro-Trumpit sulmuan Capitolin e SHBA-së, në një nga aktet më të mëdha të dhunës politike në historinë moderne amerikane.
E djathta politike kryeson
Disa incidente rrokën kryetitujt e gazetave, sikurse sulmi ndaj Paul Pelosit dhe një seri të shtënash që synonin ligjvënësit demokratë në New Mexico, në dhjetor dhe në janar. Mediat njashtu mbuluan tri vrasje masive që Reutersi i klasifikoi si dhunë politike – një pjesë e vogël e dhjetëra të shtënave masive në të gjithë SHBA-në që nga fillimi i vitit 2021. Por shumë sulme politike ishin në nivel komuniteti, të drejtuara ndaj politikanëve vendas, aktivistëve dhe kalimtarëve të rastësishëm dhe morën pak vëmendjen e publikut. Edhe ato që rezultuan me fatalit shpesh shkaktuan pak më shumë se një devijim në radarin kombëtar.
Në përgjithësi, Reutersi dokumentoi 140 sulme fizike dhe konfrontime të dhunshme që përfshinin armë, thika, sprej, makina dhe grushte. Disa përfshinin demonstrues rivalë në protesta. Të tjera ishin mosmarrëveshje individuale, si për shembull përleshja që la të vdekur Shawn Poppin, vitin e kaluar në Florida.
Popp ishte në shtëpinë e një miku të tij, duke pirë duhan, kur filloi të debatonte me vizitorin tjetër, Donald Henry, për aftësitë e biznesit të Trumpit, sipas raporteve të policisë. Popp argumentoi se disa nga sipërmarrjet e Trumpit kanë falimentuar; Henry i fajësoi për dështimet partnerët e biznesit të Trumpit. Të dy filluan të ziheshin dhe Henry, i cili po mprehte një thikë kuzhine, e theri në gjoks Poppin, sipas policisë.
Henry më vonë i tha policisë se Poppi e kishte goditur në fytyrë, kështu që e përdori thikën për “vetëmbrojtje”. Ai është deklaruar i pafajshëm dhe pret gjykimin për akuzat për vrasje.
Shumica e rasteve të dhunës politike me fatalitet, të identifikuar nga Reutersi, u kryen nga njerëz që përqafuan pikëpamjet e ekstremit të djathtë.
Ka pasur gjithsej 18 sulme politike vdekjeprurëse që nga trazirat e Capitolit, nga të cilat të vrarë mbetën 39 persona dhe tetë autorë, zbuloi Reutersi.
Në 13 nga incidentet, me 34 të vdekur, autorët ose të dyshuarit artikuluan motive apo pikëpamje të qarta të krahut të djathtë. Katër persona të tjerë vdiqën në katër incidente që ishin politike, por jo të lidhura me politikën partiake të SHBA-së.
Vetëm një nga incidentet fatale u krye nga një i dyshuar i identifikuar qartë me të majtën politike: një rast vitin e kaluar, në të cilin Robert Telles, një administrator publik demokrat në Nevada, akuzohet për therjen dhe vrasjen e një gazetari të Las Vegasit që kishte shkruar shkrime kritike për sjelljen e Tellesit gjatë kohës sa ishte në detyrë. Tellesi është deklaruar i pafajshëm dhe është në pritje të gjykimit. (Përktheu: Forca Jashari)