Policia australiane tha se i ka kryer dhjetëra arrestime duke u shërbyer nga informacione të aplikacionit “Ghost”, që mundësoi komunikim global të koduar mes kriminelëve.
Administratori i aplikacionit, Jay Je Yoon Jung, u arrestua me akuzën se është i përfshirë në një organizatë kriminale, e AP ka raportuar se Jung s'ka kërkuar lirim me kusht, por të qëndrojë në paraburgim deri në nëntor kur do të nisë gjykimi.
“38 të dyshuarit e arrestuar janë kapur pas një bastisjeje masive në katër shtete. Ne pretendojmë se qindra kriminelë, përfshirë krimin e organizuar italian, anëtarë të bandave të motoçikletave, krimin e organizuar në Lindje të Mesme dhe krimin e organizuar në Kore, kanë përdorur aplikacionin ‘Ghost’ për të importuar drogë të paligjshme dhe për të urdhëruar vrasje”, ka deklaruar zëvendëskomandanti i Policisë Federale Australiane, Ian McCartney.
Policia australiane tha se ka parandaluar që 50 persona të vriteshin, rrëmbeheshin ose të lëndoheshin rëndë, derisa ka monitoruar 125.000 mesazhe dhe 120 videothirrje që nga marsi. Ajo kishte marrë qasje në aplikacion dhe i kishte lidhur pajisjet e saj me qëllim të vëzhgimit së komunikimeve mes të dyshuarve.
Pretendohet se Jung ka zhvilluar aplikacionin posaçërisht për ta përdorur në raste kriminale që nga 2017-a.