Botë

Detaje të reja për sirianin Issa al H. që dyshohet se kreu sulmin me thikë në Solingen

Issa al H. duke u transportuar me hekikopter

Rreth 26 orë pas sulmit me thikë në Solingen të Gjermanisë, i dyshuari Issa al H. iu dorëzua një patrulle policore. 

“Unë jam ai që kërkoni”, raportohet t’i ketë thënë ai policëve.

Rrobat e tij ishin të ndotura dhe gjakosura. Ai më parë ishte fshehur në oborrin e një shtëpie për disa orë. 

Siriani 26-vjeçar mesa duket bëri një gabim vendimtar, siç shkruan “Bild”. Pas sulmit, në të cilin vrau tre persona dhe plagosi disa tjerë, ai hoqi xhaketën e tij me njolla gjaku, por harroi ta hiqte nga ajo portofolin dhe dokumentet e tij. 

Duhej të deportohej në Bullgari

Siç mëson “Focus” nga qarqet e sigurisë, Issa al H. fillimisht u fsheh në qendër të refugjatëve. Ai nuk qëndroi gjatë atje. Me sa duket e kishte kuptuar se hetuesit do të shfaqeshin së shpejti për shkak të dokumenteve që i kishte hedhur. Kur hetuesit kontrolluan dhomën e tij, ata gjetën këllëfin e thikës me të cilën kishte kryer vrasjet. Sipas “Bild”, ai kishte marrë një thikë në qendrën e refugjatëve. E përdori atë duke “shënjestruar qafën e viktimave”, siç tha policia në konferencë për media të shtunën. 
Issa al H. është nga qyteti lindor sirian Drei al-Sor. Menjëherë pas hyrjes në Gjermani në fund të dhjetorit të vitit 2022, ai aplikoi për azil, siç njofton “Spiegel”. 

Sipas rregullave të Dublinit, ai duhej të binte nën juridiksionin e Bullgarisë, prandaj autoritetet gjermane paraqitën kërkesën për ta deportuar atë. Por, Issa al H. u fsheh përpara se të dëbohej. “Spiegel” tregon se nuk kishte pasur asnjë njoftim për arrestimin e tij. Afati për dëbimin në Bullgari skadoi në gusht të vitit 2023. Që nga atëherë Gjermania ishte përgjegjëse për të. 

Nuk njihej si ekstremist

Shteti Islamik mori përgjegjësinë të shtunën mbrëma për sulmin. Tha se Issa al H. ishte anëtar i kalifatit dhe se ka vepruar për hakmarrje për “myslimanët në Palestinë”. Por, kjo nuk thotë asgjë për motivin më të thellë, tha për “Focus” një kriminolog dhe analist gjerman. Ai dyshon se Issa al H. ka vepruar i vetëm. 

“Sjellja e tij më duket e çorganizuar”, thotë eksperti. 

Si shembull ai përmend veshjet e lyera me gjak që i mbante siriani kur u arrestua. Ai thotë se siriani nuk kishte bërë asnjë përgatitje për momentet pas kryerjes së krimit. 

Zyra e Prokurorisë Federale të Gjermanisë tani po heton, ndër të tjera, dyshimin për anëtarësimin e tij në IS dhe për vrasje. 

Të dielën, Issa al H. u dërgua me helikopter në Karlsruhe, ku u soll para një gjyqtari hetues në Gjykatën Federale. 

Ai tash është në paraburgim. 

26-vjeçari sirian ndante ideologjinë e organizatës terroriste IS dhe deri më tash nuk  dihet saktësisht se kur iu bashkua, ka thënë Zyra e Prokurorisë Federale. 
Ai nuk njihej nga autoritetet si ekstremist. 

Dy burra, të moshave 56 dhe 67 vjeç dhe një grua 56-vjeçare u vranë në sulmin me thikë të së premtes. Tetë persona mbetën të plagosur, katër në gjendje të rëndë.