Shumë prindër ndihen të detyruar t’i shtyjnë fëmijët të martohen, për shkak të besimeve të tyre ose të presionit të komunitetit. Këtë fat e pati Ruqia Haidari, nga Afganistani. Nëna e saj, Sakina Muhammad Jan, e ka detyruar atë të martohej me një burrë të panjohur, duke menduar se do të jetë në interesat e saja më të mira. Por fatkeqësisht, ai e vrau Haidarin disa javë pas martesës. E tani Sakina, e dënuar me burgim, rrezikon vizën, reputacionin dhe respektin e komunitetit.
Ruqia Haidari ishte më e vogla nga pesë fëmijët në familje. Ajo lindi në Afghanistan në vitin 1999, një muaj para se babai i saj, shitës i pemëve dhe perimeve, të vritej nga talebanët.
Aq e dëshpëruar ka qenë nëna për t’i mbrojtur fëmijët e saj, saqë ka fluturuar me katër fëmijët më të vegjël – të gjithë nën moshën 5-vjeçare – së pari në Pakistan e pastaj në Australi, ku u vendosën në Shepparton, qytezë rajonale në Viktorian veriore në vitin 2013.
Australia u ka ofruar fëmijëve mundësitë që nëna e tyre, Sakina Muhammad Jan, nuk i ka pasur kurrë. Ata kanë shkuar në shkollë, kanë mësuar anglisht dhe kanë bërë shokë jashtë komunitetit Hazara, pakicë etnofetare me histori të gjatë persekutimi në Afganistan.
Por pas një dekade, Haidari u vra, dhe nëna e saj sapo ka kaluar javën e parë të dënimit prej tre vjetësh, meqë e ka detyruar të martohet me një burrë kundër dëshirës së saj. Ruqia Haidari donte të studionte e punonte
Sakina është personi i parë në Australi që është dënuar për martesë të detyruar prej se është bërë krim në vitin 2013.
“Ti ishe prindi i besueshëm dhe i vetëm i viktimës. Ishte akti yt që e shtyu atë në martesë”, ka thënë gjyqtarja, Fran Dalziel në Gjykatën e Qarkut të Viktorias.
Krimi merr dënimin maksimal prej shtatë vjetësh burgim për viktimat mbi moshën 18-vjeçare, por Sakina është dënuar me tre, e mund të lirohet me kusht pas një viti.
Që nga atëherë, fjalët për dënimin janë shpërndarë, kryesisht për prindërit që ndihen të detyruar t’i shtyjnë fëmijët të martohen, për shkak të besimeve të tyre ose të presionit të komunitetit.
“Kjo shkaktoi shumë frikë, shumë ankth në komunitetin tonë”, ka thënë Helena Hassani, eksperte në martesat e detyruara në Australi dhe themeluese e “Boland Parwaz”, organizatë që përpiqet t’u japë fund martesave të fëmijëve dhe atyre të detyruara. “Ditën që ajo u dënua, familja jonë është mbledhur. Shumë gra të moshës së mesme, që nuk kanë folur për këto gjëra, më pyesnin çfarë do të ndodhë? A do të shkojë ajo në burg? U thash po, u dënua, dhe ju duhet të bëni shumë kujdes, sepse martesat e detyruara janë ilegale në Australi. Dhe u zverdhën, sepse e di që të paktën një nga vajzat e tyre është duke u detyruar të martohet në Australi”.
Dënim i përjetshëm
Martesat e detyruara konsiderohen formë e dhunës gjinore që i prek kryesisht vajzat e reja, ku kontrolli i jetës së tyre kalon pa pëlqim nga prindërit te partneri. Kjo mund të çojë në dekada të tëra abuzimi fizik dhe psikologjik, dhe në disa raste vetëvrasje ose vrasje.
Gjatë gjashtë vjetëve të fundit, Policia Federale Australiane (AFP) ka marrë 531 raporte të martesave të detyruara në Australi, shumica e vajzave të mitura, nën moshën 18-vjeçare.
Haidari ka qenë një prej tyre.
Ajo u njoftua me burrin e ardhshëm, Mohammad Ali Halimi, më 1 qershor 2019, dhe ditën tjetër ka filluar t’i shprehë kundërshtimet te miqtë, instruktori i vozitjes, mësuesit e në fund në polici.
Oficerët kanë folur me të më 19 gusht, por ditën tjetër është thirrur një mullah, duke konfirmuar fejesën e çiftit.
Halimi e ka paguar familjen e saj 15 mijë dollarë australian (9700 dollarë).
Halimi është rikthyer në shtëpinë e tij në Perth të Australisë Perëndimore, nën pajtimin se gruaja e tij do t’i bashkohej kur ta përfundonte shkollën e mesme.
“Në komunitetin, kulturën tonë, kemi këtë thënie se gratë duhet të largohen nga shtëpia e prindërve me fustan të bardhë, fustani i nusërisë, dhe duhet të largohen nga shtëpia e burrit me arkivol të bardhë”, ka thënë Hassani.
Dhe pikërisht kjo i ndodhi Haidarit.
Në janar të vitit 2020, disa javë pas festës së martesës me 500 të ftuar në Shepparton, Halimi e vrau atë.
Në shtëpinë në Perth, ai ka qenë duke argumentuar me vëllain e Haidarit në telefon, dhe kur telefonata ka përfunduar, të sapomartuarit e palumtur kanë vazhduar grindjen.
Sipas dokumenteve të gjyqit, Haidari i ka thënë atij të “shkonte në djall”, çka e ka shtyrë atë ta kapte thikën e kuzhinës dhe ta therte me aq forcë, duke i prerë dy arterie.
Halimi është shpallur fajtor, duke i thënë policisë se ishte bërë gjithnjë e më i frustruar pasi ajo i ka kundërshtuar vazhdimisht përpjekjet e tij për intimitet seksual. Ai gjithashtu është ankuar se ajo nuk ka arritur të gatuante ose ta mbante shtëpinë të pastër dhe se shpesh ka fjetur teksa ai ka punuar shtatë ditë në javë për t’i mbajtur ata.
Halimi është dënuar me burgim të përjetshëm.
“Ajo me të vërtetë nuk ka dashur të martohej”, ka thënë Hassani për Haidarin. “Ajo është kthyer nga Perthi, duke i kërkuar familjes për divorc dhe nëna e saj i tha ‘Jo, kthehu’. Ti duhet të kthehesh nga shtëpia e tij në arkivol të bardhë, dhe ashtu bëri, e shkreta vajzë”.
Një përgjigje civile
Jennifer Burn, drejtorja themeluese e “Anti-Slavery Australia”, ka thënë se gratë brenda dhe jashtë vendit kërkojnë ndihmë përmes “My Blue Sky”, webfaqe që ofron këshilla konfidenciale dhe falas për gratë e bllokuara në ose që përpiqen t’i shmangin martesat e detyruara.
“Australia është multikulturore dhe kemi raporte nga i gjithë vendi, fetë, etnitë”, ka thënë Burni, që ka bërë fushatë kundër skllavërisë moderne.
Martesat e detyruara janë raportuar në komunitetet nga Pakistani, Bangladeshi, Indonezia dhe India.
Shpesh, të rrezikuara janë vajzat e reja nga familjet konservatore, që jetojnë në shtëpi dhe hezitojnë të shkojnë në polici, sepse nuk duan që prindërit të futen në telashe.
Praktika është mbajtur për dekada, por gjatë viteve të fundit qeveria australiane e ka bërë si detyrë shënjestrimin e shkelësve, dhe në ditën e dënimit të Sakinas, prokurori i përgjithshëm ka njoftuar për fillimin e konsultimeve se si mund të dukej një reagim më i fortë civil.
Ndryshimet mund të përfshijnë lejimin e viktimës për të aplikuar për mbrojtje nga gjyqi kundër shkelësve potencial ose shtimi në listat e vëzhgimit të aeroporteve, nëse detyrohen të dalin jashtë vendit për t’u martuar.
“Ideja e krijimit të mbrojtjes më të fortë civile për njerëzit që po ballafaqohen me martesë të detyruar është shumë e rëndësishme dhe mund të shkojë paralelisht me përgjigjen penale”, ka thënë Burni.
Disa nga masat, janë huazuar nga ligjet për martesat e detyruara në Britani, ku qindra njerëz përpiqen t’u shmangen martesave të detyruara.
Mbretëria e Bashkuar ka gjithashtu njësinë ndërinstitucionale të Martesave të Detyrueshme, që punon me ministritë e Jashtme dhe të Brendshme, si dhe bamirësitë për ta parandaluar martesën brenda dhe jashtë shtetit. Statistikat e fundit të njësisë tregojnë se 69% e rasteve përfshijnë viktima gra dhe 31% burra.
Vendet e tjera si Franca, Kanadaja dhe Gjermania kanë ligje specifike kundër martesave të detyruara.
Mbështetja veç i është dhënë grave brenda Australisë, por në korrik rregullat janë lehtësuar në mënyrë që grupet e mirëqenies sociale të mund t’i referojnë viktimat për mbështetje dhe strehim në krizë, së bashku me AFP-në.
“Nuk keni nevojë ta thërrisni policinë. Mund të mbështeteni deri në 200 ditë dhe potencialisht më shumë”, ka thënë Burni. “Do të siguroheni me mbështetje gjithëpërfshirëse 24/7, duke përfshirë edhe akomodimin. Kjo është diçka që mund të jetë tepër e rëndësishme në një situatë krize”.
Një nënë prapa grilave
Pak pas seancës dëgjimore, Sakina është dërguar për t’i kaluar ditët e para brenda një burgu të grave në periferi të Melburnit.
Avokati i saj, Andrew Buckland ka thënë se si e pashkollë dhe që nuk flet anglisht, Sakina ka të ngjarë që ajo të mos e kuptojë atë që po ndodh, megjithëse ka treguar se dëshiron ta apelojë dënimin.
Si banore e përhershme dhe shtetase jo australiane, dënimi i Sakinas mund t’i kushtojë më shumë sesa 12 muaj në burg. Nën Aktin e Migrimit të Australisë, viza e saj mund të anulohet, sipas rregullave që kërkojnë largimin e atyre që kryejnë krime serioze.
Një muaj para dënimit të Sakinas, ministri i Imigrimit ka lëshuar një direktivë që e quan në mënyrë specifike martesën e detyruar si krim mjaft të rëndë për ta garantuar heqjen e vizës. Pa vizë, Sakina do t’i nënshtrohej dëbimit në Afganistan, megjithëse si nënshkruese e Konventës për Refugjatët, Australia është e detyruar të mos i kthejë refugjatët.
Që nga pushtimi i talebanëve në Afganistan në gusht të 2021-ës, persekutimi i Hazarasve është përshkallëzuar krahas rritjes së privimeve të grave që tani jetojnë nën sistemin e “aparteidit gjinor”, sipas Kombeve të Bashkuara.

Pa vizë, pasi përfundon dënimin e saj, Sakina mund të detyrohet të futet në burgim emigracioni, ose mund të lirohet me një vizë me kushte të rrepta monitorimi, duke përfshirë përdorimin e byzylykut të kyçit të këmbës.
Gjatë seancës dëgjimore të Sakinas, gjyqtarja Dalziel ka cituar një letër nga Shoqata e Afganistanit “Goulburn Valley”, që e përshkruan atë si “grua të qetë, të sjellshme dhe të dobishme”.
Abdullah Naveed, nga Këshilli Etnik i Sheppartonit, ka thënë se komuniteti lokal e respekton vendimin e gjyqit, por i dhimbset Sakina, sepse ka humbur shumë. Ata nuk e kanë pritur se ajo do të shkonte në burg, ka thënë ai.
“Tërë kohën ajo ndihet fajtore, qan, lutet, ulet në xhami dhe qan, duke kërkuar falje për atë që ka ndodhur”, ka thënë ai. “Të gjithë e dinë se ajo nuk është në situatë të mirë pas vrasjes së vajzës”.
Hassani ka thënë se Sakina e ka humbur respektin e komunitetit, të cilin është përpjekur aq shumë ta kënaqte.
“I ka dëmtuar reputacionin, respektin dhe nuk ka më vend në komunitet”, ka thënë ajo.
Si shumë shkelës, Sakina gjithashtu ka qenë viktimë e martesës së detyruar, ku është martuar me një burrë të panjohur në moshën 12-vjeçare. Foshnja e saj e parë është lindur shpejt pas martesës.
Prindërit e saj gjithashtu mund të kenë besuar se kjo është në interesin e saj më të mirë.
“I gjithë komuniteti beson se nëse ke burrë, je e respektuar, ke vlerë dhe se e tërë bota është e jotja”, ka thënë Hassani. “Për të qenë grua e mirë duhet të martohesh dhe duhet të jesh grua e mirë dhe e dëgjueshme”.
Divorci është çnderues për familjen. Mund të jetë gjithashtu dobësues financiar për cilëndo palë që duhet të paguajë pajën dhe koston e festimeve të dasmës.
“Shumë vajza më përpara vetëvriten, sesa të jetojnë me turp dhe stigmë”, ka shtuar ajo.
Të divorcuarit etiketohen si “bewa”, që i ishte bashkangjitur Haidarit vite më parë kur nëna e saj e ka martuar me një burrë tjetër në moshën 15-vjeçare. Ky bashkim ka përfunduar me divorc.
“Edhe pse ke besuar se je duke vepruar sipas interesave të saja më të mira, në fakt nuk është kështu”, ka thënë gjyqtarja Dalziel.
Nuk është e pranueshme brenda komunitetit Hazara ta detyrosh fëmijën të martohet. Por ndodh dhe vlera që komuniteti i vendos martesës e bën më të vështirë të thyhet ky cikël.
Por, Hassani beson se ndryshimi mund të ndodhë – ajo veçse po sheh gjeneratat e reja ta shtyjnë presionin e martesës.
“Jam shumë e lumtur që shumë fëmijë që janë rritur këtu po u bëjnë ballë këtyre presioneve”, ka thënë ajo. “Por akoma ka nevojë për kohë që të zgjidhet përplasja mes prindërve dhe pritjeve të komunitetit”.