Ukraina shpreson se tokat e saj lindore një ditë do të jenë të sigurta për të jetuar përsëri. Tani për tani është e paqartë se në çfarë vendi do të kthehen këta udhëtarë që po largohen. Nëse pushtuesit rusë fitojnë më shumë vrull në rajonin e Donetskut, pyetja se ku do të ndalen do të jetë gjithnjë e më e vështirë për t’u përgjigjur.
Në Ukrainën lindore, rryma e luftës po përhapet shumë shpejt.
“E dimë çfarë po vjen”, ka thënë Mariya, teksa po e paketon televizorin në banesën saj në Kostyantynivka. Ajo do ta dërgojë atë në Kiev, para se të niset edhe vetë me djalin e saj.
“Jemi lodhur gjatë gjithë ditës duke përjetuar sulme paniku. Është tmerrësisht e rëndë të jesh vazhdimisht e frikësuar”.
Në muajin shkurt, Rusia ka pushtuar qytetin strategjik, Avdiika. Që atëherë, pushtuesit kanë avancuar më në perëndim dhe kanë marrë edhe disa fshatra.
Ukraina ka njoftuar se forcat e saj “janë duke u mbajtur”. Mirëpo, trupat ruse tani po sulmojnë në pesë zona përgjatë vijës së frontit, e cila është e gjatë 1.100 km.
Mbi 1.2 milionë njerëz - ose dy të tretat e popullsisë - janë larguar nga rajoni i Donetskut.
Dhe pikërisht këtu, në rajonin lindor të Donetskut, mbrojtësit e Ukrainës po testohen më së shumti.
Njerëzit në qytete si Pokrovsku, Kostyantynivka dhe Kramatorsku tani po përballen me një ritëm më të shpejtë të luftës, madje edhe me pushtim.
Për Mariyan dhe nënën e saj Tetyanan, jeta po bëhet gjithnjë e më të vështirë teksa rusët po afrohen më shumë.
Largimi nuk ka më kuptim
Qyteti i tyre është i mbushur plot me shenja kërcënuese nga armiku, që ndodhet vetëm 30 kilometra larg.
Pothuajse çdo rrugë e ka nga një ndërtesë të dëmtuar.
Ankthi po mbizotëron në këtë qytet, dikur pjesë e qendrës industriale të ish-Bashkimit Sovjetik. Rusia ngadalë po i shkatërron qytetet e Ukrainës teksa përpiqet t’i marrë ato. Kjo është ajo që po ngjall më shumë frikë këtu.
Mariya shpjegon se nëna e saj Tetyana dëshiron të qëndrojë, por ka besim se ajo do ta marrë me vete gjithsesi.
“Unë jam larguar tashmë dy herë, çfarë kuptimi ka të largohem prapë?”, thotë Tetyana, derisa qëndron në një qosh të banesës së saj.
“Situatë e frikshme gjithkund. Krejt vendi është në zjarr”, thotë ajo me sy të përlotur.
Teksa e gjithë Ukraina është një zonë lufte, rajoni i Donetskut - së bashku me katër të tjerë - është një fushë beteje.
Mund të dëgjosh zhurmën e gjuajtjeve të forta deri në 40 km larg, e zhurma e artilerisë nga larg është e vazhdueshme.
Shtëllungat e tymit vijnë nga drejtimi i Avdiivkas, një qytet që Rusia e ka marrë kohët e fundit, dhe Horlivkas, të cilin e kontrollon që nga viti 2014.
Rusia po përdor madhësinë e saj, epërsinë ajrore dhe rezervat më të thella të municionit, për ta vazhduar pushtimin, në një kohë kur ndihma ushtarake perëndimore për Ukrainën po mbaron ose po pengohet nga politika e brendshme.
Aty pranë shtrihet një luginë e gjerë me disa rezervuarë. Është ky peizazh natyror që Ukraina thotë se do t’i lejojë forcat e saj të “stabilizojnë” vijën e frontit.
Përtej vijës së frontit ka një pakicë të vogël njerëzish të etiketuar si “Zhdun” nga ukrainasit. Është një fjalë nënçmuese që do të thotë “kamerierë”, duke iu referuar atyre që janë pro-rusë dhe që presin të pushtohen.
“Dikur njerëzit besonin, por jo tash”
Disa njerëz thjesht refuzojnë t’i braktisin shtëpitë e tyre dhe janë mësuar me rrezikun e vazhdueshëm.
Valeriy nuk është një prej tyre. Pasi shtëpia e tij në qytetin e Toretskut pothuajse u bombardua dy herë, ai është duke marrë gjërat e tij dhe nipin Denys për t’u larguar.
Me rusët vetëm 5 km larg, fqinjët e tyre i urojnë më të mirën, por megjithatë refuzojnë të largohen. Dyshja më pas hipën në një automjet të blinduar policie.
“Unë e kam jetuar jetën time tashmë”, na thotë 67-vjeçari, që udhëtoi për në Kostyantynivka. “Më duhet ta shpëtoj të voglin”.
“Kam punuar 20 vjet në minierë, kështu që nuk kam frikë nga asgjë, por jam i shqetësuar për të”, shton ai.
Denys, i cili është 14 vjeç, tund me kokë në shenjë miratimi. “Shoku im i fundit u largua tri javë më parë”, thotë ai.
Evakuimi nga vendbanimet e vijës së parë është i detyrueshëm për familjet me fëmijë. Pavarësisht se 15 fëmijë mbetën ende në Toretsk.
Anton Pron nga skuadra e evakuimit të policisë së “White Angels”, i cili ndihmon në evakuimin e njerëzve larg qyteteve të vijës së parë, thotë se situata po përkeqësohet çdo ditë.
“Ka granatime dhe artileri të vazhdueshme”, rrëfen ai. “Aviacioni i armikut punon gjatë gjithë kohës. Rusët hedhin bomba edhe nëpër shtëpitë e banimit”.
Këto ditë, stacioni i trenit në qytetin e afërt të Kramatorskut është ndalesa e fundit për trupat ushtarake që vijnë dhe gjithnjë e më shumë civilë që nisen të ngarkuar me çanta.
Zhurmat e largëta të artilerisë shërbejnë si alarm për t’u larguar. Çiftet përqafohen më gjatë në një vend të rrethuar nga trena mallrash, të cilët ofrojnë mbrojtje në rast të një sulmi me raketë.
Të paktën 61 njerëz u vranë këtu në vitin 2022. Shenjat nga sulmi ende vërehen në trotuare.
Ne e takuam Allan, e cila po pret trenin e saj për në Kiev. “Një vit më parë, ne menduam se do të merrnim ndihmë nga Perëndimi dhe se kundërofensiva jonë do të funksiononte, por jo më”, thotë ajo.
“Dikur njerëzit besonin, por jo tash”.
Ukraina shpreson se tokat e saj lindore një ditë do të jenë të sigurta për të jetuar përsëri. Tani për tani është e paqartë se në çfarë vendi do të kthehen këta udhëtarë që po largohen.
Nëse pushtuesit rusë fitojnë më shumë vrull në rajonin e Donetskut, pyetja se ku do të ndalen do të jetë gjithnjë e më e vështirë për t’u përgjigjur.