Botë

Dënohet me mbi 6 vjet burgim finlandezi që hakoi të dhënat e pacientëve të psikoterapisë

Psikoterapia "Vastaamo”

Psikoterapia "Vastaamo”

Foto: Associated Press

Një gjykatë finlandeze ka dënuar të martën një 26-vjeçar me gjashtë vjet dhe tre muaj burgim pasi kishte hakuar dhjetëra e mijëra të dhëna të pacientëve në një qendër private të psikoterapisë, dhe kishte kërkuar haraç nga disa prej tyre, për të dhënat e ndjeshme.

Rasti që u zbulua fillimisht në tetor të vitit 2020, ka shkaktuar zemërim dhe tronditje në kombin nordik, me një numër rekord njerëzish, rreth 24,000, që kanë paraqitur ankesa penale në polici, raporton AP.

Në shkurt të vitit 2023, policia franceze arrestoi hakerin e njohur finlandez, Aleksanteri Kivimaki, i cili jetonte me një identitet të rremë afër Parisit, dhe e deportoi atë në Finlandë. 

Gjyqi i tij përfundoi muajin e kaluar. 

Gjykata e Qarkut Länsi-Uusimaa ka thënë se Kivimaki ishte fajtor, ndër të tjera, për një shkelje të rëndë të të dhënave, rreth 21,000 tentativa të rënduara shantazhi dhe më shumë se 9,200 shpërndarje të rënduar të informacionit që cenojnë jetën private.

Gjykata i quajti krimet "të pamëshirshme" dhe "shumë të dëmshme" duke marrë parasysh gjendjen psikologjike të personave të përfshirë. 

Sipas akuzave, Kivimaki në vitin 2018 hakoi sistemin e informacionit të qendrës së psikoterapisë “Vastaamo” dhe shkarkoi bazën e të dhënave të saj me rreth 33,000 klientë.

Avokati Jenni Raiskio, i cili përfaqëson rreth 1,500 klientë, ka thënë për gazetën finlandeze “Helsingin Sanomat” në mars, se të paktën disa prej viktimave kanë bërë vetëvrasje pas rrjedhjes së informatave.

“Vastaamo” e cila dyshohej për mbrojtje të dobët të të dhënave të klientëve, ka shpallur bankrotimin në vitin 2021, kishte filiale në të gjithë vendin dhe operonte si sub-kontraktor për sistemin publik shëndetësor të Finlandës. 

Prokurorët kanë thënë se Kivimaki fillimisht kishte kërkuar që “Vastaamo” t’ia paguajë atij një shumë në vlerë prej 370,000 eurosh në bitkoin, në këmbim që ai të mos i publikonte të dhënat. 

Kur qendra ka refuzuar, Kivimaki në vitin 2020 kishte nisur të publikonte informatat për pacientët dhe u kishte dërguar atyre mesazhe ku u kërkonte nga 200 deri në 500 euro. Rreth 20 pacientë kanë paguar, sipas prokurorëve. 

Kivimaki i ka mohuar të gjitha akuzat.