Botë

Dënohet me 14 vjet burgim për korrupsion ish-kryeministri i Pakistanit

Imran Khan

Foto: AP

Një Gjykatë në Pakistan ka dënuar ish-kryeministrin, Imran Khan, me 14 vjet burgim të premten për akuzat për korrupsion për një pjesë toke, ka raportuar agjencia lokale e lajmeve ARY News. 

Dënimi për këtë çështje, që është më i larti për Khanin në lidhje me keqpërdorimet financiare, u shqiptua nga Gjykata Kundër Korrupsionit në burgun e qytetit Rawalpindi, ku Khan po mbahet i burgosur që nga gushti i 2023-tës, ka raportuar agjencia e lajmeve Reuters.

Ish-ylli i kriketit, 72-vjeçar, është dënuar për akuzat se së bashku me gruan e tij kishin pranuar tokë si dhuratë nga një biznesmen i patundshmërive, gjatë mandatit të Khanit si kryeministër, nga viti 2018 deri më 2022 në shkëmbim të favoreve ilegale.  

Khani dhe gruaja e tij, Bushra Bibi, janë deklaruar si të pafajshëm. Marrja e vendimit ishte shtyrë tre herë, së fundi të hënën e kësaj jave, si pasojë e bisedimeve në mes partisë së Khan dhe qeverisë pakistaneze. 

Bushra Bibi, ishte liruar me kusht deri në vendimin e gjykatës. Tani ajo është arrestuar dhe dënuar me shtatë vjet burgim, ka raportuar Associated Press.  

Vendimi është goditja më e madhe që Khan dhe partia e tij kanë marrë edhe pse në vitin 2024 kanë shënuar progres, por pamjaftueshëm për të formuar qeverinë. 

I burgosur që nga gushti i 2023-tës, Khan ka qenë i akuzuar për shumë raste që nga akuza për korrupsion dhe keqpërdorim të pushtetit, dhe nxitje të dhunës kundër shtetit pasi ishte larguar nga zyra pas votës së mosbesimit në prill të vitit 2022.

Ai ose është shfajësuar ose dënimi i tij është suspenduar në shumë raste, përjashtuar për rastin për nxitjen e protestuesve për të dëmtuar pronat e ushtrisë për të protestuar ndaj arrestimit të tij më 9 maj të 2023.

Mbështetësit e tij kanë udhëhequr shumë protesta të dhunshme që nga incidenti i 9 majit. 

Dënimi i është shqiptuar brenda burgut nën masa të sigurisë.