Botë

Shtyhet për 18 shtator dënimi ndaj Donald Trumpit

Donald Trump gjatë gjykimit

Donald Trump gjatë gjykimit

Foto: Associated Press

E përditësuar - Një gjykatës i Nju Jorkut ka shtyrë dënimin e Donald Trumpit deri në shtator, pasi ekipi i tij ligjor kërkon të apelojë dënimin pas një vendimi të Gjykatës së Lartë të SHBA-së, që i jep imunitet atij.

Trumpi fillimisht ishte planifikuar të dënohej më 11 korrik.

Ekipi i tij ligjor kërkoi që dënimi i tij të anulohej pasi gjykata më e lartë e vendit vendosi se ish-presidentët kishin imunitet të pjesshëm për aktet "zyrtare" që ndodhën gjatë presidencës së tyre.

Gjykatësi Juan Merchan ka thënë se do të nxjerrë një vendim mbi mocionet deri më 6 shtator.

Nëse dënimi është i nevojshëm, shkroi gjyqtari, ai do të bëhet më 18 shtator.


Dënimi i Trumpit në rastin e parave të heshtura mund të shtyhet

Shpallja e dënimit për Donald Trumpin e paraparë të ndodhte më 11 korrik në rastin e tij për paratë e heshtura, mund të shtyhet, pasi avokatët e tij i kërkuan gjyqtarit të anulonte dënimin e tij pas vendimit të imunitetit të Gjykatës së Lartë.

Në një letër drejtuar gjyqtarit Juan Merchan, prokurorët e Manhattanit thanë se ndërsa besonin se mocioni i Trumpit për të rrëzuar dënimin e tij ishte "pa bazë", ata nuk e kundërshtuan kërkesën e tij për ta shtyrë shpalljen, raporton BBC.

Gjykata e Lartë vendosi të hënën se presidentët kanë imunitet të gjerë nga ndjekja penale për "veprimet zyrtare" që ata kryejnë gjatë kohës që janë në detyrë.

Në maj, dënimi i Trumpit për 34 akuza për falsifikimin e të dhënave të biznesit u bazua pjesërisht në provat e takimeve dhe komunikimeve që ndodhën gjatë kohës që ai ishte president. 

Një letër dërguar gjykatësit nga avokatët e Trumpit citon vendimin e së hënës që i dha ish-presidentit imunitet nga ndjekja penale për "veprimet zyrtare" që ai ndërmori gjatë kohës që ishte në detyrë.

Prokurorët e Manhatanit kanë kërkuar që gjyqtari t'i përgjigjet mocionit të Trump deri më 24 korrik.

Gjykatësi Merchan tani duhet të vendosë nëse do të shtyjë zyrtarisht dënimin.