Dy gra nga Kenia rrëfejnë për historinë e tyre të errët. Për shkak të dhunës fizike nga burrat e tyre, gratë kanë ndërmarrë veprime ekstreme, në kërkim të shpëtimit nga abuzimi. Kjo rezultoi në burgim dhe dënim me vdekje. Por, a do të arrijnë ato ta rifitojnë lirinë, të ribashkohen me fëmijët dhe një ditë ta rindërtojnë jetën e tyre?
Elizabeth Otieno Ayuma ka qenë e burgosur në burgun e sigurisë së lartë të grave “Lang’ata” në periferi të Nairobit, në Kenia, për më shumë se shtatë vjet.
Ajo ishte dënuar me vdekje në tetor të vitit 2017, akuzë që ia ka rënduar shpirtin deri vitin e kaluar, kur presidenti i Kenias, William Ruto, ka përdorur privilegjin presidencial për ta lehtësuar dënimin e saj dhe të shumë të tjerave, në burgim të përjetshëm.
Pesë muaj pas vendimit, Ayuma ka thënë se jeta e saj para burgut ishte paqësore, derisa burri i saj është bërë i dhunshëm.
Ajo ka rikujtuar një moment në vitin 2012, vetëm një vit pasi çifti ka blerë tokë për ta ndërtuar shtëpinë e familjes. Ayuma ishte tetë muaj e gjysmë shtatzënë dhe nëntëvjeçari i saj po luante në oborr, kur është rrëzuar një pemë. Fëmija fatmirësisht nuk është lënduar, por kur burri i saj e ka marrë vesh, ai është bërë i dhunshëm. Druvar me profesion, ajo ka thënë se ai ka pritur ta shiste drurin e pemës, pasi druri të ishte rritur.
“Ai më rrahu dhe përfundova në spital”, ka thënë Ayuma, duke shtuar se më vonë e ka humbur foshnjën.
Nëna e katër fëmijëve ka thënë se burri ishte penduar pas sulmit dhe i është lutur për falje, duke e bërë atë ta besonte, duke i thënë se kjo nuk do të ndodhte përsëri.
Por një vit më vonë, në 2013-n, ajo ka thënë se ka ndodhur përsëri.
“Isha shtatë muaj shtatzënë përsëri. Një ditë filluam të argumentonim dhe ai më rrahu rëndë”, ka thënë ajo.
Ayuma e ka raportuar sulmin në polici ditën tjetër, sipas raportit të ekzaminimit mjekësor lidhur me sulmin. Burri i saj i ka kërkuar falje përsëri, ka thënë ajo. Kur ka lindur disa muaj më vonë, foshnja ka vdekur po atë natë. Burri i ka mohuar akuzat për dhunë në familje.
E dëshpëruar për ndryshim të situatës
Ayuma ka treguar se si kjo periudhë e dëshpërimit të madh e ka lënë atë të shteruar emocionalisht dhe plot hidhërim, duke e shtyrë drejt izolimit dhe mbylljes së plotë në vetvete. “Unë u përpoqa t’i ndaja përjetimet me disa nga të afërmit e mi, por nuk më erdhi askush në ndihmë”, ka thënë ajo.
Në fillim të 2016-s, Ayuma ka vendosur se dëshironte “t’i jepte një mësim burrit”, duke e pranuar se ka punësuar dy burra për ta abuzuar atë në shkurt të atij viti.
“Planifikova që do të sulmohej dhe rrihej si ndëshkim, por fatkeqësisht, plani im u bë shumë ekstrem, meqë burrat i tejkaluan kufijtë”, ka shpjeguar ajo. “Ai qëndroi në spital për një javë”.
Ayuma është gjetur fajtore, kur policia ka biseduar me një nga vajzat e saj, atëherë 8-vjeçare, e cila më vonë është bërë dëshmitare e prokurorisë dhe ka dëshmuar në gjykatë se nëna e saj i ka lënë sulmuesit të hynin në shtëpi.
Teksa prokurorët në fillim e kanë akuzuar për sulm dhe vjedhje, duke i dhënë dënim me gjobë të përballueshëm për lirim me kusht, që e ka lejuar të kthehej në shtëpi. Por, shkalla e plagëve të burrit të saj e ka rënduar akuzën në grabitje me dhunë - krim madhor në kodin penal kenian, që ka ardhur me dënim me gjobë të papërballueshëm për lirim me kusht.
Me askënd që mund ta paguante çmimin për të, ajo e ka gjetur veten prapa grilave duke pritur gjyqin për më shumë se një vit.
Në 2017-n, Ayuma ishte e vetme në gjyq, meqë nuk mund të përballonte një avokat e as nuk i ishte caktuar një avokat shtetëror, duke e lënë atë ta përfaqësonte veten në gjykatë.
Ekspertët kanë thënë se sistemet e mbingarkuara të gjykatave bëjnë që shumë të pandehur në Kenia të mbeten pa avokatë për t’i përfaqësuar. Caktimi i avokatit pro-bono ose të emëruar nga shteti është i varur nga vendndodhja, me më shumë gjasa të ndodhë në qytetet e mëdha si Nairobi.
Dega Gjyqësore keniane ka thënë se nuk ka mandat për të dhënë ndihmë juridike dhe se është rol i Shërbimit Kombëtar të Ndihmës Ligjore, por një burim i njohur me procesin ka thënë se Gjyqësorja e drejton programin ligjor pro-bono.
Martesa si arratisje nga varfëria
Edukimi i Ayumas ishte si i shumë vajzave të reja në Kenia.
Duke ardhur nga një familje e varfër, edukimi i saj ishte ndërprerë në klasë të dytë për shkak të kufizimeve financiare. Punësimi formal mbeti ëndërr e paarritshme, duke e shtyrë atë drejt martesës, e konsideruar shpesh si arratisje nga varfëria për shumë gra të paarsimuara në Kenia, veçanërisht në pjesët rurale të vendit.
Rreth 23 për qind e grave të moshave 20 deri 24-vjeçare në Kenia, është raportuar se janë martuar në moshën 18-vjeçare, sipas sondazhit demografik të shëndetit të Kenias në vitin 2014, dhe se martesa e hershme shtyhet nga varfëria, mungesa e edukimit dhe normat sociale.
Për shembull, martesa mund të përdoret për t’i lehtësuar shqetësimet e prindërve rreth marrëdhënieve seksuale paramartesore dhe shtatzënisë, ose, siç shkruan një akademik, “strategji mbijetese”, ku familjet i martojnë vajzat për pasurinë që do të marrin në këmbim të nuses.
Ayuma herë pas here është marrë me bujqësi për mbijetesë, por të ardhurat e pakta që fitonte, nuk mund ta mbulonin as një pjesë të vogël të tarifave ligjore.
“Isha shtëpiake, nuk kisha burime fitimprurëse, çka do të thoshte se nuk mund të përballoja një avokat. Gjithashtu, gjatë gjyqit, nuk mund t’i kuptoja shumicën e gjërave që ndodhnin”, ka thënë ajo.
Gikui Gichuhi, ndihmësdrejtoreshë e Prokurorisë Publike të Kenias, ka thënë se mungesa e edukimit është njëra prej sfidave kryesore që shfaqet gjatë ndjekjes penale të të dyshuarve që përballen me dënimin me vdekje.
“Edhe pse përpiqemi që të gjitha procedurat të përkthehen në gjuhën që ata e kuptojnë, për ta është ende e vështirë t’i ndjekin dhe t’i kuptojnë plotësisht proceset e gjykimit”, ka thënë ajo.
Barrierat e tjera të drejtësisë janë paragjykimet dhe stereotipet shoqërore, ka thënë Bonface Were, avokat dhe koordinator i komitetit gjinor të Shoqërisë Juridike të Kenias.
“Në proceset ligjore, stereotipat dhe paragjykimet për rolet gjinore mund të ndikojnë në mënyrën se si individët, e sidomos gratë, perceptohen”, ka shpjeguar Were. “Për shembull, stereotipat që gratë janë më emocionale dhe më pak kredibile si dëshmitare, mund ta dëmtojnë dëshminë e tyre”, kur japin deklarata para gjykatësit ose magjistratit.
Jashtë gjyqit, gratë zakonisht shërbejnë si kujdestare primare të familjeve dhe burgosja shpesh i lë fëmijët pa burimin kryesor të mbështetjes.
Ayuma ka thënë se burri i saj ka qenë i tronditur nga dënimi, meqë ka pritur një dënim më të shkurtër. Ajo nuk e ka parë burrin dhe fëmijët që atëherë.
“Të vetmet vizitore janë vajza ime 21-vjeçare nga një lidhje e kaluar, si dhe motra ime që jeton në Nairobi”, ka thënë ajo.
Heqja e “mallkimit” të dënimit me vdekje
Jeta duke e pritur dënimin me vdekje ka qenë e papërballueshme për Ayuman. Ajo ka thënë se ishte në një qeli të izoluar, me ushqim të sjellë në dhomë dhe kudo që shkonte ishte nën mbikëqyrje të vazhdueshme dhe maksimale.
“Isha si e dëbuar, sepse etiketa është e frikshme, edhe për të burgosurit e tjerë”, ka thënë ajo. “Nuk mund të shkoja askund pa rojën e burgut, me gradë të lartë”.
Sot, rrethanat dhe kushtet e jetesës kanë ndryshuar në mënyrë dramatike, meqë tani ka pak më shumë liri. Ndryshimi i dënimit ka sjellë mundësi të tjera gjithashtu.
“Atyre që u zëvendësohet dënimi me burgim të përjetshëm, mund të kenë qasje në programet e rehabilitimit pa kufizime; zhvendosen nga qelitë e izoluara në repartet e përgjithshme të burgut, ku mund të shoqërohen me të burgosurit e tjerë”, ka thënë Esther Lochoto, ndihmëskomisionere e Burgjeve dhe oficere përgjegjëse për Burgun e Sigurisë së Lartë të Grave “Lang’ata”.
“Edhe pse nuk jam akoma e lirë, është lehtësim”, ka thënë ajo. “Barra e pritjes së dënimit me vdekje nuk është më aty. Të qenët e dënuar me vdekje ishte sikur mallkim”.

Ngarkesa e lartë e çështjeve dhe “neglizhenca e mundshme” në gjykatë
Ciiku Kiiria ka ndarë një perspektivë tjetër nga dënimi me vdekje.
35-vjeçarja, emri i së cilës është ndryshuar për shkaqe sigurie, është dënuar me vdekje në dhjetor të vitit 2016 për vrasjen e partnerit abuziv. Shenja në fytyrën e saj, shërben si kujtim i dhunës që thotë se e ka përjetuar nga ish-burri.
Sipas dokumenteve të gjykatës, Kiiria dhe burri i saj arritën në shtëpi pas një nate duke pirë alkool në korrik të vitit 2014, ku u përshkallëzua argumentimi, që rezultoi në vdekjen e tij dhe lëndimin serioz për Kiirian.
Të dhënat tregojnë që Kiiria deklaroi se ishte përpjekur të largohej nga shtëpia për ta lejuar burrin të qetësohej, por ai e sulmoi pas shpine. Kiiria nuk mban mend se çfarë ndodhi, vetëm se u gjend në komisariat me plagën e gjakosur në faqe dhe me rroba të mbuluara me gjak. Në gjykatë, punëtorja e shtëpisë dëshmoi se ata po grindeshin pasi Kiiria kishte refuzuar t’i shërbente ushqim të shoqit, ndërsa prokuroria deklaroi se kishin debatuar për thjeshtrën e saj.
Dënimi i Kiirias është zbutur në dënim të përjetshëm vitin e kaluar, pas deklarimit të presidentit, por ajo beson se çështja e saj do të kishte marrë kahe tjetër, nëse do të kishte arritur ta përballonte avokatin privat.
Ndryshe nga Ayuma, Kiirias i është ofruar avokati i shtetit, por asaj i është dukur sikur nuk i kanë kushtuar mjaft vëmendje rastit të saj, duke kontribuar kështu në dënimin e rëndë.
Kiiria gjithashtu ka pasur fëmijën me vete në burg.
“Të prisje dënimin me vdekje ishte makth, sidomos sepse kisha djalin 2-vjeçar me vete gjatë dënimit”, ka thënë ajo. Ligji kenian i lejon nënat t’i marrin fëmijët në burg, derisa t’i mbushin 4 vjeç. Pastaj, kujdestarinë e merr personi tjetër i afërm ose dërgohet në jetimore - nëse nuk ka dikë që mund t’i marrë.
Sipas një burimi nga zyra e prokurorisë publike e Kenias, avokatët e qeverisë marrin kompensim të limituar, duke rezultuar në raste të shumta dhe neglizhencë potenciale.
“Avokatët e qeverisë zakonisht paguhen rreth 200 dollarë. Janë pak para, ndryshe prej avokatëve privatë ku pagesa varion nga 700 deri në 3800 dollarë, pavarësisht natyrës së rastit dhe statusit të firmës”, ka thënë burimi. “Gjithashtu nuk ka limite se sa raste mund t’i marrë avokati, çka do të thotë se mund të kenë shumë”.
Si jetime me edukim të limituar nga vendi rural në Kenian lindore, Kiiria ka thënë se ajo e ka parë martesën si mënyrë për të dalë nga varfëria. Por, burri i saj ka hasur në probleme për të gjetur punë, pavarësisht se kishe diplomë. Jostabiliteti financiar ka shkaktuar mosmarrëveshje të shpeshta – dhe dhunë. Dhuna “ka ndodhur vetëm gjatë mosmarrëveshjeve”, ka shtuar ajo.
Pas dënimit të saj, Kiiria ka luftuar për kujdestarinë e djalit më të vogël. Sapo djali i saj i ka mbushur 4 vjeç, vjehërria ia kanë marrë djalin dhe ajo nuk ka dëgjuar më prej tyre që atëherë.
Vajza e saj 12-vjeçare, nga lidhja e mëparshme, e mban kontaktin përmes telefonatave. “Kam vendosur të flas me të vetëm përmes telefonit dhe të mos më vizitonte, sepse nuk do të doja që ajo të më shihte këtu”.
Rëndësia e njohjes së dhunës së bazuar në gjini
Sipas Sondazhit Demografik të Shëndetit të Kenias të vitit 2022, rreth 34 për qind e grave (të moshave 15-49) kanë raportuar se kanë përjetuar dhunë fizike, me 13 për qind që raportojnë se kanë përjetuar dhunë seksuale.
Prevalenca e dhunës ndaj grave është faktor i rëndësishëm te krimet, për të cilat janë dënuar gratë me vdekje, sipas Damaris Kemunto, avokate e të drejtave të njeriut dhe oficere programi në Komisionin Ndërkombëtar të Juristëve në Kenia (ICJ Kenia).
Kemunto ka shpjeguar se shumë gra të dënuara me vdekje në Kenia janë burgosur për vrasje në kontekst të dhunës së bazuar në gjini (GBV), por se natyra e dënimeve me vdekje shpesh e ka kufizuar të drejtën për gjykim të drejtë. Kështu gjykatat nuk i kanë marrë parasysh rrethanat e mundshme lehtësuese si dhuna me bazë gjinore, përpara se ta jepnin dënimin me vdekje.
“Nga gjurmimi i rasteve gjyqësore, gratë që janë akuzuar për vrasje, shpesh i vrasin bashkëshortët e tyre në vetëmbrojtje për shkak të dhunës ose abuzimit fizik që u shkaktohet atyre nga meshkujt”, ka thënë Kemunto. “Në shumicën e rasteve ... ka histori të dukshme të dhunës me bazë gjinore”.
Studimi nga qendra “Cornell” mbi Death Penalty Worldwide, thekson se shumë gra që marrin dënime për krime të rënda si vrasja, hyjnë në burg si të mbijetuara afatgjata të dhunës me bazë gjinore dhe privimit të ashpër socio-ekonomik.
Këta faktorë gjinorë duhet të luajnë rol shumë më të madh në veprat penale kapitale, beson Were i “Law Society” i Kenias. “Krimet shpesh shpalosen brenda një konteksti të ndikuar nga pritjet shoqërore dhe rolet gjinore. Duke kuptuar këto dinamika, fitojmë kuptim më të plotë të rrethanave, duke kontribuar në vlerësim më të drejtë të situatës”, shpjegon Were, duke shtuar se kjo gjithashtu ndihmon në identifikimin dhe korrigjimin e çdo çështjeje sistematike që mund të ndikojë padrejtësisht mbi të akuzuarin.
Një të ardhme pa dënim me vdekje
Sot, lehtësimet e dënimeve nga presidenca përfshijnë proces të detajuar peticioni dhe në vitin 2023, të gjitha dënimet e shqiptuara që nga 21 nëntori 2022 janë zbutur - duke shpëtuar gra si Ayuma dhe Kiiria nga dënimi me vdekje.
Që kur ka rifituar njëfarë lirie brenda burgut, Ayuma ka filluar udhëtimin edukativ, duke ndjekur mësim në mëngjes dhe duke bërë dyshekë pasdite për të fituar një ditë të ardhurat e saj. Kiiria e kalon kohën duke u shoqëruar me të burgosurit e tjerë, si dhe duke thurur e qepur me shpresën se do të nisë biznes nëse ndonjëherë kualifikohet për t’u liruar.
Të dyja gratë kanë thënë se dëshira e tyre përfundimtare tani, është ta rifitojnë lirinë, të ribashkohen me fëmijët dhe një ditë ta rindërtojnë jetën e tyre.