Botë

Dëmet, shkatërrimi dhe frika përgjatë kufirit të Libanit

Ndërtesat e shkatërruara nga sulmet izraelite, Liban Foto: AP

Ndërtesat e shkatërruara nga sulmet izraelite, Liban

Foto: Associated Press

Shkëmbimet e sulmeve raketore mes Hezbollahut dhe Izraelit vazhdojnë. Që nga fillimi i ofensivës izraelite në Gaza më 8 tetor, Hezbollahu ka kryer sulme kufitare në Izrael, si shenjë solidariteti me palestinezët. Që nga atëherë të dhënat e mbledhura dhe të analizuara nga BBC-ja sugjerojnë se të dyja palët kanë kryer rreth 7491 sulme. Këto sulme kanë prekur kryesisht zonat dhe qytetet kufitare duke shkaktuar dëme të mëdha në infrastrukturë dhe viktima civile në të dy anët e kufirit. E ekspertët janë të shqetësuar se nëse sulmet vazhdojnë edhe konflikti do të përshkallëzohet në luftë të shkallës së plotë.

Një analizë e BBC-së ka zbuluar shkallën e dëmit të shkaktuar nga nëntë muaj luftime mes grupit libanez të armatosur Hezbollahut dhe Izraelit. 

Fotot nga sateliti, pamjet nga radarët dhe incizimet e aktivitetit ushtarak tregojnë se të gjitha komunitetet janë zhvendosur, me mijëra ndërtesa dhe fusha të tëra janë dëmtuar në kufirin mes Izraelit dhe Libanit.

Deri më tani, të dyja palët kanë mënjanuar luftën në shkallë të plotë, por provat tregojnë se sulmet gati ditore i kanë lënë të dyja komunitetet në Izrael dhe Liban të shkatërruara.

Luftimet momentale kanë filluar kur Hezbollahu ka nisur raketa në pozicionet izraelite, në shenjë solidariteti me palestinezët, një ditë pas nisjes së luftës Izrael-Gaza. Ofensiva ushtarake izraelite në Gaza është nxitur nga sulmi i paprecedentë i Hamasit më 7 tetor.

Të dhënat e mbledhura nga Projekti i të dhënave për vendndodhjet dhe ngjarjet e konflikteve të armatosura me bazë në SHBA (Acled) dhe të analizuara nga BBC-ja sugjerojnë se të dyja palët kanë kryer 7491 sulme mes 8 tetorit të 2023-s dhe 5 korrikut të 2024-s. Këto të dhëna tregojnë se Izraeli ka kryer rreth pesë herë më shumë se sa Hezbollahu.

OKB-ja thotë se sulmet kanë detyruar më shumë se 90 mijë njerëz në Liban të largohen nga shtëpitë e tyre, me rreth 100 civilë dhe 366 luftëtarë të Hezbollahut të vrarë nga sulmet izraelite.

Në Izrael, zyrtarët thonë se si pasojë e sulmeve nga Hezbollahu, 60 mijë civilë kanë braktisur shtëpitë e tyre dhe 33 persona janë vrarë, përfshirë 10 civilë.

Të zhvendosur nëpër rrugët e shkatërruara nga sulmet (Foto: BBC)

Dëmet e ndërtesave në Libanin jugor

Analiza tregon se më shumë se 60 për qind e komuniteteve në kufi të Libanit janë prekur nga ndonjë lloj i dëmit si rezultat i sulmeve ajrore izraelite. Deri më 10 korrik, më shumë se 3200 ndërtesa kanë pësuar dëme.

Gjetjet janë bërë bashkë nga Corey Scher, nga Qendra e diplomimit në universitetin e New Yorkut dhe Jamon va nden Hoek nga Universiteti shtetëror i Oregonit. Ata janë bazuar në krahasimin e rreth 500 imazheve të veçanta, duke zbuluar ndryshime në lartësinë dhe strukturën e ndërtesave, çka sugjeron dëmtim të tyre.

Qytetet Aita el Shaab, Kfar Kila dhe Blida duket të jenë prekur më së shumti nga sulmet.

Aita el Shaab është goditur shumë, me të paktën 299 sulme që nga tetori, sipas Acled-it.

Ndërtesat përgjatë rrugës kryesore të qytetit, përfshirë restorantet dhe dyqanet janë prekur kryesisht nga sulmet.

BBC-ja ka folur me bashkiakun e Aita el Shaabit, që e ka përshkruar qytetin “si të goditur nga tërmeti”.
Majed Tehini ka thënë se 17 persona nga qyteti janë vrarë nga sulmet izraelite, përfshirë dy civilë.
Ai është larguar nga Aita el Shaab me familjen e tij menjëherë pas fillimit të valës së sulmeve në tetor të vitit të kaluar, por është kthyer shpesh, kryesisht për të marrë pjesë në funerale.

“Sa herë e vizitoj, ndjej sikurse ka ndryshuar. Peizazhi i shkatërrimit është i tmerrshëm”, i ka thënë ai BBC-së. “Shtëpitë e Aitas janë bërë vetëm struktura. Të shkatërruara, janë bërë rrënoja. Ato që qëndrojnë akoma në këmbë janë të pabanueshme”, ka shtuar ai.

Tehinit i kujtohet si e ka parë shkatërrimin e qytetit në të kaluarën, kryesisht në luftën e vitit 2006 mes Izraelit dhe Hezbollahut, por ai thotë se bombat kanë shkaktuar më shumë dëme kësaj radhe.

Ai ka shpjeguar se e tërë infrastruktura është dëmtuar, përfshirë rrjetin elektrik dhe sistemin e furnizimit të ujit.

“Shtëpia jonë është duke qëndruar akoma. Por vetëm nga pamja e jashtme. Është shkatërruar e tëra”, ka thënë ai.

Qendrat e dëmtuara të qyteteve

Qyteti Blida është goditur gjithashtu rreth 130 herë që nga tetori, duke dëmtuar ndërtesa e barnatore, sipas Acled-it.

Dëmi është më i madh në pjesën qendrore të qytetit, ku ndodhen shumë shërbime kryesore, dyqane dhe objekte.

Burcu Ozcelik, studiuese e lartë për sigurinë e Lindjes së Mesme ka thënë se Izraeli është duke shënjestruar qytetet në zonat kufitare sepse, sipas tyre, aty ndodhet Hezbollahu.

“Izraeli beson se ka prova të mjaftueshme të dokumentuara që ka rrjete të fortifikimeve dhe tunele në afërsi të shtëpive”.

Ajo ka thënë se Izraeli është duke shënjestruar këtë zonë për t’i dërguar mesazh Hezbollahut se ata “duhet të mos jenë atje”, por beson se Hezbollahu as nuk do ta mendonte të evakuohet.

“SHBA-ja ka qenë duke u përpjekur të gjejë një zgjidhje, si ta shtyjë Hezbollahun të tërhiqet katër milje nga kufiri. Hezbollahu e ka refuzuar këtë”.

Forcat e Mbrojtjes Izraelite (IDF) kanë thënë se kanë kryer sulme kundër shënjestrave ushtarake për “t’i larguar kërcënimet nga Hezbollahu ndaj Izraelit, qytetarëve dhe shtëpive të tyre”.

Dëmet nga zjarri në Izrael

Në anën tjetër të kufirit, ndërtesat në veri të Izraelit gjithashtu janë shkatërruar nga sulmet nga ana tjetër.

Mediat izraelite kanë raportuar se më shumë se 1000 ndërtesa janë shkatërruar që nga tetori. IDF-i dhe Ministria e Mbrojtjes e Izraelit është kontaktuar nga BBC-ja, por nuk kanë komentuar. 
Por është shkatërrimi ai çka ka ndodhur aty.

BBC-ja ka përdorur të dhëna të furnizuara nga He Yin në Universitetin e Kent State për ta ekzaminuar masën e shkatërrimit nga zjarret e egra të mëdha që kanë nisur nga sulmet kufitare.

Yini ka përpunuar të dhënat nga imazhet satelitore të disponueshme publikisht e të filmuara me rreze infra të kuqe për t’i identifikuar zonat që dyshohet se janë djegur. Kjo është kontrolluar së bashku me fotografitë satelitore dhe raportet e lajmeve lokale.

Pjesë të mëdha të tokës janë djegur në të dyja vendet, për BBC-ja vlerëson se Izraeli dhe pllaja e pushtuar nga Izraeli “Golan Heights” janë goditur më së shumti, me rreth 55 kilometra katrorë të tokës të prekur, në krahasim me 40 kilometra katror në Liban.

Disa vlerësime të fundit nga Autoriteti i Parkut dhe Natyrës së Izraelit e kanë vendosur këtë masë në 87 kilometra katrorë.

Dëmi i shkaktuar tregon se shumë nga zonat e djegura kanë tejkaluar kufirin, çka pasqyron përdorimin e një numri të madh të armëve të padrejtuara nga Hezbollahu. Këto janë lëshuar në zona civile dhe baza ushtarake, të cilat nuk janë afër frontit. Nëse sistemi ani-raketor izraelit “Iron Dome” detekton se raketat nuk do të godasin zonat e populluara, nuk kundërpërgjigjet, duke i lënë raketat të bien kudo.

Si rezultat dëmton në shkallë të lartë tokat bujqësore, fermat dhe pyjet. Ozcelik ka thënë se kjo është bërë më qëllim nga ana e Hezbollahut.

“Mund t’i atribuoni zjarret me llojin e armëve që janë duke u përdorur, por si pjesë e kësaj historie Hezbollahu kërkon të krijojë kaos dhe nivel të pasigurisë në mesin e popullatës izraelite, çka krijon presion mbi qeverinë izraelite”.

Shkalla e evakuimit është “e padëgjuar në kontekstin izraelit”, ka shtuar Ozcelik.

Shkalla e dëmit është ilustruar nga pamjet e vendbanimeve të Katzrinit në “Golan Heights” e pushtuar. Një pjesë e madhe e tokës së djegur, më e madhe se vet vendbanimi, është shfaqur pas një breshërie të raketave në fillim të qershorit. 

Rreth 30 kilometra në verilindje, jeton Tzahi Gabay, fermer dhe anëtar i ekipit lokal të shpëtimit. 
Ai është nga izraelitët e paktë që ka mbetur në zonën kufitare. Gruaja dhe dy fëmijët e tij, 5 dhe 7-vjeçar, janë larguar nga qyteti Kfar Yuval, që ndodhet disa metra nga fronti dhe po jetojnë në një dhomë të vogël hoteli qe nëntë muaj. Gabay i sheh ata vetëm njëherë në javë.

Ai i ka parë zjarret që kanë shkatërruar zona të mëdha të Izraelit verior.

“Duke u frikësuar nga sulmet raketore, njerëzit e kanë neglizhuar vegjetacionin dhe kështu është tharë në pranverë. Çdo dron, raketë ose predhë që është nisur menjëherë ka shkaktuar zjarre të mëdha në Galilee. E tërë zona ishte duke u djegur. Ne kemi luftuar flakët, kemi shuar zjarrin, për ta parandaluar dëmin më të gjerë, ndaj bizneseve tona”, ka shtuar ai.

Zjarret nuk janë i vetmi rrezik.

Fqinjët e tij, Barak dhe Mira Ayalon, janë vrarë në janar. Ata kanë qenë duke ngrënë drekë në kuzhinë kur një predhë ka goditur murin e dhomës së ditës.
Gabay e ka njohur familjen për vite të tëra.
“Ne jemi rritur bashkë. Largimi i trupave të tyre në atë gjendje... Njerëz që i njihja... Nuk ka qenë e lehtë”, ka thënë ai.

Teksa një numër i vogël i banorëve të qytetit ka qëndruar për t’i mbajtur gjallë pemët me fruta, rreth 90% janë evakuuar, duke e ditur se mund të mos kthehen më kurrë për t’i vjelë.

Hezbollahu nuk ka komentuar. Por lideri, Hassan Nasrallah, ka thënë të mërkurën se “këmbëngulja izraelite për t’i shënjestruar civilët” do t’i shtynte luftëtarët e grupit t’i shënjestrojnë “vendbanimet” e reja me raketa dhe ka paralajmëruar Izraelin se tanket e veta do të shkatërrohen nëse kalojnë në Liban.
Dhe në një adresim në televizion më 10 korrik, ai ka përsëritur zotimin për t’i pezulluar sulmet e organizatës së tij nëse arrihet armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit.

Zjarret e shkaktuara nga sulmet e Hezbollahut, Izrael (Foto: BBC)

Fosfori i bardhë

Shumica e 40 kilometrave katrorë tokë të vlerësuara nga BBC-ja që janë prekur nga zjarret në Liban është afër ose ngjitur me barrierën e sigurisë midis dy vendeve.

Ministri libanez i Agrikulturës, Hajj Hassan, ka thënë se 55 qytete përgjatë vijës kufitare janë prekur nga zjarret e shkaktuara nga Izraeli.

Ai e ka akuzuar Izraelin se ka përdorur fosfor të bardhë në mes të municioneve dhe se dëshiron ta bëjë tokën djerrë dhe të braktisur.

Fosfori i bardhë është substancë kimike që ndizet menjëherë në kontakt me oksigjenin. Ai ngjitet në lëkurë dhe rroba dhe madje mund të shpojë edhe ashtin.

Grupi ndërkombëtar, “Human Rights Watch”, ka verifikuar përdorimin e fosforit të bardhë mbi disa zona të populluar në Libanin jugor, duke përfshirë al-Bustanin.

Sipas grupit, përdorimi i fosforit të bardhë nga Izraeli është “shpërndarë paligjshëm në zonat e populluara”.

IDF-i e mohon këtë, duke thënë se përdorimi i predhave me fosfor të bardhë për të krijuar një perde tymi “është i paligjshëm nën të drejtën ndërkombëtare”. Sipas IDF-it, këto predha nuk përdoren në zona të populluara dendësisht, “me përjashtime të caktuara”.

Sipas të dhënave nga Acled-it, intensiteti i sulmeve mes Izraelit dhe Hezbollahut nuk është ulur që nga 8 tetori, madje me një rritje të vogël në numrin e sulmeve mes të dyja palëve gjatë muajve të fundit. 

Ozceliku ka thënë se ka shqetësime se çdo përshkallëzim i mëtutjeshëm në luftime mund ta nxisë luftën e shkallës së plotë, çka mund ta tërheqë edhe Iranin në mbrojtje të Hezbollahut dhe në përballje të drejtpërdrejtë me Izraelin. 

Por, për të qenë optimiste, ajo ka thënë se beson se si Izraeli ashtu edhe Hezbollahu po përpiqen ta shmangin këtë përfundim.

“Të dyja palët janë goxha të kalibruara në qasjet e tyre përtej kufirit për t’iu shmangur gabimeve në sulme, gabimeve njerëzore ose llogaritjeve të gabuar”.