Bisedimet midis zyrtarëve amerikanë dhe rusë për një marrëveshje të mundshme paqeje në Ukrainë janë gati të fillojnë në Arabinë Saudite.
Bisedime të veçanta mes SHBA-së dhe Ukrainës u zhvilluan në Riad mbrëmë, takim të cilin delegacioni ukrainas e ka cilësuar si produktiv, raportoi BBC-ja.
Ndërkohë, Rusia dhe Ukraina kanë vazhduar të sulmojnë njëra-tjetrën. Forcat ajrore të Ukrainës kanë thënë se kanë rrëzuar 57 nga 99 dronë të nisur gjatë natës, ndërsa Rusia raportoi se 28 dronë u kapën në drejtimin tjetër.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se nevojitet presion më i madh ndaj Moskës pas sulmeve brenda natës, të cilat ai i quajti realitet të përditshëm.
Delegacioni ukrainas vazhdon të qëndrojë në Arabi për negociata të mëtejme me SHBA-në
Delegacioni ukrainas po vazhdon të qëndrojë në Arabinë Saudite për bisedime të mëtejshme me SHBA-në, ka thënë një këshilltar për agjencinë ukrainase të lajmeve “Unian”.
Serhiy Leshchenko ka thënë se negociata të tilla nuk zgjasin vetëm një ditë dhe mund të vazhdojnë me muaj, raporton BBC.
“Thjesht duhet të kuptojmë se takimet do të jenë mjaft të rregullta dhe jo çdo takim përfundon me deklarata publike”, ka thënë ai.
Bisedimet me SHBA-në kanë të bëjnë me "infrastrukturën dhe sigurinë e transportit detar" dhe një armëpushim të ndërsjellë, sipas Leshchenkos.
I pyetur nëse mund të pritet ndonjë rezultat nga bisedimet deri në Pashkë (20 prill), ai thotë se ky është një "simbol" i mirë por "në realitetet e luftës mund të mos funksionojë domosdoshmërisht".