Aktori i famshëm amerikan, Robert De Niro, u shfaq befasisht të martën para gjykatës së New Yorkut për të sulmuar publikisht kandidatin republikan për zgjedhjet presidenciale, Donald Trump, për të cilin ka thënë se “është një kloun që mund të bëhet tiran”.
De Niro, që mbështet presidentin aktual demokrat, Joe Biden, ka thënë para gjykatës se “ky është fundi i Trumpit”.
“Unë e dua këtë qytet, nuk dua ta shkatërroj. Donald Trump jo vetëm që dëshiron të shkatërrojë këtë qytet, por edhe vendin dhe, në fund të fundit, mund ta shkatërrojë botën”, ka thënë De Niro, kundërshtar i gjatë i ish-president republikan.
Fjalimi i De Niros në fakt u organizua nga ekipi i fushatës së presidentit demokrat Biden, ndërsa në të njëjtën kohë, Trumpi po dëgjonte avokatët në gjykatë që po argumentojnë për pafajësinë në çështjen penale kundër tij.
Aktori, i cili tashmë është 80 vjeç, ka thënë se Trumpi është një “kloun”.
“Kur Trumpi kandidoi në vitin 2016, ishte si një shaka, një kloun që kandidon për president. Ne harruam mësimet e historisë që na tregojnë se klounët e tjerë nuk u morën seriozisht derisa u bënë diktatorë të egër”, ka thënë De Niro.
De Niro ka bërë thirrje që tani mos të qeshet, por “të përfitohet nga kjo mundësi unike dhe të votohet kundër tij – një herë e përgjithmonë”.
Zgjedhjet në SHBA do të mbahen në nëntor.