Danimarka është zotuar ta rindërtojë ndërtesën e vjetër historike, të njohur si “Borsen”, e cila u përfshi nga zjarri të martën.
Ndërtesa 400-vjeçare, një nga monumentet më të famshme të kryeqytetit danez, Kopenhagës, ishte duke u rinovuar kur u përfshi nga zjarri, raporton BBC.
Kryetarja e bashkisë së Kopenhagës, Sophie Hæstorp Andersen, së bashku me gjashtë kryebashkiakë të rretheve, kanë thënë përmes një deklarate se rindërtimi i një prej atraksioneve më të njohura të Kopenhagës kërkon bashkëpunim.
“Kjo është pjesë e historisë së ndërtimit të qytetit tonë dhe prandaj ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për ta rindërtuar”, është shprehur Andersen.
Shkaku i zjarrit mbetet i panjohur.
Shërbimet e urgjencës janë duke punuar ende për të siguruar stabilitetin e mureve dhe monitorimin e zonave të padëmtuara.
Ndërtesa i ishte nënshtruar rinovimit për të shënuar 400-vjetorin e ndërtimit të saj dhe skelat e vendosura e kanë vështirësuar punën e zjarrfikësve.
Një faktor tjetër që e bëri të vështirë shuarjen e zjarrit ishte vetë struktura e ndërtesës. Zyrtarët kanë thënë se për shkak që çatia ishte prej bakri, uji vetëm rridhte.
Ata kanë se zjarri ishte më i fortë rreth kullës së lartë.
Kryeministrja e vendit, Mette Frederiksen ka thënë se ishte e dhimbshme të shihje “qindra vjet histori duke u djegur”.