Botë

Danimarka thotë se SHBA-ja po vendos presion të papranueshëm mbi Grenlandën

Mette Frederiksen

Foto: Associated Press

Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, ka thënë të martën se presioni që Shtetet e Bashkuara të Amerikës po e vendosin mbi Grenlandën është i papranueshëm. Këto deklarime i ka bërë para vizitës që planifikohet të zhvillojë një delegacion i lartë amerikan në territorin gjysmë-autonom danez, ka raportuar Reuters.

Vizita e delegacionit amerikan, që nis të enjten (27 mars) dhe mbaron të shtunën, do të udhëhiqet nga Usha Vance, gruaja e nënpresidentit amerikan, JD Vance, këshilltari i lartë për Sigurinë Kombëtare, Mike Waltz dhe sekretari i Energjisë, Chris Wright.

“Duhet të them se është presion i papranueshëm i ushtruar mbi Grenlandën dhe Danimarkën në këtë situatë. Dhe është presion të cilit ne do t’i rezistojmë”, ka deklaruar Frederiksen.

Delegacioni nuk kishte pranuar asnjë ftesë nga qeveritë e Grenlandës dhe Danimarkës.

Zëdhënësi i Këshillit për Sigurinë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, Brian Hughes, ka njoftuar se qëllimi i delegacionit është “të mësojë rreth Grenlandës, kulturës, historisë, dhe njerëzve të saj”. 

Ndërkaq, Frederiksen e ka refuzuar idenë e vizitës private.

“Nuk mund të realizosh një vizitë private me zyrtarë qeveritarë prej një vendi tjetër”, ka shtuar ajo.