Ushtria e Danimarkës ka njoftuar se ka mbyllur hapësirën ajrore dhe rrugët ujore afër një ngushtice të madhe në brigjet daneze, pas dështimit të një rakete në njërën prej anijeve të marinës.
Autoriteti Kombëtar Detar ka lëshuar paralajmërim për anijet që të shmangin një pjesë të ngushticës së Brezit të Madh për shkak të rrezikut të “rënies së fragmenteve të raketës”.
Anijeve u është kërkuar të hedhin spirancën nëse është e nevojshme, raporton BBC.
Stërvitja detare në zonë ka filluar marsin e kaluar dhe do të përfundojë të premten.
Përmes një deklarate, ushtria daneze ka bërë të ditur se problemi me raketën ndodhi “gjatë testimit ku lëshuesi i raketës është aktivizuar dhe nuk mund të çaktivizohej”.
Raketa është lëshuar nga fregata “Niels Juel”, e cila ka qenë pjesë e forcës detare të NATO-s që nga viti 2023.
Paralajmërimi mbulon zonën në jug-perëndim të qytetit të Korsorit, rreth 4 km në jug të urës së Brezit të Madh, e cila e përshkon ngushticën.
Ura mbetet e hapur për trafik, ka thënë operatori i saj.
Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se raketa përmbante 150 kg eksploziv, duke shtuar se nuk do të shpërthejë nëse rrëzohet në det meqë nuk përmbante armë.
Incidenti në ngushticën e Brezit të Madh vjen në fund të një jave të vështirë për marinën daneze.
Të mërkurën, shefi i mbrojtjes, gjeneral Flemming Lentfer, u shkarkua nga detyra pasi nuk raportoi për një sistem armësh që nuk funksiononte në fregatën daneze, “Iver Huitfeldt”, në Detin e Kuq.
Ministri i Mbrojtjes i Danimarkës, Troels Lund Poulsen, ka thënë se e kishte humbur besimin tek gjenerali Lentfer, i cili nuk e informoi ministrinë e Mbrojtjes se radarët dhe sistemet e raketave të fregatës dështuan pasi sulmit nga një dron i kontrolluar nga militantët Houthi.