Botë

Danimarka i heq nga tregu “noodles”

Noodles - Danimarka

Danimarka ka marrë vendim që të heqë nga tregu ushqimin korean, “noodles”, pasi janë “shumë pikante”.

Administrata Daneze e Veterinarisë dhe Ushqimit njoftoi se të paktën katër lloje të këtij ushqimi të shpejtë po hiqen për shkak se përmbajnë shumë ekstrakt të specit djegës dhe të kapsaicinës, komponent që jep shije pikante, shkroi Upi.

Ndaj këtij vendimi ka reaguar kompania prodhuese, Samyang, duke thënë se qëndron prapa produkteve të saj.

“E kuptojmë se autoriteti danez i ushqimit i tërhoqi produktet, jo për shkak të ndonjë problemi në cilësinë e tyre, por sepse ato ishin shumë pikante. Produktet po eksportohen globalisht, por kjo është hera e parë që tërhiqen për këtë arsye”, thuhet në reagim.