Danimarka, Greqia, Pakistani, Panamaja dhe Somlia pritet të marrin ulëse në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, në një votim të fshehtë të enjten në Asamblenë e Përgjithshme.
Trupi i përbërë nga 193 shtete anëtare pritet të votojë për të zgjedhur pesë shtetet për të shërbyer për një mandat dy-vjeçar në Këshill.
10 vendet jo të përhershme në këshillin prej 15 anëtarësh u jepen grupeve rajonale që zakonisht zgjedhin kandidatët e tyre, por ndonjëherë nuk mund të bien dakord për një, raporton AP.
Vitin e kaluar, Sllovenia mposhti fuqishëm aleatin e ngushtë të Rusisë, Bjellorusinë për vendin që përfaqësonte grupin rajonal të Evropës Lindore, një votim që pasqyroi kundërshtimin e fortë global ndaj pushtimit të plotë të Rusisë në Ukrainë.
Këtë herë, grupet rajonale propozuan Somalinë për një vend afrikan, Pakistanin për një vend Azi-Paqësor, Panamanë për një vend në Amerikën Latine dhe Karaibe, dhe Danimarkën dhe Greqinë për dy vende kryesisht perëndimore.
Pesë anëtarët e këshillit të zgjedhur të enjten do të fillojnë mandatet e tyre më 1 janar, duke zëvendësuar ata, mandati dyvjeçar i të cilëve përfundon më 31 dhjetor: Mozambiku, Japonia, Ekuador, Malta dhe Zvicra.
Ata do të bashkohen me pesë anëtarët e përhershëm me të drejtë veto - Shtetet e Bashkuara, Rusia, Kina, Mbretëria e Bashkuar dhe Franca, dhe pesë vendet e zgjedhura vitin e kaluar - Algjeria, Guajana, Koreja e Jugut, Sierra Leone dhe Sllovenia.
Të gjitha vendet që pritet të marrin ulëse të enjten, kanë shërbyer më parë në Këshillin e Sigurimit: Pakistani shtatë herë, Panamaja pesë herë, Danimarka katër herë, Greqia dy herë, ndërkaq Somalia një herë.