Botë

Danezët nënshkruajnë peticion për ta “blerë” Kaliforninë

flamuri i Amerikës dhe ai i Danimarkës

Foto: AP

Një peticioni, si nismë satirike, që ka për qëllimin të grumbullojë një trilion dollarë që mundësojnë “blerjen” e Kalifornisë nga Danimarka, është nënshkruar nga më shumë se 200,000 qytetarë, raporton CNN. 

“A e keni shikuar ndonjëherë hartën dhe keni menduar se, ‘A e di se çka i duhet Danimarkës?’, Më shumë rreze dielli, pemë palme dhe rrollera. Prandaj, ne kemi një mundësi të rrallë për ta kthyer këtë ëndërr në realitet”, shkruan në tekstin e peticionit.

“Le ta blejmë Kaliforninë nga Donald Trumpi! Po, na dëgjuat mirë. Kalifornia mund të bëhet e jona, dhe neve na duhet ndihma e juaj për të realizuar këtë”, shkruhet tutje ne tekst.

Peticioni vjen si kundërpërgjigje e interesit të shprehur nga presidenti amerikan për të kontrolluar Grenlandën, një territor gjysmë-autonom danez.

Ky peticion paraqet disa arsye se pse Danimarka do të përfitonte nga “blerja” e sugjeruar e Kalifornisë, duke përfshirë mot më të mirë, një furnizim të sigurt me avokado dhe dominim në teknologji.

“Përfitimi i një grupi shtesë të djemve të teknologjisë? Fantastike! Është ajo që i duhet çdo demokracie”, thuhet në tekstin e peticionit, i cili konstaton se Danimarka do të ishte e aftë të “mbronte botën e lirë” dhe të riemëronte Disneylandin në “Hans Christian Andersenland”.

“Mickey Mouse me një helmetë vikinge? Po, të lutem”, thuhet tutje. 

Krejt çfarë mbetet është të arrihet qëllimi prej 1 trilion dollarësh, me “disa miliarda më shumë ose më pak,” dhe të dërgojmë “negociatorët tanë më të mirë – drejtorët e Legos dhe aktorët e Borgen”.
Kalifornia do të bëhet Danimarka e re. Los Angeles? Më shumë si  Løs Ångeles,” vazhdon peticioni.

“Do të sjellim një atmosferë të ngrohtë në Hollywood, korsi biçikletash në Beverly Hills dhe smørrebrød organik në çdo kënd rruge. Mund të aplikohet sundimi i ligjit, kujdesi shëndetësor universal dhe politika të bazuara në fakte”.

Presidenti amerikan Donald Trumpi, i cili mori detyrën më 20 janar, ka thënë se kontrolli amerikan i Groenlandës është një “domosdoshmëri absolute”.

Zyrtarët në Groenlandë dhe Danimarkë kanë kundërshtuar ashpër dëshirën e Trumpit për të kontrolluar ishullin - megjithatë shumë zyrtarë danezë i kanë thënë CNN-it se frikësohen se presidenti amerikan është shumë më serioz rreth kësaj ideje në krahasim me mandatin e tij të parë.

Pavarësisht këtyre kundërshtimeve, debati mbi të ardhmen e Groenlandës është ngjallur nga spekulimet në rritje mbi lëvizjen e saj për pavarësi.

Në fjalimin e tij përmbyllës për fundvit, kryeministri i Groenlandës ka deklaruar se ishulli duhet të çlirohet prej “kufizimeve të kolonializmit” – mirëpo pa i përmendur Shtetet e Bashkuara në fjalimin e tij.