Botë

CNN: Rusia po i rikthen ushtarët e plagosur në vijat e frontit

Ukraina

Një video e kapur me dron në janar, e postuar nga brigada 59 e qytetit të Pokrovskut, tregon një ushtar rus i cili përdor patericat në të dy krahët për t’u larguar nga fushëbeteja. Ai po lëvizte ngadalë, pavarësisht se ishte i ndërgjegjshëm për rrezikun nga droni ukrainas që sillej mbi kokën e tij

Përderisa po ka vështirësi me rekrutimin e trupave të reja, ushtria ruse është duke i dërguar ushtarët e plagosur në paterica përsëri në vijën e frontit, sipas videove dhe dëshmive të siguruara nga CNN-i.

Pamjet e kapura nga dronët ukrainas në vijat e frontit tregojnë për ushtarë të plagosur rëndë në këmbë, duke përdorur paterica për të lëvizur nëpër zonat e luftës.

“Rusia po i riciklon të plagosurit e luftës dhe po i kthen në fushëbetejë”, ka thënë një zyrtar perëndimor.

Përdorimi i ushtarëve të plagosur është shenjë se Moska zyrtare është e paaftë për të mobilizuar e rekrutuar ushtarë të rinj, ide kjo aspak e popullarizuar në mesin e klasave të mesme urbane të Rusisë, sipas zyrtarit perëndimor, i cili foli për CNN-in në kushte anonimiteti.

Një video e kapur me dron në janar, e postuar nga brigada 59-të e qytetit të Pokrovskut, tregon një ushtar rus i cili përdor patericat në të dyja krahët për t’u larguar nga fushëbeteja. Ai po lëvizte ngadalë, pavarësisht se ishte i ndërgjegjshëm për rrezikun nga droni ukrainas që sillej mbi kokën e tij.

Droni pastaj lëshoi një bombë mbi të.

Video të tjera shfaqin ridërgimin e detyruar të të plagosurve në vijat e frontit. Njëra prej tyre shfaq një burrë të plagosur, emrin e të cilit CNN po e mban anonim për shkaqe të sigurisë, që tërhiqet zvarrë nga disa burra të tjerë jashtë një spitali në qytetin jugor rus të Yeyskut, në rajonin e Krasnodarit.

“Çfarë dreqin po bëni me mua, pse? Unë sapo u operova dje, ta hajë dreqi!”, ka thënë ai. Duke u kthyer në drejtim të kamerës, ai shton se “unë po i adresohem gjithë popullit të Rusisë dhe dua t’u tregoj të gjithëve se çfarë po ndodh me njërin prej ushtarëve tanë të vlefshëm në Forcat e Armatosura të Federatës Ruse”.

Brenda veturës ai tregon për lëndimin e pësuar në këmbë, ku edhe kishte pasur operacion së fundmi. Ai gjithashtu mban dorën e tij të lënduar. “Unë kam humbur njërin gisht; Ata gjithashtu e kishin qepur dje. Unë mund të lëviz vetëm duke përdorur patericat”.

Ai ka thënë se ka pasur një vozitje të mundimshme 8-orëshe nëpër rrugë të këqija, në mënyrë që të kthehet në vijat e frontit të qytetit të Luhanskut dhe pastaj e kthen kamerën tek pasagjerët e tjerë, të cilët po ashtu tregojnë plagët e tyre. “Unë kam një tub brenda në stomak”, ka thënë një burrë tjetër. Është e paqartë se kur ishte filmuar videoja.

Një video tjetër e postuar nga blogerët e ushtrisë ruse, me shumë gjasa muajin e kaluar, shfaq një njësit ushtarak që ndodhet në pyll, të veshur me pajisje mbrojtëse të ushtrisë. Personi që po filmonte thotë se “kjo është mënyra se si po na dërgojnë në mision luftarak. Kjo është çmenduri!”.

“Tani do t'u japin edhe armë automatike dhe do t'i dërgojnë në front! Si po ndodh kjo, vallë?”, ka shtuar ai.

Një ushtar tjetër thotë se “unë kam luftuar pesë herë, dy lëndime të rënda në trup dhe një lëndim të rëndë në tru”. Ai ka thënë se spitali e kishte deklaruar të gatshëm vetëm për shërbim joushtarak. “Tani ata më japin armë dhe më dërgojnë në front pa e vrarë fare mendjen. Njësiti i 20-të ushtarak është me të vërtetë fantastik”, ka shtuar ai në mënyrë ironike.

Një zyrtar i Inteligjencës Mbrojtëse të Ukrainës ka deklaruar se ata e kishin diktuar këtë prirje të Rusisë për të dërguar ushtarë të plagosur nëpër “zona aktive të luftës” tek në gjashtë muajt e fundit. Ai e atribuoi përdorimin e trupave të plagosur si një manovër e komandantëve rusë për të fshehur humbjet dhe njëkohësisht paaftësinë për të rekrutuar e dërguar trupa të reja në zonat e luftimeve atëherë kur duhet.

Disa e kanë shmangur ridërgimin në front. CNN ka folur me një ushtar rus, i cili ishte plagosur gjatë përplasjeve në qytetin ukrainas të Vovchanskut. Ai kishte pasur trajtim të kufizuar në spital dhe vetëm një muaj lirim nga shërbimi ushtarak. Pasi kishte dëgjuar se të plagosurit e luftës po dërgoheshin përsëri në betejë, ai u largua nga Rusia. CNN ka parë dokumente që verifikojnë rrëfimin e tij, por i ka ruajtur detajet për shkaqe të sigurisë.

“Unë qëndrova në spital për një muaj. Dhe ata nuk e nxjerrin predhën jashtë për askënd. Thjesht vënë një pomadë dhe kjo është. Kur plaga shërohet pak, të lëshojnë”, ka shtuar ai.

Ai tha se u shërua afër një spitali ushtarak në Moskë, dhe se ata që ishin të palëvizshëm ose me paterica kishin të drejtë vetëm për një muaj pushim kur të shëroheshin përsëri.

“Ata nuk kishin të drejtë të largoheshin nga njësia. Kjo është ajo që ata e quajnë si ‘regjiment në shërim’. Ata kalojnë një muaj atje dhe pastaj i hedhin përsëri në zonat e luftës”.

Ai e përshkroi politikën në fjalë si “biletë njëdrejtimëshe”, e dizajnuar për të reduktuar kompensimin që u bëhet familjeve. “Ata paguajnë 3 milionë rubla (afërsisht 33.918 dollarë) për ndonjë lëndim. Ata po dërgojnë personat me aftësi të kufizuara përsëri në front...që të mos paguajnë para. Nëse personi mungon, familja nuk kompensohet me asgjë. Një trup nevojitet si provë dhe nëse nuk ka trup, kjo është e tëra, na vjen keq, ditën e mirë!”.

CNN gjithashtu mori dokumente nga zyrtarët ukrainas, të cilët thanë se të njëjtat dokumente i kishin marrë nga trupat e vdekur të ushtarëve rusë rreth Pokrovskut.

Ndër dokumentet e shumta u gjet një raport mjekësor që tregonte për lëndime në kokë dhe trup te një ushtar rus që ishte dërguar përsëri për të luftuar.

Përgatiti: Ideal Zhubi