Të gjitha luftërat në dhe rreth Gazës që kur Hamasi mori kontrollin atje në vitin 2007 kanë përfunduar në të njëjtën mënyrë, me marrëveshje armëpushimi. Armëpushimet erdhën të gjitha me një të metë fatale që garantoi luftën e ardhshme midis Izraelit dhe Hamasit
Veç të arrish fundin e ditës e të mbijetosh natën duket sikur mrekulli në Rripin e Gazës. Palestinezët “luten për siguri”, ka shkruar Philippe Lazzarini, kreu i UNRWA-s, agjencia kryesore e ndihmës e OKB-së në Gaza, në një “tragjedi të pafundme, që po thellohet...ferr në tokë”.
Duhet të jetë po aq ferr për pengjet e marra nga Hamasi dhe për familjet e viktimave të tyre. Lufta është furrë mizore që i vë njerëzit në agoni të tmerrshme. Por nxehtësia e saj mund të prodhojë ndryshime që dukeshin të pamundura.
Kjo ndodhi në Evropën Perëndimore pas Luftës së Dytë Botërore. Armiqtë e vjetër që kishin vrarë njëri-tjetrin për shekuj zgjodhën paqen. A do t’i tronditë lufta në Gaza izraelitët dhe palestinezët për t’i dhënë fund shekullit të konfliktit të tyre mbi tokën midis Detit Mesdhe dhe lumit Jordan?
E veja e Muhamed Ebu Sharit
Kam qenë duke e parë një video të një gruaje e mbytur në pikëllim, e ulur pranë trupit të burrit të saj, Muhamed Abu Shaar. Duke qenë se Izraeli dhe Egjipti nuk po i lejojnë gazetarët të hyjnë në Gaza, nuk e kam takuar atë. Nuk kam mundur ta zbuloj emrin e saj, i cili nuk ishte postuar krahas emrit të burrit dhe fëmijëve të saj të vdekur.
Në video duket sikur ajo shpreson, disi, që fuqia e pikëllimit të saj ta kthejë atë.
“Të lutem, premtuam se do të vdisnim bashkë. Ti vdiqe dhe më le. Ç’duhet të bëjmë o Zot? Muhamed, çohu! Për hir të Zotit, i dashuri im, të betohem në Zotin, të dua. Për hir të Zotit çohu, fëmijët tanë Nur dhe Aboud janë këtu tek ti. Çohuni”.
Dy fëmijët ishin me babanë e tyre, sepse të tre sapo ishin vrarë nga Izraeli. Një sulm ajror shkatërroi shtëpinë që ata shpresonin se do t’i strehonte në Rafah.
Yonatan Zeigen
E vizitova Yonatan Zeigenin në banesën e tij në Tel-Aviv. Ishte shtëpi komode, plot me lodra të fëmijëve të tij. Mes fotove familjare njoha nënën e tij, Vivian Silver, e cila merrte pjesë në një nga fushatat kryesore të Izraelit për paqen me palestinezët. Vivian ishte në shtëpinë e familjes në kibuc Be’eri, në kufirin me Gazën, kur Hamasi sulmoi më 7 tetor.
Herën e parë që takova Yonatanin, në ditët pasi kibuci i tyre u sulmua, shpresonte se mamaja e tij ishte marrë në Gaza si peng.
Kur dëgjoi sirenat e sulmit ajror në Tel-Aviv, e thirri në telefon Vivian. Ata kaluan në WhatsApp teksa dëgjuan të shtëna armësh dhe shpërthime në kibuc, me shpresën se nëse ajo nuk bënte zhurmë, Hamasi do ta anashkalonte shtëpinë.
Ai lexoi tekstet që shkëmbyen, fillimisht pak humor të zi dhe befas serioz dhe plot dashuri teksa ajo kuptoi se po ndodhte masakra.
“Më ka shkruar se janë brenda në shtëpi, është koha të mos bëj shaka dhe të them lamtumirë”, më thotë.
“Dhe ia ktheva që ‘të dua, mami. Nuk kam fjalë, jam me ty’. Më pas ajo shkruan, ‘Të ndjej’. Dhe kaq ishte, ky është mesazhi i fundit”.
Të nesërmen vizitova shtëpinë e saj në kibuc dhe pashë se ishte djegur. U deshën javë që hetuesit të gjenin eshtrat e Vivian Silver në hirin e lënë pas në dhomën e sigurt. Yonatan ka hequr dorë nga karriera e tij si punonjës social për të bërë fushatë për paqen.
“Ata erdhën në vendin tim dhe vranë nënën time, sepse ne nuk kishim paqe. Pra, për mua, kjo vetëm dëshmon pikën që ne kemi nevojë për të”, thotë ai.
“Mund të shkojë në çdo mënyrë. Katastrofat si kjo krijojnë ndryshime në shoqëritë në botë. Dhe unë besoj se kjo mund të çojë në një të ardhme më të mirë”.
Issa Amro
Issa Amro është aktivist palestinez në Hebron në Bregun Perëndimor. Qyteti është i shenjtë për myslimanët dhe hebrenjtë, të cilët e nderojnë atë si vendvarrimi i profetit Abraham. Ka qenë vatër e konflikteve për dekada.
Issa është i njohur në Hebron dhe konsiderohet si një ngatërrestar nga ushtarët izraelitë, të cilët kanë zbatuar një shtetrrethim për palestinezët që jetojnë pranë vendbanimit hebre në zemër të qytetit. Ai më tha se ishte arrestuar dhe rrahur pas sulmeve të 7 tetorit.
Ashtu si Yonatan Zeigen në Tel-Aviv, Issa Amro beson se lufta mund të krijojë një shans për izraelitët dhe palestinezët që të bëjnë jetë më të mirë dhe më të sigurt.
“Mendoj se janë dy mundësi. Ose ne zgjedhim ta bëjmë atë më thellë dhe më keq, ose do ta bëjmë si një mundësi për të zgjidhur konfliktin dhe për të zgjidhur okupimin, për të zgjidhur aparteidin dhe për ta bërë të mundur jetesën së bashku sepse zgjidhja e sigurisë dështoi ... vetëm ... paqja është zgjidhje”.
Perspektivat për paqe
Mund të duket shumë larg tani, dhe shumë njerëz të tjerë do të vriten para se të ndodhë, por si çdo luftë kjo do të ndalet.
Të gjitha luftërat në dhe rreth Gazës që kur Hamasi mori kontrollin atje në vitin 2007, kanë përfunduar në të njëjtën mënyrë, me marrëveshje armëpushimi. Armëpushimet erdhën të gjitha me një të metë fatale që garantoi luftën e ardhshme midis Izraelit dhe Hamasit. Kjo, për shkak se nuk u bë asnjë përpjekje për t’i dhënë fund një shekulli konflikti midis palestinezëve dhe izraelitëve.
Vrasjet dhe shkatërrimet në këtë luftë janë të një rendi kaq të ndryshëm sa askush nuk mund të pretendojë se ka ndonjë lloj normaliteti për të rivendosur. Këtë herë duhet të jetë ndryshe. Kjo është pranuar nga palestinezët dhe izraelitët dhe fuqitë e jashtme që kanë më shumë rëndësi.
Problemi është të bihen dakord se cilën të ardhme të përpiqen ta krijojnë. Qeveria izraelite po shkon drejt mosmarrëveshjes diplomatike me Shtetet e Bashkuara, aleaten e saj më të rëndësishme, për atë që ndodh pas armëpushimit.
Presidenti Joe Biden është i zemëruar nga ajo që ai e quajti “bombardimin pa dallim” të Gazës nga Izraeli. Megjithatë, ai vazhdon të mbështesë Izraelin, siç ka bërë që nga fillimi i luftës, duke vendosur aeroplanmbajtëse, duke dërguar aeroplanë me armë dhe duke vënë veton për rezolutat e armëpushimit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
Në këmbim, Joe Biden dëshiron që Izraeli të pajtohet se e vetmja rrugë përpara është ringjallja e bisedimeve për krijimin e një shteti të pavarur palestinez. Ky ishte objektivi i procesit të paqes në Oslo, i cili dështoi pas vitesh negociatash.
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, nuk ka thënë shumë për mënyrën sesi do të qeveriset Gaza nëse dhe kur e shpall fitoren ndaj Hamasit. Por ai e ka hedhur poshtë planin e Joe Biden.
Një konstante në karrierën e gjatë politike të Netanyahut ka qenë kundërshtimi ndaj shtetit të pavarur palestinez që Oslo u përpoq dhe dështoi ta prodhonte.
Fitorja totale dhe dorëzimi i pakushtëzuar i kujtdo që mbetet i gjallë në Hamas mbeten objektivat e Izraelit. Asgjësimi i Hamasit, beson Netanyahu, është mënyra e vetme për t’i shpëtuar pengjet.
Disa orë përpara se Biden të thoshte se bombardimi i Izraelit ishte pa dallim, Netanyahu mbajti fjalimin e tij.
“Unë nuk do ta lejoj Izraelin të përsërisë gabimin e Oslos”, ka theksuar ai. “Pas sakrificës së madhe të civilëve tanë dhe ushtarëve tanë, unë nuk do të lejoj hyrjen në Gaza të atyre që edukojnë për terrorizmin, mbështesin terrorizmin dhe financojnë terrorizmin. Gaza nuk do të jetë as Hamastan, as Fatahstan”.
Fatahstan është referencë nënçmuese për Autoritetin Palestinez, rivalin e Hamasit, i cili e njeh Izraelin dhe bashkëpunon me të për sigurinë.
Politika e brendshme izraelite ushqehet me llogaritjet e Netanyahut. Sondazhet e opinionit tregojnë se shumë izraelitë e fajësojnë atë për dështimet e inteligjencës dhe sigurisë që lejuan Hamasin të depërtonte në Izrael me forcë të tillë. Duke dyfishuar kundërshtimin e tij ndaj vetëvendosjes palestineze, Netanyahu po përpiqet të rifitojë besimin e nacionalistëve hebrenj të krahut të djathtë që mbështesin qeverinë e tij.
Përktheu: Blerta Haxhiu