Botë

Bill Clinton: Suksesi i qëndrueshëm i Ballkanit, thelbësor për suksesin e Evropës dhe të SHBA-së

Foto: Reuters

Presidenti i 42-të amerikan, Bill Clinton, e ka vlerësuar vendimin për bombardimin e caqeve serbe në Bosnjë-Hercegovinë më 1995 si një prej më të rëndësishmëve të dy mandateve presidenciale.

“Unë gjithnjë kam besuar se çfarë kemi arritur me NATO-n dhe me Daytonin, nën lidershipin e diplomatit të ndjerë, Richard Holbrooke, ishte një prej punëve më të mira të Presidencës. Ishte një test i madh për partneritetin transatlantik”, ka deklaruar Clinton gjatë videoadresimi në konferencën virtuale të Këshillit Evropian për Marrëdhënie Ndërkombëtare (ECFR), “25-vjetori i Daytonit: E ardhmja e Bosnjë-Hercegovinës”.

“Suksesi afatgjatë i Bosnjës, por edhe i mbarë rajonit të Ballkanit, është thelbësor për suksesin e Evropës, Shteteve të Bashkuara dhe botës më të gjerë”, ka deklaruar Clintoni, duke përkrahur presidentin e zgjedhur demokrat, Joe Biden, i cili një ditë më parë shprehu mbështetje të vendosur për stabilitetin dhe sovranitetin e Bosnjës. Bideni ka hedhur poshtë edhe mundësinë e përkrahjes së propozimeve për ndryshim kufijsh në Ballkan.

Gjatë administratës së Donald Trumpit, mediat më prestigjioze perëndimore, përfshirë gazetarë veteranë që kishin raportuar nga luftërat në Ballkan, raportonin se në Shtëpinë e Bardhë nuk përjashtohej mbështetja e ndryshimit të kufijve nëse për këtë do të pajtoheshin Serbia e Kosova. Ujdia, paralajmëronin ata, do të kishte pasoja shkatërrimtare për tërë rajonin.

Sfida e kontesteve të kahershme

Por edhe presidenti i ri amerikan është i vetëdijshëm për sfidat me të cilat po përballet Ballkani Perëndimor, gjashtë shtetet e të cilit po ngecin në rrugën e integrimit evropian.

“Megjithatë, një çerekshekulli më vonë, është e qartë se puna për ta promovuar drejtësinë, pajtimin dhe një Bosnjë-Hercegovinë funksionale, multietnike mbetet e paplotë”, thuhet në deklaratën e Bidenit me rastin e përvjetorit të Marrëveshjes së ndërmjetësuar në kazermën e Daytonit në Ohio nga diplomati Richard Holbrooke, por që do të nënshkruhej më 15 dhjetor 1995 në Paris nga lideri boshnjak, Alia Izetbegoviq, ai kroat, Franjo Tugjman, dhe ai serb, Slobodan Milosheviq, shkaktari i të gjitha luftërave që shkaktuan shpërbërjen e përgjakshme të ish-Jugosllavisë. Garantues të marrëveshjes u bënë hisedarët ndërkombëtarë, presidenti Clinton, homologu francez, Jacque Chirac, kancelari gjerman, Helmut Kohl, kryeministri britanik, Jon Major, dhe homologët e tij, rusi Viktor Chernomerdin dhe spanjolli Filipe Gonzalez. Deri atëherë, për më shumë se tre vjet lufta ndërmjet myslimanëve, kroatëve të mbështetur nga Kroacia dhe serbëve të përkrahur nga Serbia, ua kishte marrë jetën më shumë se 100 mijë personave.

“Ende më vjen shumë keq që është dashur të kalonte aq kohë e gjatë derisa të bëheshim bashkë miqtë e Bosnjës, por edhe aleatët e NATO-s për të vepruar”, ka thënë ish-lideri demokrat i Shtëpisë së Bardhë.

Bosnja, “leksion” në rastin e Kosovës

Christiane Amanpour, redaktore e lajmeve ndërkombëtare në CNN, atëherë po raportonte nga terreni në Bosnjën e zhytur në luftë. Ajo e ka përshkruar të martën raportimin nga Bosnja si moment përcaktues në karrierën e saj.

“Ne ishim rritur me frymën se gjenocidi është i patolerueshëm, dhe këto ishin masakrat më të mëdha për shkak të etnisë dhe religjionit tjetër në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore”, ka thënë Amanpour kur është pyetur për motivimin e mbulimit të gjenocidit serb mbi qytetarët e pafajshëm të Bosnjës, kryesisht myslimanë. “Kjo na shtyri që të jemi në Bosnjë, në Sarajevë, në çdo pjesë të Bosnjës, që të shihnim ditë për ditë se si po vriteshin gra, fëmijë, qytetarë që nuk po luftonin. Shumica prej tyre ishin njerëz që nuk po luftonin”, ka kujtuar ajo.

Amanpour ka thënë se Perëndimi u ndërgjegjësua vetëm pas masakrës së Srebrenicës, ku u vranë më shumë se tetë mijë djem e burra të pafajshëm myslimanë, dhe masakrës në tregun e Sarajevës. “Clintoni i priu ndërhyrjes, mendoj se ishte edhe Tony Blair kur i prinë ndërhyrjes për parandalimin e gjenocidit në Kosovë. Mendoj se ne bëmë punën tonë”, ka thënë Amanpour, e cila do të raportonte gjatë luftës edhe nga Kosova.

“Kapje pushteti” edhe në Bosnjë

Ajo u ka bërë thirrje veçmas të rinjve të Ballkanit që të bëhen bashkë, pavarësisht dallimeve në luftën kundër korrupsionit dhe ndëshkimit demokratik të liderëve që përdorin kartën e nacionalizmit dhe gjuhën e urrejtjes për të ruajtur pushtetin për hesape të ngushta. Amanpourit e Clintonit u kanë dhënë shpresë të rinjtë, të cilët kanë folur paraprakisht në videokonferencën e Këshillit Evropian për Marrëdhënie Ndërkombëtare.

Ida Avdibegoviq, regjisore e dokumentarit “Zëri i rinisë 25 vjet pas Daytonit”, ka thënë se të rinjtë e Bosnjës duan ndryshim të mendësisë dhe politikës së ndarjes në rajon. “Unë mendoj se një prej shkathtësive që na duhej ishte guximi, sepse ne e dimë se kufijtë nuk ekzistojnë në mendjet e të rinjve, por sikurse e kemi parë edhe në dokumentar, në kokat e politikanëve”, ka thënë ajo, duke shtuar se ndryshimi i qëndrueshëm vjen vetëm kur të ndryshohen mendësia dhe veprimet.

Në temën “Pavarësisht politikës: Potenciali qytetar në Bosnjë-Hercegovinë”, Aleksandra Tomaniq, drejtoreshë ekzekutive e Fondit Evropian për Ballkanin, ka thënë se të gjitha institucionet publike janë kapur nga politikanët nacionalistë, të cilët përdorin gjuhën e frikës për të shtypur pakënaqësitë e mundshme. Nuk sheh shumë shpresë as te mbështetja evropiane.

“Bashkimi Evropian është në krizë të madhe, dhe kjo krizë ndikon në gjithçka. Është humbur besimi shumë, besimi në bashkësinë ndërkombëtare, në shtet, në partitë politike, në shoqërinë civile”, ka thënë ajo, duke shtuar se protestat studentore të vitit 2014 ishin shenjë shprese.

Shkollat e ndarjes etnike

Megjithatë ato u shtypën nga elitat e korruptuara, ka thënë Samir Behariq, aktivist nga qyteti i Jajces, duke treguar se si muajve të fundit biznesmenë të afërt me politikanët vendës provuan të ndërtonin hidrocentrale vetëm treqind metra larg ujërave të famshme të Jajces.

“Ujëvarat e Jajces janë të vetmet në botë që ndodhen në qendër të qytetit”, ka thënë ai, duke treguar për mobilizimin e qytetarëve për të mbrojtur pasurinë natyrore.

Behariq ka treguar se Bosnja ende numër 56 shkolla, ku nxënësit mësojnë ndaras, varësisht prej etnisë së tyre. Të ndryshme janë edhe planprogramet mësimore.

“Elitat nacionaliste duan t’i thellojnë dasitë, me qëllim që të fitojnë më shumë vota, sepse është e lehtë të marrësh votën e një tetëmbëdhjetëvjeçari që është rritur duke iu shpëlarë truri”, ka thënë ai.

Ivana Korajliq, drejtoreshë ekzekutive për Bosnjë e organizatës “Transparency International”, ka thënë se vetëm po thellohet shkalla e korrupsionit dhe nepotizmit. “Po shohim se gjendja po përkeqësohet në të gjitha nivelet, në nivelin e demokracisë, në nivelin e luftimit të korrupsionit, në nivelin e integritetit të institucioneve”, ka thënë ajo. “Jemi në situatën më të keqe në pesëmbëdhjetë vjetët e fundit. Partitë politike kontrollojnë të gjitha poret e jetës në këtë shoqëri”, është shprehur Korajliq.

Mobilizimi i oligarkëve

Jasmin Mujanoviq, autor i librit “Uri dhe zemërim: Kriza e demokracisë në Ballkan”, u është kthyer protestave të vitit 2014, duke i vlerësuar si “akti më i rëndësishëm politik pas luftës”. Por ka treguar se si politikanët u mobilizuan për të frenuar ndryshimin.

“Oligarkia nisi menjëherë të bashkohej dhe të ndante miliona euro që të kontrollonin këta mekanizma dhe u morën masa agresive dhe kërcënime në qytete kundër njerëzve që organizonin protesta”, ka thënë ai. “Dhe tani po bëhet më e vështirë të luftohet, sepse elitat po bëhen më të forta, po kapin gjithçka, dhe nuk po lënë që të jetësohet ndonjë ndryshim i madh”.

Për rrezikun e abuzimit të pushtetit në emër të nacionalizmit kanë paralajmëruar edhe Clinton e Biden.

“Shumë shpesh ne kemi parë nacionalizmin të fitojë mbi interesin kombëtar dhe pasurimin e disa që vijnë para reformave për të përfituar shumë”, thuhet në deklaratën e Bidenit me rastin e 25-vjetorit të Marrëveshjes së Paqes. “Ky përvjetor është një rast për të gjitha palët që të reflektojnë mbi mundësinë e një të ardhmeje më të ndritur dhe për të rimarrë hapat e vështirë, por të nevojshëm për të ndërtuar një Bosnjë- Hercegovinë plotësisht funksionale për të gjithë qytetarët e saj”.