Botë

Çka ndodh nëse Ushtria amerikane ndjek kartelet brenda territorit të Meksikës?

Ushtarët amerikanë në kufi me Meksikën duke e rrethuar zonën

Foto: Associated Press

Më herët presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka deklaruar se Ushtria e SHBA-së duhet të ndërhyjë brenda territorit të Meksikës për t’i neutralizuar kartelet e drogës.
Ekspertët thonë se përfshirja e drejtpërdrejtë në mes Ushtrisë së SHBA-së dhe karteleve të drogës brenda territorit të Meksikës do të shkaktonte kundërpërgjigje serioze, duke përfshirë edhe turistë amerikanë, raporton “The Guardian”.

Një nga vendimet e para të Trumpit ishte shpallja e karteleve si organizata terroriste, njëjtë si “Al-Qaida” dhe Shtetin Islamik – armiqtë kryesorë të SHBA-së për më shumë se dy dekada që kanë shkaktuar luftëra të shtrenjta për SHBA-në. 

Menjëherë pas vendimit Pentagoni ka njoftuar dërgimin e 1.500 trupave në kufi me Meksikën. 
Por ekspertët thonë se një përballje e drejtpërdrejtë në Meksikë do të shkaktonte përgjigje serioze. 
Kartelet meksikane të drogës janë organizata të mirarmatosura me armë të prodhuara nga SHBA-ja. Ato nuk do të hezitonin të përdornin dhunë hakmarrëse dhe qytetarët amerikanë mund të vuajnë si pasojë e saj – me gjasë ndaj turistëve, në pjesët me vizitorë të shumtë si Cancun, ku kartelet kanë prezencë të madhe ose në komunitetet në kufirin Meksikë – SHBA.  

“Thirrja e shpeshtë për intervenim të njëanshëm të Ushtrisë së SHBA-së në Meksikë është e rrezikshme”, ka deklaruar John P. Sullivan, ish-oficer në Los Angeles dhe pjesëtarë në Small Wars Journal-El Centro. 

Po ashtu ai shtoi se nga pjesa ligjore njohja e karteleve si organizata terroriste nuk detyron intervenim direkt ushtarak, por deklarimet se “veprimet e karteleve dhe imigrimi si pushtim është zgjedhje e hapur për të lejuar veprimet e drejtpërdrejta ushtarake”. 

Misionet e mundshme të përmendura janë përshkruar si misione të njëjta ndaj ISIS-it dhe “Al-Qaidas”, ku mund të formohen njësite të forcave speciale me misione të posaçme, si te rasti i vrasjes së Osama bin Ladenit brenda territorit të Pakistanit në vitin 2011. 

Inteligjenca e SHBA-së krijoi “lista të vrasjeve” dhe Komanda për Operacione Speciale e SHBA-së (Socom) veproi duke neutralizuar secilin në listë. Kostoja ishte miliarda dollarësh dhe vdekjet e civilëve ishin të shpeshta, por kjo ndikoi në rritjen e rekrutimit dhe të vetë ISIS-it. 

“Derisa ndjekja e liderëve të karteleve është politikisht tërheqëse, është operacionalisht e pasigurt. Zakonisht vrasja e liderëve krijon hendek pushteti duke shkaktuar luftëra të brendshme për pushtet dhe rritje të dhunës”, ka deklaruar Sullivan. 

Për momentin një kontingjent i Socom nuk është pjesë e trupave të vendosura në kufirin jugor.
Më herët ish-presidenti i SHBA-së, Barack Obama, si dhe Trumpi kanë përmendur shpalljen e karteleve si organizata terroriste, por nuk e bën. Në vitin 2020 Trumpi sugjeroi goditje me raketa brenda Meksikës. Trumpi në mandatin e dytë mori vendim për t’i shpallur organizata terroriste. 

Lufta e plotë ndaj karteleve meksikane do të implikonte të gjithë vendin, trafikimi i narkotikëve është punëdhënësi më i madh në Meksikë dhe duke kontribuuar miliarda euro çdo vit në ekonominë e vendit. Numër i madh i politikanëve, zyrtarëve ushtarakë, policë e biznesmenë dyshohen se paguhen nga kartelet. Pos afro rreth 175 mijë të punësuar që vlerësohet se i kanë kartelet, po ashtu kartelet kanë edhe mbështetje rajonale në disa zona dhe funksionojnë si lloj narkoshteti nën hije. 

Nëse SHBA-ja vendos të veprojë çdo përgjigje është e pritshme nga këto organizata, pasi dihet për krimet e tyre dhe armët që i kanë. Në dekadat pas 11 shtatorit të vitit 2001, kartelet janë armatosur mirë – të paktën një herë nëpërmjet Qeverisë amerikane. Disa kartele sot kanë edhe raketahedhës “Javelin”, autoblinda dhe ish-komando në radhët e veta.

“Është thuajse e sigurt që sulmet ajrore do të ndodhin”, ka deklaruar Lukas Webber, analist i lartë i Inteligjencës ndaj kërcënimeve në “Tech Against Terrorism” dhe studiues në “Soufan Center”. Po ashtu ai shtoi se “kartelet mund të hakmerren duke goditur caqe si misionet diplomatike dhe turistët në Meksikë”. 

Webber ka shtuar se kartelet kanë vëzhguar nga afër konfliktet në Siri dhe Ukrainë dhe “kanë përmirësuar aftësitë me dronë si pjesë e formave të operimit”. 

Ndërsa Sullivan ka deklaruar se kartelet nuk kanë sulmuar asnjëherë qytetarët apo ligjvënësit e SHBA-së, por kanë sulmuar ato të Meksikës. 

Kartelet organizohen njëjtë si Shteti Islamik, i cili përdorte mediat sociale, veçanërisht grupet në Telegram.